E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekët e poliklinikave abuzojnë me faturat e vizitave

Pacientët nuk paguajnë faturën. Mjekët shpërblehen për vizitën “falas”

Emanuela Sako
Mjekët abuzojnë me faturat që duhet të presin qytetarët në çdo sportel për të kryer një vizitë te specialisti. Mjekët pranojnë pacientët për të kryer vizitë edhe pa i paraqitur faturën që tregon se pacienti ka kryer pagesën pranë sporteleve përkatëse të çdo poliklinike. Për pacientët, ky është një lehtësim, pasi ata nuk paguajnë 600 lekët që duhet të paguajnë për vizitën që duhet të kryejnë. Ndërkohë që ata mund t’i lënë mjekut në dorë një shpërblim më të vogël. Ndërsa mjekët pohojnë se i pranojnë pacientët edhe nëse ata nuk kanë kryer pagesën. Sipas tyre, kjo është një mënyrë që e lehtëson pacientin nga tarifa e vendosur, pasi një pjesë e tyre nuk kanë mundësi të paguajnë për kryerjen e vizitës. Në një rast të tillë, ata janë të detyruar t’i pranojnë, për të mos i lënë qytetarët jashtë dyerve të spitaleve, duke iu kërkuar mjekëve me ngulm, t’i vizitojnë. Vetë mjekët pranojnë, se ata nuk përfitojnë ndonjë gjë konkrete nga të ardhurat dytësore dhe për këtë arsye neglizhojnë rregulloren e vendosur nga Ministria e Shëndetësisë.
Tarifat
Në një pjesë të konsiderueshme të vizitave pacientët nuk e paguajnë tarifën që duhet të paguajnë për të kryer një vizitë tek mjeku. Në ketë rast janë vetë mjekët që i tolerojnë këto raste, ku e justifikojnë me faktin se një pjesë e madhe e qytetarëve nuk kanë mundësi të paguajnë tarifat e vendosura. Për të kryer një vizitë në një nga poliklinikat e kryeqytetit, çdo pacient duhet të paguajë 600 lekë pranë sportelit përkatës, të cilët e regjistrojnë faturën. Një kopje i jepet pacientit dhe një kopje ruhet nga punonjësit. Ndërsa pacientët që janë të pajisur me librezë shëndetësore, paguajnë 400 lekë. Madje mjekët e kanë të vështirë që të japin një bilanc të saktë të vizitave që kryhen në një ditë. Kjo, pasi një pjesë e vizitave të kryera pa pagesën e faturave nuk figurojnë të regjistruara në regjistrin e vizitave që kryhen çdo ditë.
Pacientët
Për pacientët kjo është një mënyrë më e mirë, pasi paguajnë më pak për vizitat. Ndërkohë që shprehen se në shumicën e rasteve nuk paguajnë tarifën, por drejtohen direkt tek mjeku përkatës. Ata që i përmbahen më shumë rregullores janë pacientët që janë të pajisur me librezat shëndetësore dhe paguajnë rregullisht sigurimet shëndetësore. Një numër madh qytetarësh drejtohen çdo ditë në poliklinika. Fluksi më i madh është gjatë sezonit të verës dhe të dimrit për shkak të ndryshimeve klimaterike dhe problemeve që shfaqen me shëndetin.

