E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbeten në burg 12 hakersat që vodhën 400 llogari bankare

Gjykata dha “detyrim për paraqitje” për 5 të arrestuarit e tjerë

TIRANË – Burg pa afat dhe hetim në liri kanë dhënë si masë sigurie gjyqatrët e Faktit për 17 të arrestuarit e katër ditëve më parë pas operacionit policor të koduar “Matrix 4”.
Masat
Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 12 anëtarët e grupit të vjedhjeve të transfertave bankare. Ndërkohë për 5 të arrestuarit e tjerë gjykata dha masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”. Konkretisht mbetet i lirë Besfort Puka, Seid Mollaj, Fatmir Borshi, Klodian Terroli dhe Fatmir Kolmarku, kurse 12 të arrestuar të tjerë Endit Gjergjani, Kreshnik Luka, Ledjo Doko, Enea Cela, Endri Mezurraj, Rei Karapici, Redi Cekani, Blerim Abazi, Flamur Gashi, Indrid Abazi dhe një tjetër i mitur A.B mbeten në “arrest me burg”. Të arrestuar vetëm katër ditë më parë hakersat klonuan kartat e kreditit Viza dhe Master Card, duke shkaktuar vjedhjen e rreth 2 milionë eurove. Grupi i studentit të Juridikut Endrit Gjergjani u arrestua nga një superoperacioni të skuadrës së antikrimit ekonomiko-financiar të policisë së Tiranës dhe Task Forcë të Prokurorisë në të gdhirë të ditës së premte.
Supervjedhja
Pas denoncimit të bërë nga Banka Amerikane e Shqipërisë nëntorin e vitit të kaluar se në disa bankomate të kësaj banke është konstatuar bllokimi automatik i kartave plastike, ku është tentuar tërheqja e parave të disa llogarive të depozituara në emër të personave të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj, policia nisi menjëherë hetimet, pasi pa se në 20 ditët në vazhdim u bënë të njëjtat denoncime nga një sërë bankash të tjera si, Raiffeisen, ProCredit, Banka Tirana, Banka Tregtare dhe të tjera. Sipas policisë, deri tani numërohen të paktën 400 raste, nga të cilat 272 në Tiranë dhe 128 në qytetet Durrës, Fier, Vlorë, Kavajë etj., ku vidheshin llogaritë bankare të shtetasve të huaj, rezidentë në Europë, Kanada e Angli. Ndërkohë që vlerat e konsiderueshme monetare në lekë dhe valutë janë përdorur pjesërisht në blerje të sendeve me vlerë si, argjendari, automjete luksoze të prodhimeve të fundit, aksesorë të ndryshëm në qendra biznesi në Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi e Kosovë.
Pas një hetimi 8-mujor, nën drejtimin e Task-Forcës së Krimit Financiar dhe Korrupsionit, duke përdorur metodat speciale të hetimit, u realizua arrestimi i 17 personave, të cilët në mënyrë të strukturuar kryenin aktivitetin kriminal të vjedhjes së bankomateve, në orë të ndryshme të ditës dhe të natës, në qytete të ndryshme të vendit. Vetëm Policia e Tiranës ka angazhuar rreth 30 agjentë në hetimin e çështjes, ndërsa dhjetëra të tjerë janë angazhuar në qytetet të tjera të vendit. Lodhja e muajve të tërë është finalizuar me operacionin “Matrix 4”. Agjentët antikrim madje kanë mundur të gjejnë edhe mënyrën e vjedhjes së llogarive bankare. Sipas tyre, organizata klononte kartat e kreditit VIZA dhe MASTERCARD me informacionet e personalizuara të personave të tretë, shtetasit në fjalë kanë mundur të sigurojnë në mënyrë të paligjshme kryerjen e një sërë transaksionesh financiare, ku përfshihet një vlerë shumë e konsiderueshme, e cila do të konkludohet në përfundimin e hetimeve.

