E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasurite e Berishes, Rames, Nanos Leka Zogut e femijeve dhe politikaneve te tjere

02/08/2009  Pasuria e Kryeministrit Sali Berisha dhe anëtarëve të familjes së tij

Gjatë 2008-s kreu i qeverisë, të ardhura nga rroga dhe shpërblimet

Pasuria e Kryeministrit, Sali Berisha, e deklaruar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollet të Pasurive përbëhet nga shumatorja e të ardhurave nga paga e tij si kreu i qeverisë, nga të ardhurat si shpërblime në Kryeministri. Po ashtu, në deklaratën e kreut të qeverisë përfshihen edhe të ardhurat nga paga e bashkëshortes, Liri Berisha, në qendrën shëndetësore numër 4 në kryeqytet, në shumën prej 567 mijë lekë. Sipas deklaratës zyrtare të të ardhurave vjetore të marrë në rrugë zyrtare në zyrat e ILDKP-së, të ardhurat nga paga si Kryeministër i vendit arrijnë në shumën prej afro 2.14 milionë lekë, ndërkohë që nga shpërblimet Sali Berisha ka përfituar 9 mijë lekët. Sipas deklaratës, kreu i qeverisë ka tre llogari bankare në emrin e tij personal në banka, pesë llogari të tjera janë në emrin e bashkëshortes dhe një llogari bankare në emrin e të dyve. Sipas deklaratës, gjatë një viti janë bërë derdhje dhe tërheqje të ndryshme monetare në këto llogari bankare. Derdhjet në të gjithë këto llogari bankare të çiftit Berisha shkojnë në afro 546 mijë lekësh, ndërsa tërheqjet shkojnë në rreth 2.5 mijë lekësh. Në deklaratën e pasurisë së kreut të qeverisë janë përfshirë edhe deklarata e pasurive të fëmijëve të tij, vajzës Argita Malltezi dhe djalit Shkëlzen Berisha. Në pjesën që i përket deklarimit të pasurisë së Argita Malltezit, figurojnë shtatë llogari bankare, ku njëra prej tyre është e mbyllur. Sipas deklaratës, Malltezi ka derdhur shuma parash në valutë të huaj, dollarë dhe euro, si dhe në lekë. Por janë kryer edhe tërheqje nga këto llogari. Pasuria e të bijës së Kryeministrit përbëhet nga shitja e dy makinave, njëra e tipit Mitsubishi L200, me 8200 euro dhe një makinë Benz Mercedes class A, me 5000 euro, nga rroga bruto vjetore në Fakultetin e Drejtësisë dhe shpërblime, 821 mijë lekë, nga aktiviteti i avokatisë, mbi 5.2 milionë lekë, nga dhënia me qira e dy apartamenteve, në total 2070 euro në muaj, nga mësimdhënia për gjashtë muaj në një fakultet privat në Kosovë, me 3000 euro paga mujore, si dhe një shumë parash në formën e grantit prej rreth 9 mijë dollarësh të derdhura nga OKB-ja. Ndërkohë Malltezi deklaron se ka shlyer një kredi prej 139 mijë eurosh. Ndërsa djali i Kryeministrit Shkëlzen Berisha deklaron se ka një llogari rrjedhëse me total prej rreth 84.659 eurosh, ku gjatë vitit 2008 ka shtuar mbi 82 mijë euro dhe ka tërhequr rreth 7750 euro. Po ashtu, ai ka deklaruar si të ardhura 6390 euro fitim neto nga puna ai konsulent ligjor. Shkëlzen Berisha deklaron edhe në një llogari të dytë bankare shuma prej rreth 460 mijë lekësh vijnë nga puna në kompaninë Eagle Mobile në vitin 2007, të cilat gjatë 2008 nuk kanë pësuar asnjë ndryshim. Shkëlzen Berisha deklaron një llogari rrjedhëse në një bankë në Suedi, në shumën prej 600 eurosh, ku gjatë vitit 2008 janë shtuar 500 euro dhe janë tërhequr 1000 euro. Gjithashtu deklarohen shumat prej mbi 82 mijë dhe 6930 eurosh, kanë ardhur nga ndërmjetësimet në shit-blerje gjatë vitit 2008. Deklarata e pasurisë është dorëzuar pranë ILDKP-së dhe në të autorizohet në bazë të ligjit ky institucion të verifikojë në të gjitha subjektet private e publike, brenda dhe jashtë vendit, interesat private dhe detyrimet financiare, që ekzistojnë në emrin e secilit prej anëtarëve të familjes kryeministrore.

