E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidatët e Maturës 2008, më shumë shanse për të ndjekur studimet me kohë të pjesshme

Universitetet, si do të funksionojë sistemi part-time këtë vit

Kandidatët që nuk do mundin të fitojnë një të drejtë studimi në sistemin me kohë të plotë, këtë vit, do të kenë një shans të dytë për të vazhduar shkollën e lartë. Burime zyrtare nga Mnistria e Arsimit, bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se kandidatëve të Maturës Shtetërore 2008, do tu jepet më shumë prioritet për të ndjekur studimet me kohë të pjesshme. Ndryshe nga vitet e kaluara, ku studimet part-time frekuentoheshin më së shumti nga kandidatët që nuk kishin mundur të fitonin një të drejtë studimi, nuk donin të ndiqnin sistemin e ditës, apo donin të vazhdonin një shkollë të dytë, për vitin e ri akademik 2008-2009, përzgjedhja e studentëve për part-time, do të bazohet në rezultatet e provimeve të Maturës 2008. Por duke qenë se për vitin e ri akademik, janë miratuar më shumë kouta pranimi për çdo fakultet për studimet me kohë të plotë, pritet që për sistemin me kohë të pjesshme të mos ketë një numër të lartë kuotash pranimi. Për të evituar problemin e vitit të kaluar, ku fakultetet dorëzuan në MASH propozimet e vjetra për part-time, kjo Ministri sqaron se fakultetet duhet ti sjellin propozimet për këto studime sipas sistemit të Bolonjës. Pikërisht, përshtatja e studimeve me kohë të pjesshme me sistemin e Bolonjës, ka bërë që të ndryshojë edhe mënyra e organizmit të këtyre studimeve. Përshtatja me sistemin e Bolonjës nënkupton që edhe në sistemin part-time kreditet janë të nevojshme, ndërkohë që frekuentimi duhet të realizohet në masën 100 për qind. Gjithashtu, këtë vit në sistemim e studimeve me kohë të pjesshme, do të hiqet kufizimi për ti ndjekur orët e mësimit vetëm gjatë fundjavës si më parë, ku çdo student i këtij sistemi duhet të ndiqte orët e mësimit çdo të shtunë dhe të dielë. Sipas MASH-it, këto çështje teknike për mënyrën se si do të ndiqen studimet duhet ti përcaktojnë vetë fakultetet. Do të jenë pikërisht këta të fundit ata që do të përcaktojnë një grafik të qartë me lëndët që mund të ndiqen në ditët përkatëse të javës. Në nëntor të vitit 2007, Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës (KALSH), i sugjeroi të gjitha fakultetet që të riprogramohen studimet part-time. Për këtë, KALSH-i mori në shqyrtim kërkesat e ardhura nga Institucionet publike të Arsimit të Lartë për formën e studimit part-time. Sipas KALSH-it, nga këto instiutucine nuk kishte asnjë shpjegim për shkallën e zhvillimit të këtij sistemi, gjë që do të shërbente për një gjykim më të mirë për këtë formë studimi, duke ditur që part-time ka problemin që përmban 70 për qind të programit të studimit të atij me kohë të plotë në auditore, por që realisht nuk zhvillohet kështu. Dhe dihet se në përfundim të dyja këto forma studimi kanë diploma të barazvlefshme. Po sipas KALSH-it, kjo formë studimi është problematike dhe ka vlera buxhetore për Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) dhe zhvillohet me një parregullsi të dukshme. Pas dorëzimit në MASH, programet dhe koutat do të rishqyrtohen nga specialistët e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe më pas do të dërgohen për tu miratuar në Këshillin e Ministrave. MASH-i sqaron se nëse do të ketë ndonjë fakultet që do të dorëzojë kuotat e vjetra, këto kuota nuk do të miratohen, pasi nuk përputhen me sistemin e Bolonjës.

8 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›