Vodhi celularin, prangoset në flagrancë nga policia

Tiranë – Vodhi celularin e një gruaje policia e ka vënë në pranga. Burime nga uniformat blu thanë për gazetën se dje u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Zenel Skonja, 53 - vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë sepse dyshohet se në Rrugën e Qelqit, është kapur në flagrancë nga Patrulla e Përgjithshme, pasi kishte vjedhur aparatin celular tip “Panasonik”, ngjyra gri, një shtetaseje. U kryen veprimet procedurale, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua telefoni celular. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “vjedhjes”, parashikuar nga neni 134/1 i Kodit Penal.

Kundërshtuan policinë për kontroll, ndalohen

Tiranë – Policia dërgoi në Prokurori materialet për Kledian Balla, 31 – vjeç dhe Flutura Hajdari, 38 – vjeç nga Tirana. Sipas burimeve dyshohet se këta persona në plazhin e Golemit, kanë kundërshtuar individualisht dhe nuk i janë bindur urdhrave të Patrullës së Policisë, për kontrollin e situatës në terren pas një informacioni për një vjedhje të mundshme. Ata duhet të përballën tashmë me Gjykatën për veprat penale të “Kundërshtimit” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, parashikuar nga nenet 236/1 edhe 242 të Kodit Penal.

Pranga maqedonasit, aksidentoi me vdekje dhe u largua

Kavajë – Prokuroria ka prerë fletë-arrestin për maqedonasin Bote Nasev, 45 – vjeç. Arrestimi i tij u krye sepse dy ditë më parë duke qarkulluar me automjetin kamion tip “Bens”, në aksin rrugor Kavajë - Rrogozhinë, në afërsi të fshatit Gosës, është përplasur me motoçikletën tip “Lifan”, që drejtohej nga Gjergji Gjeta, 47 - vjeç, banues në Lushnjë. Drejtuesi i motoçikletës ka gjetur vdekjen e menjëhershme ndërsa drejtuesi i kamionit, pas ndodhjes së aksidentit largohet menjëherë nga vendi i ngjarjes së bashkë me mjetin e tij. Falë një pune të shpejtë të strukturave policore drejtuesi i mjetit kamion është kapur nga shërbimet, në hyrje të Rrogozhinës. U kryen veprimet procedurale, materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe të “Largimit nga vendi i aksidentit”.

Vodhi kabullin elektrik, përfundon në qeli

Tiranë - Edvin Biçaku, 18 - vjeç, lindur dhe banues në Elbasan u arrestua nga shërbimet e komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë nën akuzën e “Vjedhjes”. Arrestimi i tij u krye sepse dy ditë më parë është kapur në flagrancë pranë ish hotel “Dajti”, duke vjedhur rreth 50 metër kabull elektrik 3 fazor, në një garazh. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.

Mbante drogë dhe shëtiste në QSUT, kapet nga policia

Tiranë - Elidor Xhiku, 22 - vjeç, banues në Tiranë u kap me 1.6 gram bimë e dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa. Rreth orës 14:00 në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, shërbimet e Komisariatit Nr.4 Tiranë në bashkëpunim me seksionin Kundër Drogës, mundësuan kapjen në flagrancë të shtetasit
U kryen veprimet procedurale, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1.6 gram bimë e dyshuar si lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “mbajtjes së lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.

Bie në rrjetën e policisë hajduti i kasetofonëve

Tiranë - Gimi Lepuri, 35 - vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, i dënuar një herë për vjedhje u ndalua nga seksioni Kundër Vjedhjeve të Tjera. Sipas burimeve ndalimi i tij u krye sepse dy ditë më parë rreth orës 04:00, në afërsi të Pazarit të Ri ka vjedhur me thyerje kasetofonët e automjeteve Bens, me targa TR 4276 H dhe TR 4149 N. Po ashtu ky shtetas ka tentuar të vjedhë kasetofonin e mjetit tip “Benzs”, me targa TR 2068 P. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një levë, të cilën autori e ka përdorur për të thyer xhamat e automjeteve, një palë çorape etj. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.

8 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›