Deklarata e pasurisë së kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama

Të ardhurat modeste të liderit të opozitës shqiptare

Ergys GJENÇAJ

Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, duket se nuk është lodhur shumë në plotësimin e formularit për deklarimin vjetor të pasurisë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Kryesocialisti Rama që në fillim deklaron shumën prej afro 41 mijë lekësh gjendje në një ndër bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, të cilat vijnë si kursime nga paga. Po ashtu, Rama deklaron një shumë prej 2937 eurosh gjendje në të njëjtën bankë, të cilat vijnë nga çmime dhe honorare. Edi Rama në deklaratën e tij të pasurisë shënon shumën prej 1.850 milionë lekësh të përfituar nga paga vjetore, shpërblim fundviti, si dhe pagesa për pjesëmarrjen në mbledhjet e Këshillit të Rregullim Territorit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2008. Kryesocialisti deklaron detyrimin e shlyerjes së kredisë prej rreth 207 mijë lekësh (principal + interes), ndërkohë që gjendja e detyrimit të mbetur pa shlyer deri në 31 dhjetor të këtij viti është rreth 1.2 milionë lekësh (principal + interes). Në deklaratën e pasurisë së kryesocialistit është përfshirë edhe deklarata e të birit Gregor Rama. Por në faqet që i takojnë kësaj pjese të deklaratës, nuk rezulton asnjë e dhënë. Kjo siç duket nga mungesa e pasurisë së djalit të kryesocialistit dhe kryebashkiakut të Tiranës. Edhe kryesocialisti Rama, ashtu si kundërshtari i tij kryesor politik, por edhe të gjithë ata që detyrohen me ligj të deklarojnë pasurinë, ka nënshkruar dokumentin, sipas të cilit ILDKP-ja, autorizohet në bazë të ligjit të verifikojë në të gjitha subjektet private e publike, brenda dhe jashtë vendit, interesat private dhe detyrimet financiare, që ekzistojnë në emrin e secilit prej anëtarëve të familjes kryeministrore.

Valentina Leskaj

Deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, në deklaratën e interesave të saj private, ka radhitur shtesa dhe pikësime të të ardhurave të saj në disa banka të ndryshme. Për të kaluar më pas tek paga e saj vjetore dhe të ardhurat nga komisionet parlamentare. Po kështu, deputetja socialiste ka deklaruar dhe pensionin e bashkëshortit të saj. Njëkohësisht, në deklaratën e interesave të saj private janë përshkruar pasuritë dhe burimi i krijimit të tyre, i dy djemve të saj, Arian dhe Besnik Leskaj. Në deklaratën e interesave vetjake të këtij të fundit, vihej re përshkrimi i hollësishëm i pasurive të tij.

Bahri Shaqiri

Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri, deklaron shumën prej 2 milionë lekësh si shtesë gjendje cash në familje nga të ardhurat familjare. Kreu i SHISH deklaron të ardhurat nga paga vjetore dhe shpërblim në shumën 1.980 milionë lekësh. Shaqiri deklaron të ardhurat nga paga dhe shpërblimet e bashkëshortes, si dhe të ardhurat nga pensioni i babait. Ai deklaron gjendjen prej 4.173 milionë lekësh për të shlyer për pagesën e apartamentit të blerë në vitin 2004, si dhe detyrimin ndaj një shoqërie ndërtimi për një garazh në shumën prej 12 mijë eurosh.

