E Diel, 1 Nëntor 2026

Një mjek milioner bie në prangat e policisë për rryshfet

“Veshka e Humbur” e çon në burg profesorin urolog Kastriot Dautaj

Luan Kondi

Tiranë – Mori 50 mijë lekë ryshfet për operacionin që kreu ndaj një pacienti, por uniformat blu e kanë vënë në pranga. Një bluzë e bardhë e Qendrës Spitalore Universitare i cili kishte në llogarinë e tij bankare 420 mijë dollarë do të përgjigjet tashmë për veprën penale të korrupsionit. Operacioni i koduar “Veshka e humbur” i realizuar nga policia dje në mesditë i kushton jo vetëm vendin e punës, por edhe më kirurgut urolog Kastriot Dautaj, i cili mbante edhe gradën më të lartë në profesionin e tij.
Operacioni
Një telefonatë në numrin 129 do të rezultonte fatale për mjekun e njohur. Menjëherë pas saj janë vënë në lëvizje uniformat policore, të cilat në bashkëpunim me njësinë Task Force ka arrestuar në flagrancë mjekun kirurg, me akuzën për marrje ryshfeti kundrejt operacioneve që kryente. “Kastriot Dautaj 66-vjeç, që mbante gradën shkencore të Profesorit, njëkohësisht edhe pedagog i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës është arrestuar”, - thuhet në deklaratën për shtyp të zëdhënësit të Policisë së Shtetit. Duke iu referuar deklaratës prangosja e mjekut u bë në kuadrin e operacionit “Veshka e humbur”. Kastriot Dautaj 66-vjeç, kirurgu-urolog në spitalin nr. 2 pranë QSUT-së u arrestua pasi nga hetimet e bëra rezultoi se merrte para nga pacientët e tij për operacionet që kryente. Nga hetimet paraprake, të cilat kanë nisur disa muaj më parë, ka rezultuar se ky person ka arritur të përftojë shumën 50 mijë lekë për një operacion.
Provat
Dautajt i është sekuestruar shuma në para të thata prej 50 mijë lekësh, si dhe 420 mijë dollarë të depozituar në një llogari bankare me emrin e tij, të cilat dyshohen të jenë përfituar nga veprimet korruptive. Hetimi i kësaj çështje ka filluar disa muaj më parë dhe janë vërtetuar shumë raste ku kirurgu u merrte para pacientëve për çdo operacion që kryente. Shumë prej pacientëve që paraqiteshin në këtë spital, pasi kontaktonin këtë mjek, ai u sugjeronte të paraqiteshin në dy klinika private në të cilat ishte i punësuar në punë të dytë, kundrejt përfitimeve të paligjshme. Mbi mjekun me titull doktor profesor rëndon akuza për veprat penale të “korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike", "shpërdorim detyre" dhe "pastrim të produkteve të veprës penale".

Ngjarja e Golemit, prokuroria: Ishte vdekje nga pakujdesia

TIRAN - Organet e hetimit e kanë klasifikuar si aksidentale ngjarjen e ndodhur janarin e këtij viti në një restorant në Golem, kur shtetasit Tomi Rrumbullaku dhe Diana Xibrakut, vdiqën pas konsumimit të një shishe vere me përmbajtje droge të llojit kokainë. Të dhënat hetimore tregojnë se viktimat nuk kishin dijeni për përmbajtjen e shishes së verës që kishin konsumuar në restorant, bënë të ditur për gazetën “albania” burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, të cilat konfirmuan se rasti në fjalë është klasifikuar si “vdekje nga pakujdesia”. Ndërkohë, përqindja e lartë e kokainës në shishen e verës, marka e së cilës nuk bëhet e ditur për shkak të hetimit, e ka fokusuar hetimin në pistën e trafikut të narkotikeve. Grupi hetimor ka ngritur dyshime se pas kësaj ngjarjeje fshihet një rrjet i trafikut të drogës përmes mënyrave të sofistikuara (kokainë e përziere me verë). Në këto kushte, hetimi është përqendruar në zbulimin e origjinës së shishes së verës dhe mënyrës se si ishte përfituar ajo nga viktimat. Të dhënat hetimore dëshmojnë se vera ishte siguruar nga Tomi Rrumbullaku, i punësuar pranë shërbimit postar por, që mbetet për t’u hetuar mënyra se si kishte rënë në duart e tij, nga vinte dhe për ku ishte destinuar. Tomi Rrumbullaku dhe Diana Xibraku vdiqën nga toksikimi pas një dreke në një restorant në Golem janarin e 2008. Viktimat kishin konsumuar edhe një shishe vere, e cila nga ekspertiza rezultoi se kishte përqendrim të lartë lende narkotike e llojit kokainë.

Thyen me shkop bejsbolli tre automjet luksi, arrestohen të rinjtë

Tiranë – Dy të rinj të dëshpëruar kanë shfryrë inatin e tyre duke goditur me shkop bejsbolli tre makina luksi mbrëmjen e dy ditëve më parë. Burime policore thanë për gazetën “albania” se në orët e vona të mbrëmjes specialistë e seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë/Armë dhe të Shkatërrimit të Pronës, realizuan identifikimin dhe më pas kapjen e dy shtetasve, duke marrë ndaj tyre menjëherë masën e arrestit në flagrancë për konsumim të veprës penale të “Shkatërrimit të pronës” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 150 dhe 25 të Kodit Penal, më konkretisht. Sipas të njëjtave burime në prangat e uniformave blu kianë rënë Endrit Kryemadhi, 21 – vjeç dhe Elvis Gjino, 21 - vjeç, të dy banues në Tiranë. Në dosjet policore gjino rezulton i njohur pasi ai është dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”. Arrestimi i tyre u krye dy ditë më parë rreth orës 22:40, në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, pranë lokal “Kalsberg”. Ata janë kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë, duke dëmtuar me dashje me shkop bejsbolli, në bashkëpunim me njëri tjetrin, tre automjete. Nga verifikimet një prej automjeteve është tip- Volksvagen “Tuarek”, ngjyrë e zezë, me targa TR 4333 M, dy të tjerët tip - Bens, ngjyrë e zezë, me targa TR 6581 I dhe ngjyrë vishnje, me targa TR 1726 I. U kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shkopi i bejsbollit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor në ngarkim të tyre.

8 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›