E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentati, kapet ish-truproja e Hajdarit

Policia e Shkodrës arreston për kallëzim të rremë dhe armëmbajtje pa leje Marjan Grykën, ish-truprojën e deputetit të vrarë, Azem Hajdari. Gryka, i cili është aktualisht kryetar i shoqatës "Azem Hajdari", u gjet i plagosur lehtë në këmbë me armë zjarri mbrëmjen e 27 shtatorit në aksin rrugor Shkodër-Zogaj. Dje, ai u prangos nga policia, pasi nga hetime rezultoi se ka stisur historinë e atentatit.

Burime konfidenciale nga policia e Shkodrës bëjnë të ditur se në bazë të provave biologjike dhe kimike, ekspertimit mjekoligjor dhe ekspertimit balistik të armës së gjetur në vendin e ngjarjes, si dhe duke marrë parasysh thëniet kontradiktore të vetë të dëmtuarit, është arritur në konkluzionin se i dëmtuari Marjan Gryka nuk është plagosur nga persona të tjerë, siç pretendon. Një zyrtar i policisë së Shkodrës, tha se provat e siguruara provojnë se Marjan Gryka ka bërë kallëzim të rremë se e kanë plagosur, pasi realisht ai është vetëplagosur.

Në të njëjtën kohë, policia pohon se arma e zjarrit, tip pistoletë, e gjetur në makinën e Marjan Grykës, natën e ngjarjes, është një armë pa leje që e mbante personi në fjalë dhe gëzhojat që janë gjetur në vendin e ngjarjes korrespondojnë me armën e gjetur në makinë.

Marjan Gryka u gjet i plagosur mbrëmjen e 27 shtatorit në rrugën që të çon për në Zogaj. Ai tha se i kishin dalë përpara disa persona të veshur si policë dhe sapo ai ka ndaluar, ata kanë qëlluar pesë herë me pistoletë në drejtim të tij, por duke e plagosur vetëm në këmbë.

Nga i dëmtuari, gjithçka është cilësuar si një ngjarje me motive të pastra politike. Sipas tij, ky atentat ka ardhur pasi njerëz në pushtet nuk duan që të rihapet dosja e Azem Hajdarit. Por, sipas policisë, provat materiale dhe shkencore vërtetojnë se gjithçka është sajuar nga i dëmtuari, i cili ka qëlluar veten me pistoletë.

Tashmë Marjan Gryka, i cili gëzon shëndet të mirë, duhet të përballet me dy akuza: armëmbajtje pa leje dhe kallëzim të rremë. Mësohet se menjëherë pas arrestimit, Gryka është dërguar në dhomat e paraburgimit në Shën Koll të Lezhës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›