Ahmet Prençi

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi, deklaron të ardhurat nga paga e shpërblimet e vitit 2008 në shumën prek 1.555 milionë lekësh, të ardhurat nga mësimdhënia në Universitetin e Durrësit, afro 20 mijë lekë, të ardhura nga mësimdhënia në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, 2000 euro. Prençi deklaron porositjen e një apartamenti banimi me sipërfaqe 123 metra katrorë dhe garazh me vlerë totale 61.5 mijë euro, ku janë paguar për vitin 2008 vetëm 30 mijë euro nga marrja e një kredie, ndërsa pjesa tjetër do të paguhet nga shitja e shtëpisë aktuale.

Fatmir Mediu

Kryetari i Partisë Republikane, njëkohësisht deputet i kësaj partie në parlamentin e ri, të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, në deklaratën e interesave të tij private ka bërë me dije fillimisht tërheqjen e të gjithë depozitës së tij bankare prej 10 mijë eurosh. Ndërkohë që vihej theksi dhe tek gjendja e llogarisë së pagesës së kreut republikan dhe bashkëshortes së tij. Po kështu deklarata e interesave vetjake shfaqte dhe shumat e përfituara nga të ardhurat nga paga si ministër i Mbrojtjes dhe deputet i Kuvendit, nga paga e bashkëshortes si dhe të ardhurat nga qiraja e banesës, nga e cila vilen 900 euro në muaj.

Jozefina Topalli

Ndër deklaratat e interesave private të zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptarë, ajo më modestja dukej të ishte deklarata e kryetares së Kuvendit, njëkohësisht nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli. Kjo për vetë faktin se të ardhurat e saj ishin vetëm në pakësim e sipër, e kjo për arsye të ndryshme, ndër të cilat dhe blerja e një apartamenti në Shëngjin, një pjesë e të cilit ishte blerë nga të ardhurat e saj personale, dhe pjesa tjetër e plotësuar nga bashkëshorti. Ndërkohë që vetëm të ardhurat nga qiratë në emër të bashkëshortit të kryeparlamentares Topalli, rezultonin si më të kënaqshmet.

Maksim Malaj

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Maksim Malaj, thotë se deklarata e pasurisë për vitin 2008 nuk ka asnjë ndryshim nga deklarata e pasurisë me atë të vitit 2007. Ai shkruan në deklaratën e pasurisë pagën për 6 muajt e parë të 2008-s me shumën 420 mijë lekësh, pagën si Shefi i Shtabit të Përgjithshëm në shumën 540 mijë lekësh, si dhe shpërblimet 90 mijë lekë. Në deklaratën e pasurisë Malaj deklaron të ardhurat nga paga e bashkëshortes, 30 mijë lekë në muaj.

Të ardhurat e ministrit të Financave Ridvan Bode

Ministri i Financave, Ridvan Bode, persona që mban çelësat e buxhetit të shtetit, në deklaratën e tij të pasurisë për vitin 2008 rrëfen për disa llogari rrjedhëse. Që në fillim të deklarimit të pasurisë Bode deklaron shumën prej 78 mijë lekësh të depozituar në një bankat shqiptare të nivelit të dytë. Më pas, ai tregon për pakësimet (tërheqje parash) në disa llogari të tjera bankare, shuma e të cilave arrin në rreth 2.4 milionë lekë dhe një tjetër në shumën prej 1953 mijë eurosh. Kryefinancieri Bode deklaron se borxhi i dhënë nga 2000 në dollarë është pakësuar me 2 milionë lekë. Ministri i Financave deklaron se ka blerë një apartament banimi (2+1) në zonën e plazhit në Qerret të Kavajës, të pahipotekuar e që ka paguar gjysmën e vlerës, me një shumë prej 2.4 milionë lekë. Ministri Bode deklaron të ardhurat nga paga, shtesa dhe shpërblime në shumën prej 1.850 milionë lekësh gjatë vitit 2008. Ministri i Financave deklaron të ardhurat nga paga, shtesa e pensioni të bashkëshortes Eglantina Bode në shumën prej 1.183 milionë lekësh, si dhe të ardhurat të të birit Eraldo Bode, nga pensioni familjar në shumën prej 9.6 mijë lekësh. Ministri Bode deklaron kredinë për apartament banimi marrë nga Enti Kombëtar i Banesave, ku shuma e shlyer është 126 mijë lekë dhe gjendja e detyrimit të mbetur pa u shlyer deri më 31 dhjetor të vitit të deklarimit (principla+interes) është 1.898 milionë lekë. Po ashtu, kryefinancieri shqiptar deklaron kredinë konsumatore, që ka filluar në vitin 2007, nga e cila ka shlyer 1.112 euro dhe gjendja e detyrimit të mbetur pa u shlyer deri më 31 dhjetor të vitit të deklarimit (principla+interes) është 28.888 euro.

