E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbeten në burg shqiptaro-amerikanët e heroinës

MASA E SIGURISË

TIRANË- Dy shtetasit shqiptaro-amerikanë të arrestuar tre ditë më parë nga forcat e policisë së Shtetit, si të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge, do të mbahen të izoluar në paraburgimin “Jordan Misja”, deri në përfundim të hetimit të hapur ndaj tyre nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, me kërkesë të organit të akuzës i caktoi mëngjesin e djeshëm masat e sigurisë “arrest me burg” për dy shtetasit: Francesk Shkëmbi, 27 vjeç, lindur në Shkodër e banues në Amerikë dhe Arif Kurti, 38 vjeç, lindur ne Bronks, New York, SHBA dhe banues në Gjakovë, të dy me kombësi shqiptare dhe shtetësi amerikane. Sipas akuzës, të lartpërmendurit u arrestuan në vijim të operacionit të koduar “Tifozët”, ku më 6 shtator, forcat e Policisë së shtetit arrestuan tre shtetasit maqedonas me 4.2 kilogramheroinë e cila vinte nga shteti fqinj. Sipas prokurorisë mësohet se me ndalimin e pesë personave është goditur një grup kriminal që merrej me trafikimin e heroinës nga Maqedonia për në Shqipëri dhe më pas në vendet e Evropës Perëndimore, nëpërmjet portit të Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›