Kthimi i emigrantëve, 4 aksidente brenda 24 orëve
29/12/2009 Elbasan, 6 të dëmtuar, 2 prej tyre fëmijë. Ndalohen të gjithë drejtuesit për kundërvajtje
ELBASAN- Kthimi i emigrantëve ka dhënë impaktin e parë negativ mbi aksidentet. Vetëm 24 orët e fundit janë regjistruar 4 aksidente në Librazhd, Peqin e Elbasan nga të cilat tre mjete rezultojnë me targa të huaja.
Aksidentet
Burime të policisë bëjnë të ditur se në aksin rrugor Librazhd-Përrenjas në afërsi të fshatit Dragostunjë mjeti tip Mitsubishi me targa NBA 3194 i drejtuar nga shtetasi Urim Loha lindur në Dibër ka aksidentuar një 69-vjeçar, i cili ishte këmbësor. I dëmtuari është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë në aksin rrugor Librazhd – Sterbleve, në afërsi të stacionit të trenit një mjet benz me targa TR8110N ka dalë nga rruga dhe për pasojë është dëmtuar drejtuesi i mjetit Nezir Markola, 36 vjeç, lindur në Dibër e banues në Tiranë. Mësohet se ndaj tij ka nisur procedimi drejtim i mjetit në gjendje të dehur për shkak se dyshohet se kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme alkooli kur ka humbur kontrollin e mjetit. Ndërkohë dy aksidente të tjera janë regjistruar një ditë më parë në aksin rrugor nacional Peqin-Elbasan në vendin e quajtur Bishqem mjeti tip Volsvagen me targë NET 2615 I drejtuar nga Madrid Sina me banim në Pakjovë ka aksidentuar 13-vjeçarin që qarkullonte me motor Jamaha. I dëmtuari është dërguar në spital ku ka marrë mjekimet e nevojshme. Sipas mjekëve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë është arrestuar në flagrancë shtetasi Viktor Kapllani 34 vjeç me banim në Progër të Peqinit. 34-vjeçari duke drejtuar mjetin e tij BMV me targë AN 018 PA tek kryqëzimi i Gjocajt është përplasur me një mjet Suzuki me targa YZT 9458. Për pasojë kanë mbetur të dëmtuar 3 pjesëtarë të një familje nga Gramshi. Mësohet se fëmija 7 vjeç është dërguar në spitalin e Durrësit. Pas mjekimeve ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shtimi i mjeteve me targa të huaja ka shtuar gatishmërinë për parandalimin e aksidenteve nga Policia Rrugore. Bilanci i këtij viti për Elbasanin për sa i përket viktimave të aksidenteve është mjaft i rëndë. Vetëm në 11 muaj kanë gjetur vdekjen 36 persona.