Fatos Nano

Ish-kryeministri Fatos Nano, në deklaratën e pasurisë për vitin 2008 rrëfen një llogari bankare prej 180 mijë lekësh, tërheqjen e një shume prej rreth 60 mijë eurosh nga një llogari e dytë bankare, si dhe gjendjen prej 24.8 mijë eurosh në një llogari të tretë bankare. Ish-kryeministri dhe ish-lider i Partisë Socialiste deklaron një kontratë sipërmarrjeje për blerjen e dy apartamenteve banimi me sipërfaqe 210 dhe 166 metra katrorë në Durrës me shumën prej rreth 176 mijë eurosh. Nano deklaron pagën vjetore si deputet gjatë vitit 2008, pagesën kalimtare si ish-kryeministër i vendit, si dhe shumën prej 134 mijë eurosh, nga gjyqi i fituar me gazetën italiane “L’Unita”.

Ilir Meta

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në deklaratën e pasurisë për vitin 2008 tregon ekzistencën e një llogaritje bankare prej mbi 43 mijë lekësh, llogarinë për shlyerje kredie në masën 4.8 mijë dollarë. Meta deklaron kredinë prej 22 mijë dollarësh për blerjen e një apartamenti banimi në Durrës. Në deklaratën e përvitshme kreu i LSI-së deklaron të ardhurat nga paga dhe shpërblimet si deputet i Kuvendit, në shumën prej mbi 2.777 milionë lekësh në vit. Meta shkruan për të ardhurat e bashkëshortes si anëtare e Këshillit Bashkiak Tiranë, që për vitin 2008 arrijnë në 378 mijë lekë, si dhe të ardhurat nga bashkëshortja si ish-deputete, në shumën mbi 659 mijë lekësh.

Presidentët Topi-Moisiu

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaron si pasuri një banesë njëkatëshe me sipërfaqe rreth 101 metra katrorë mbi truallin e trashëguar nga prindërit në Tiranë, gjendje parash kesh 35 mijë euro, burimi i të cilave është nga testamenti i nënshkruar nga i ati, tokë arë me sipërfaqe 1070 metra katrorë në Shkozë dhe tokë arë me sipërfaqe 5400 metra katrorë në Linëz dhe Shkozë në Tiranë, të cilat janë po si trashëgimi nga i ati. Kreu i shtetit deklaron të ardhurat nga paga e shpërblime nga funksioni i Presidentit të Republikës në shumën prej 2.483 milionë lekësh. Topi deklaron kredinë për shtëpi nga Enti i Banesave dhe detyrimet për studimet e së bijës Nada në një universitet privat. Ndërsa ish-Presidenti Alfred Moisiu deklaron vetëm të ardhurat nga paga si President në shumën prej 1.326 milionë lekësh.

Krerët e institucioneve kushtetuese

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, në deklaratën e tij për vitin 2008 tregon depozita në Bankën e Shqipërisë në shumën prej 2.4 milionë lekësh, si dhe depozita bankare në banka të nivelit të dytë. Kristo deklaron se depozitat në banka dhe veprimet bankare janë në emër të bashkëshortes. Kristo deklaron të ardhurat nga paga, në shumën prej 2.620 milionë lekësh, të ardhurat nga dhënia me qira e një apartamenti, si dhe nga mësimdhënia. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, deklaron një apartament me sipërfaqe 134 metra katrorë në Tiranë, dhuruar nga prindërit. Ristani deklaron ndër të tjera depozitë prej 40 mijë eurosh, si gjendje e kredisë marrë në vitin 2007, në vlerën 100 mijë euro për blerjen e vilën në Lundër, Tiranë. Kreu i KQY-së deklaron të ardhurat nga paga vjetore, si dhe kreditë e marra në banka e shoqëri të ndryshme.