Uji i ndotur, komunat e kryeqytetit më të prekurat

Ndërtimet e reja, nuk ofrojnë infrastrukturn e nevojshme

Specialistët, kontrrolle në të gjitha zonat e Tiranës për ujin

Specialistët e konsiderojnë kryeqytetin si një ndër vendet e pasigurt për konsumimin e ujit të pijshëm të çezmave. Uji i pijshëm rezulton i ndotur në një pjesë të komunave të kryeqytetit. Nga kontrrollet e kryera rezulton se në tre komuna uji i pijshëm është i ndotur dhe i papërdorshëm për konsum të përditshëm. Zonat më të prekura nga ndotja janë ato zona ku janë bërë më shumë ndërtime të reja, të cilat nuk kanë bërë një planifikim të saktë të kalimit të ujësjellësit apo kanalizimeve të ujrave të zeza. Për Drejtorinë e Ujësjellës Kanalizimeve, ky është një problem i vjetër dhe problematik në disa zona të Tiranës. Problemet më të mëdha shfaqen në Komunën e Kasharit, Komunën e Dajtit, si dhe në zonën pranë Liqenit Artificial. Por, specialistët theksojnë se probleme ka edhe në disa zona të tjera të kryeqyetit.
Kanalizimet
Burime nga Drejtoria e Higjenës theksojnë se problemet me kanalizimet janë në të gjitha zonat e kryeqytetit. Deri tani, është e pamundur të ndërhyhet sepse janë ndërtimet e shumta dhe me një infrastrukturë të parregullt, gjë që bën që nuk mund të ndërhyhet në to. Sipas, këtij burimi, e vetmja gjë që mund të bëhet është që të kryhen analiza të herëpashershme nga specialistët. Në rast se analizat e ujit rezultojnë negative, atëherë specialistët do të njoftojnë menjëherë qytetarët që të mos konsumojnë ujin e ndotur të çezmave. Ndërkohë që, banorët e kryeqytetit, në çdo sezon veror marrin masa për moskonsumimin e ujit të çezmave. Ata janë të detyruar ta blejnë atë për të qenë më të sigurt.
Rezultatet
Në analizat e mëparshme që janë kryer nga Drejtoria e Higjenës për muajt e kaluar, uji ka qenë brenda normave të konsumimit. Ndërsa me rritjen e vazhdueshme të temperaturave vjen dhe shtimi mikrobik i ujit të pijshëm në këto zona. ǒka e bën atë të papërdorshëm për konsumimin e përditshëm nga qytetarët. Ndotja e ujit të pijshm është shfaqur më problematik në disa rrethe të vendit, si në Poliçan, Berat apo Tepelenë. Në qytetin e Poliçanit, u regjistruan rreth 100 persona të prekur nga një virus i shkaktuar nga papastërtitë e ujit të pijshëm. Pacientet kanë pasur probleme gastro-intestinale. Nga rezultatet e analizave të Institutit të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë rezultoi se shkak kryesor ishte ndotja e ujit të pijshëm në këtë qytet. Për këtë arsye u bë shtimi i dozave të klorit në ujë për të shmangur përhapjen e ndonjë epidemie dhe prekjen e banorëve të tjerë.

Ministria e shëndetësisë, gati projekti për Sistemin e Informacionit Shëndetësor

Ministria e Shëndetësisë ka gati projektin për informatizimin e sistemit shëndetësor në të gjithë vendin. Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, gjatë seminarit të prezantimit të projektit “Vlerësim i Sistemit të Informacionit Shëndetësor”, është shprehur se brenda vitit 2008, ky sistem do të shtrihet në 12 qarqe të vendit. Një nismë e tillë, do të bëjë të mundur shkëmbimin e informacionit për çdo sëmundje me të gjithë spitalet e vendit dhe njëkohësisht do të infromohen të gjithë pacientët me anë të broshurave të ndryshme për sëmundje të caktuara. Ndërkohë, objektivat e Ministrisë janë krijimi i një harte konkrete të SISH në vend, familjarizimi me instrumentat e HMN për vlerësimin e SISH, si dhe të bihet dakord se çfarë duhet të masë sisitemi shqiptar i informacionit shëndetësor dhe të fillojë rrahja e mendimeve për një strategji dhe plan veprimi për SISH. Përsa i përket informacionit që do të ofrohet, ai do të jetë klinik dhe jo klinik. Informacioni joklinik është informacioni që ka të bëjë me të dhënat statistikore administrative të insitucioneve dhe informacioni klinik ka lidhje me rastet klinike sëmundjet e caktuara. Si hap i parë synohet që informacioni të jetë mes institucioneve, pra për përmirësimin e punës të të gjithë insitucioneve dhe në një fazë të dytë do të përfshihen dhe insititucione të tjera të vendit. Vlera e këtij projekti për Tiranën arrin në 150 milion lekë. Ndërkohë, fizibiliteti i këtij projekti, i cili është ambicje e vitit 2008, është realizuar. Drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, sqaroi se synimi është që i gjithë sistemi i informacionit që ekziston në insititucionet shëndetësore; spitale, qendra shëndetësore, etj, duhet të integrohet. Kjo do të thotë që të dhënat duhet të shkojnë në këto insititucione në kohë reale dhe me saktësinë e duhur. Sipas tij, për këtë arsye, është marrë ky projekt si hap i parë, për videon dhe një rrjet intranet të të gjithë insititucioneve shëndetësore të Tiranës, spitalet, qendra shëndetësore, Instituti i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, Drejtoria e Shëndetit Publik, etj, që do të lidhen në një rrjet unik dhe të bëhet i mundur shkëmbimi i informacionit me forma të ndryshme.

8 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›