Mbështeti dy trafikantë, kapet specialisti i antidrogës
Një punonjës policie, me detyre specialist në Luftën Kundër Drogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër, është prangosur nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm së bashku me dy banorë të fshatit Ura e Shtrenjtë. Punonjësi i policisë akuzohet se u krijonte mbrojtje dhe mbështetje dy personave, të cilët kultivonin kanabis sativa. Në një komunikim me mediat, Drejtoria e Policisë së Shtetit ka bërë të ditur arrestimin e Shpëtim Gurit, 34 vjeç, me detyre specialist në Seksionin e Luftës Kundër Drogës në Drejtorinë e Policisë Qarku Shkodër, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Fatjon Kurtaj, 26 vjeç, u arrestua për veprën penale të "kultivimit të bimëve narkotike", sikundër edhe Ndriçim Fikaj, 34 vjeç. Arrestimi i këtyre tre personave u bë në kuadër të operacionit disa javor me emrin e koduar "Bliri". Burime nga policia e Shkodrës bëjnë të ditur se nga veprimet hetimore të kryera, nëpërmjet aplikimit të metodave speciale të hetimit, për një periudhe tremujore, është bërë i mundur sigurimi i provave dhe dokumentimi ligjor i aktivitetit kriminal të këtyre shtetasve për veprat penale, për të cilat janë ndaluar. Gjatë hetimit të kësaj çështjeje ka rezultuar se punonjësi i policisë, Shpëtim Guri, u ka garantua mbrojtjen për kultivimin e rreth 7000 rrënjëve kanabis sativa, dy të ndaluarve të tjerë. Këto bime janë asgjësuar nga forcat e Drejtorisë së Policisë së Shkodrës gjate operacioneve të organizuara më 21 gusht, 26 gusht dhe 4 shtator, në fshatrat e Komunës Postribë. Burime konfidenciale nga policia pohojnë për gazetën "Shqip" se në metodat speciale të hetimit janë përdorur përgjim telefonash pamje filmike dhe regjistrime audio, që sigurojnë prova të mjaftueshme për veprat penale të konsumuara nga të arrestuarit.