Durrës, taksistët paralizojnë për disa orë qarkullimin
Taksistët bllokojnë për disa orë qarkullimin e automjeteve në Durrës. Protesta pa afat e taksistëve durrsakë ka nisur paraditen e djeshme në rrugën e vetme që lidh qytetin me akset rrugore kombëtare dhe pas ndërhyrjes së policisë është zhvendosur në stacionin e autobusëve të Durrësit. Kanë qenë mbi njëqind taksistë që kanë ngritur zërin e tyre ndaj konkurrencës së pandershme që i sfidon pa njohur asnjë pengesë nga autoritetet shtetërore përgjegjëse. Ndërkaq, autoritetet policore të Durrësit e kanë quajtur të paligjshme protestën dhe kanë ndërhyrë për ndërprerjen e saj. Mbikalimi tek Ura e Dajlanit është bllokuar për afro gjysmë ore, pastaj forcat policore kanë ndërhyrë duke zgjidhur situatën që ka krijuar mjaft probleme për drejtuesit e tjerë të automjeteve që lëviznin në dalje nga Durrësi. Taksitë në protestë kanë lëvizur drejt sheshit para stacionit të trenit nga ku nisen autobusët e linjave interurbane. Për më shumë se një orë protestuesit kanë ndaluar lëvizjen e autobusëve të linjës Durrës-Tiranë duke shkaktuar irritim jo vetëm te drejtuesit dhe pronarët e tyre, po dhe te pasagjerët që nxitonin të kapnin oraret e takimeve a punës në kryeqytet. Ndërhyrja rishtas e forcave policore e ka zhvendosur protestën e taksistëve të licencuar drejt qytetit. Në mbështetje të protestuesve durrsakë ka qenë kryetari i sindikatës së transporteve të Shqipërisë, Gëzim Qato, i cili ka deklaruar se protesta nuk do të ndalet derisa të plotësohen kërkesat e të përfshirëve në të. "Për këta njerëz është në pikëpyetje buka e gojës dhe policia nuk duhet të merret me ata që paguajnë taksat, po me ata që punojnë në të zezë, pa licencë", tha Qato. Protestuesit paralajmëruan ditën e djeshme përshkallëzim e protestës nëse nuk do të marrin përgjigje për plotësimin e peticionit me 14 pika të firmosura nga të gjithë shoferët e taksive 4+1. Sindikata e pavarur e taksive kundërshton projektligjin për liberalizimin e licencave dhe vitin e prodhimit të caktuar nga bashkia për mjetin taksi, i cili duhet të jetë 2004. Si rezultat i konkurrencës së pandershme gjendja ekonomiko-financiare e taksistëve të licencuar dhe familjeve të tyre po rrënohet në mënyrë progresive nga veprimtaria e taksive fantazmë. "Targat e bardha gjithnjë e më shumë janë në shërbim të njerëzve që kërkojnë shërbim taksi, duke na vjedhur pa të drejtë klientelën. Të gjitha denoncimet tona pranë bashkisë dhe policisë rrugore kanë rënë në veshë të shurdhër, ndonëse janë të parët që na kërkojnë me insistim shlyerjen e detyrimeve", shprehet një prej protestuesve për gazetën. Ndërkaq, taksitë e palicencuara nuk ofrojnë për qytetarët tarifa të reduktuara transporti.