Ministri Lulzim Basha

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, në deklaratën e tij për pasurinë, që i përket vitit 2008 deklaron të ardhurat neto nga paga në postin e ministrit, në rreth 1.590 milionë lekësh. Po ashtu, kryediplomati shqiptar deklaron të ardhurat në shumën prej 21 mijë lekësh nga shpërblimi i fundvitit si ministër i Jashtëm. Ministri Basha deklaron të ardhurat nga paga e bashkëshortes Aurela Basha si Drejtore Programesh në Fondacionin EWPPP, në Amsterdam në Holandë (part-time) gjatë viti të kaluar. Këto të ardhura shkojnë në shumën prej rreth 29.750 mijë eurosh. Në formular tregohen edhe të ardhurat e bashkëshortes, 45 mijë euro nga shitja e një apartamenti në Golem, por edhe pagesa e një pjese për blerjen e një apartamenti në Qerret, në shumën prej 40 mijë eurosh.

Prici Leka II

Princi Leka II-të, në rolin e këshilltarit të ministrit të Punëve të Jashtme, tregon në deklaratën një pasuri (apartamente dhe vendparkimi), sipas një kontrate sipërmarrjeje në shumën prej afro 543 mijë eurosh. Në deklaratën e pasurisë ai thotë se ka të ardhura në shumën prej 1.128 lekësh nga paga vjetore në Ministrinë e Jashtme. Po ashtu, Princi deklaron detyrimin prej 518 mijë eurosh, për të shlyer në një kredi. Princi Leka II deklaron detyrimin ndaj një shoqërie sigurimesh në Shqipëri, në shumën prej mbi 29 mije eurosh, si dhe një detyrim ndaj një shoqërie, kontratë sipërmarrjeje në shumën prej 55 mijë eurosh. Në deklaratën e tij nuk është përfshirë i ati, pretendenti për fronin mbretëror shqiptar, Leka I, pasi kjo deklaratë bëhet me statusin e këshilltarit në MPJ.

Ministri Lufter Xhuveli

Deklarata e pasurisë, ndër më voluminozet

Deklarata e pasurisë për vitin 2008 e ministrit të Mjedisit, Lufter Xhuveli, është një ndër më voluminozet e të gjithë politikanëve më të lartë shqiptarë. Në këtë deklaratë shihen shtimet në depozita bankare, hapje llogarish të reja. Kështu, ministri Xhuveli deklaron një shtesë prej 1.178 milionë lekësh së bashku me bashkëshorten, një shtesë në një tjetër llogari bankare prej 169 mijë lekësh nga interesat, hapjen e një llogarie të re me shumën prej 55 mijë lekësh. Ministri Xhuveli deklaron blerjen e një apartamenti në qytetin e Sarandës me një sipërfaqe 121 metra katrorë, në shumën prej 5.947 milionë lekësh, burimi i të cilave janë nga një kredi. Xhuveli deklaron të ardhurat nga paga si ministër i Mjedisit dhe nga pensioni i bashkëshortes. Ai deklaron marrjen e një kredie prej 49 mijë eurosh në shtator të vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e deklaratës së ministrit Xhuveli i përket deklarimit të pasurisë së fëmijëve të tij, Aelita Mani, Adriana Xhuveli dhe Gjergj Xhuveli. E bija e ministrit Aelita deklaron paga në vende të ndryshme pune dhe të ardhura nga shërbime në borde të ndryshme e të shumta, të ardhura të krijuara nga aktiviteti privat, nga shitja e këtij aktiviteti, të ardhura të krijuara nga shitblerja e makinave gjatë viteve 2005-2008. Ajo deklaron si pasuri një apartament banimi në Sarandë me sipërfaqe 121 metra katrorë, blerjen e një sipërfaqeje 2000 metra katrorësh, tokë bujqësore në Ishëm të Durrësit. Deklaron ndër të tjera edhe marrjen e kredive për blerjen e shtëpisë në Sarandë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›