E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mbështesim rikonfirmimin e Ramës në krye të PS-së”

02/08/2009  Socialistët e Beratit parashtrojnë propozimet për kongresin e jashtëzakonshëm

Baza socialiste ka tashmë peshën e të gjitha zhvillimeve të mëtejshme në Partinë Socialiste. Kështu, nisur nga fakti se do të jetë kongresi i jashtëzakonshëm i kësaj partie ai i cili do të vendosë vulën përfundimtare sa i takon qëndrimit të PS-së mbi zgjedhjet si dhe mbi drejtimin e saj, atëherë në mënyrë direkte është pikërisht baza e kësaj partie, ajo e cila ka në dorë “fatin” e këtyre dy çështjeve. Momentalisht, zërat që vijnë nga përfaqësuesit socialistë në rrethe janë pro vendimeve që mori pak ditë më parë Asambleja Kombëtare e PS-së. Por, nga ana tjetër, socialistët nuk hezitojnë të bëjnë propozime shtesë mbi këto vendime. Janë këshilltarët e Këshillit Socialist të rrethit Berat, ato të cilët radhiten të parët, jo vetëm në mbështetje të këtyre vendimeve, por dhe të parët për propozimet që pritet t’i delegohen kongresit të jashtëzakonshëm të 29 gushtit. E ndër më kryesorët është fakti se socialistët e Beratit mbështesin rikonfirmimin e Ramës në krye të PS-së. “Të mbledhur menjëherë pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste vendosëm të mbështesim rezolutën e Asamblesë Kombëtare, si dhe qëndrimin e qartë të këtij forumi për të mosnjohur rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit si një rezultat që nuk pasqyron vullnetin e popullit shqiptar, njëherësh dhe të votuesve tanë në Berat”, deklaroi Sekretari i Këshillit Socialist të këtij rrethi, Stavri Ceca, pas mbledhjes së Këshillit Socialist, ku morën pjesë kryetarët e PS-së në çdo njësi vendore të rrethit të Beratit dhe delegatët e Kongresit të PS-së të këtij rrethi. Njëkohësisht, gjatë deklaratës së tij, këshilltari socialist bëri me dije lidhur me propozimet që priten t’i parashtrohen kongresit të 29 gushtit. “Parashtrojmë para Kongresit të PS-së, si mundësi për të përfshirë në rezolutë, opsionin e mosprezencës në Kuvend të grupit parlamentar të PS-së deri në vendosjen në vend të ligjit dhe hapjes po sipas ligjit të kutive të votimit të kërkuara prej nesh në Berat, me qëllim rinumërimin e votave të numëruara keq dhe rivlerësimin e fletëve të votimit të nxjerra të pavlefshme”, vuri në dukje Ceca. Gjithashtu, socialistët e Beratit i bënë thirrje gjithë përfaqësuesve të qarqeve të tjera në Kongres të përkrahin e mbështesin këtë opsion si pjesë të veprimit politik të PS-së që nis këtu e duhet të përshkallëzohet deri në protesta demokratike për të rikthyer legjitimitetin e zgjedhjeve në Shqipëri. “I kërkojmë kryetarit të PS-së, Edi Rama, të udhëheqë veprimin politik të PS-së në këtë synim demokratik, të ligjshëm e kushtetues dhe shprehim mbështetjen tonë për rikonfirmimin e tij në krye të PS-së”, thuhej në deklaratën e përbashkët të përfaqësuesve të këtij këshilli.

marrëdhëniet mes PS-së dhe aleatëve

Gjinushi: Lidershipi socialist të ndryshojë taktikë

Partia Socialdemokrate tërhoqi vëmendjen e lidershipit të PS-së, duke kërkuar përmirësimin e marrëdhënieve me aleatët. Kështu, ishte vetë kryetari i kësaj partie, Skënder Gjinushi, ai i cili gjatë një interviste televizive, u shpreh në mbështetje të ndryshimeve brenda PS-së. Por sipas tij, më shumë se sa emrat, PS-ja duhet të reflektojë urgjentisht se nuk mund të fitojë zgjedhjet e vetme. Referuar rezultateve të 28 qershorit, kreu socialdemokrat, ka mbetur jashtë Kuvendit dhe për këtë arsye, Gjinushi shpreh rezerva të mëdha ndaj sjelljes së Partisë Socialiste. “Ne nuk kemi problem ndryshimin e emrave në PS. PS-ja nuk ka mësuar deri më sot të sillet me aleatët dhe të ndërtojë aleanca, duhet të bëhet ky lloj reflektimi sesa ndryshimi i emrave. PS-ja nuk mund t’i fitoj zgjedhjet e vetme. Kjo ka qenë loja e Metës, ku ka shërbyer si alibi konflikti me Nanon për të risjellë Berishën në pushtet, ka shërbyer tashmë si alibi konflikti me Ramën për t’u lidhur me Sali Berishën. Uroj që të majtën në tërësi të mos ndjekin këtë shembull negativ”,- u shpreh kreu i PSD-së Gjinush, sa i takon marrëdhënieve mes PS-së dhe aleatëve të saj. Por, ndërkohë mes dy rezolutave të propozuara në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste Gjinushi mbështet mosnjohjen e zgjedhjeve konform rezolutës që mban emrin e Edi Ramës. Njëkohësisht, kreu i socialdemokratëve bie dakord me propozimin e Ben Blushit që PS-ja të hartojë strategjinë e saj për të forcuar marrëdhëniet me aleatët. Përpos kësaj kreu i PSD-së mbështet zgjedhjet e parakohshme brenda një viti, duke nisur nga krijimi sa më parë i një qeverie teknike “Krijimi i një qeverie të tillë do të garantonte që zgjedhjet e radhës të jenë të paanshme, pasi për sa kohë që zgjedhjet drejtohen nga një qeveri alla Sali, patjetër që ato do të jenë të kontestueshme dhe të cenuara. Nuk duhet lejuar kjo krushqi e bërë së fundmi që është në kundërshtim me vullnetin e popullit”,- theksoi Gjinushi, gjatë fjalës së tij. Nga ana tjetër, kryetari i PSD-së e sheh të pranishëm dhe në parlamentin e ri praninë e fenomenit të vjetër të shitjes së deputetëve, sidomos në kushtet kur qeveria nuk ka 84 vota për të votuar ligjet, siç është më i fundit edhe ai për martesën mes homoseksualëve. “Roli i opozitës dhe i çdo partie është të denoncojë këtë fakt dhe të mundësojë që Shqipëria të shkojë në rrugën normale për t’u integruar në Evropë. Shqipëria futet në Evropë duke zhvilluar zgjedhje të standardeve dhe jo duke ligjëruar martesat Gay, e para është hyrje për së mbari”,- vuri në dukje Gjinushi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›