E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbeten në qeli 5 të ndaluarit për tragjedinë, dëshmon kryebashkiaku Bine



GJIROKASTËR – Nisin hetimet e para për tragjedinë e ndodhur disa ditë më parë në Gjirokastër, ku gjykata ka lënë në qeli 5 nga 9 personat e akuzuar për ngjarjen, ndërkohë që Prokuroria e rrethit ka marrë në pyetje kryebashkiakun Flamur Bine. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se trupi gjykues dha vendimin “burg pa afat” për pesë të akuzuarit e parë dhe për shkak të kohëzgjatjes së seancave, për katër të tjerët masa e sigurisë pritet të jepet sot. Ata kanë dalë në sallën e gjyqit njëri pas tjetrit. Të gjithë personat e ndaluar akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të rregullave në punë”. Burimet në organin e akuzës pohojnë se gjatë dëshmisë së dhënë për këtë çështje, kryetari i Bashkisë, Flamur Bine, ka deklaruar se ka zbatuar ligjin, duke firmosur të gjitha procedurat ligjore që i kanë sjellë vartësit dhe institucionet e tjera.
Vendimi
Gjykata e Gjirokastrës dha dje masën e arrestit “burg pa afat” për Gjergji Meçen, i cili ka mbajtur detyrën e përgjegjësit teknik të firmës së ndërtimit "Arti sh.p.k". Ai akuzohet për veprën penale të “shkeljes së rregullave të sigurimit teknik në punë”. Meçe akuzohet si një ndër përgjegjësit kryesorë për shembjen e pallatit ditën e diel, ku humbën jetën tre qytetarë, ndërsa disa të tjerë u plagosën. Gjithashtu në qeli janë lënë dhe katër persona të tjerë të arrestuar në lidhje me këtë tragjedi. Sipas tyre, trupi gjykues dha masën e sigurisë “burg pa afat” edhe për shtetasit: Luan Bufi, inxhinier ndërtimi i kësaj shoqërie, Afërdita Papamihali, sekretare e Këshillit të Rregullimit të Territorit (KRRT) pranë Bashkisë së Gjirokastrës, Alfred Mamani, shef i urbanistikës në Bashkinë e qytetit, si dhe Sotiraq Janora, president dhe drejtues teknik i shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k., do të vazhdojnë të qëndrojnë në burg deri ditën e gjykimit. Për shkak të ngarkesës së madhe, trupi gjykues vendosi që të vazhdojë procesin edhe gjatë ditës së sotme, ku pritet të jepet vendimi për Jani Ndriçon, 45 vjeç, lindur e banues në fshatin Derviçan, ekskavatorist në firmën “Arti sh.p.k.”, inxhinierin gjeolog, Thanas Llahanën, Njazi Çobanin, lindur dhe banues në Gjirokastër, me profesion arkitekt i shoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k.” dhe Admir Shehaj, 30 vjeç, me detyrë përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit në Bashkinë Gjirokastër. Burime zyrtare nga Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër pohuan se gjatë ditës së sotme, të ndaluarit e mësipërm do të dërgohen në Burgun e Bënçës, rreth 5 kilometra larg Tepelenës.
Dëshmia
Një ditë pas refuzimit për të dhënë dorëheqjen nga posti, kryetari i Bashkisë, Flamur Bine, është paraqitur në organin e prokurorisë për të dëshmuar në lidhje me ngjarjen e ndodhur 4 ditë më parë. Sipas të dhënave, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Rregullimit të Territorit të qytetit, Bine ka qëndruar në mjediset e brendshme të prokurorisë për më shumë se 90 minuta, ku ka dhënë dëshminë e tij në lidhje me lejen e ndërtimit të dhënë për firmën “Arti sh.p.k.”, që do të ndërtonte një pallat.
Burimet konfirmojnë se në prokurori Bine ka mbrojtur veten duke thënë se ka dhënë një vendim të ligjshëm për ngritjen e këtij pallati. Pra, dosja e paraqitur nga firma ndërtuese ka qenë e rregullt. Bëhet fjalë për godinën pesëkatëshe që u ngrit me lejen e KRRT-së së Gjirokastrës. Ai është pyetur për gjithë dokumentet që ai ka firmosur për ngritjen e këtij objekti në lagjen “11 Janari”. “U thirra në cilësinë e dëshmitarit dhe do të jem i hapur të bashkëpunoj për zbardhjen e ngjarjes. Unë do të vij në prokurori sa herë të më thërrasin”, - tha Bine dje, sapo kishte dalë nga mjediset e prokurorisë. Dy ditë më parë, gjatë një konference për shtyp, Bine tha se ngjarja që ndodhi duhet të jetë një leksion për të gjithë. Por ai tha se nuk kishte asnjë përgjegjësi për këtë ngjarje dhe se nuk do të jepte dorëheqjen. Burime nga institucioni i akuzës në qytetin e Gjirokastrës thanë se do të merren në pyetje të gjithë anëtarët e Këshillit të Rregullimit të Territorit të këtij qyteti, në lidhje me lejen e ndërtimit që më pas solli dhe tragjedinë e rëndë.

DEKLARATA - Anëtari i KRRT-së:
“Projekti u miratua në Tiranë, devijimet u bënë në terren”

Anëtari i këshillit teknik të KRRT-së, Aleksandër Pesha, ka deklaruar dje se firma ndërtuese ka bërë devijime nga projekti që kishte paraqitur për miratim më KRRT-në e Gjirokastrës. Pesha është anëtar i këshillit teknik në Bashkinë e Gjirokastrës dhe mohon të ketë pasur probleme me projektin e paraqitur nga firma “Arti” që ndërtoi pallatin e tragjedisë. Sipas tij, projekti ka qenë i rregullt në momentin që është paraqitur për miratim në Këshill, ndaj edhe ka marrë lejen e ndërtimit. Madje ky projekt është miratuar edhe nga grupi i oponencës teknike në Tiranë. “Të gjitha projektet që kapin vlerën e 100 milionë lekëve ne i dërgojmë për miratim në grupin e oponencës teknike pranë KRRTRSH-së në Tiranë. Atje është miratuar edhe dosja për lejen e ndërtimit të pallatit pesëkatësh në lagjen ‘11 Janari’”, - tha Pesha. Sipas tij, gjithë problemi qëndron në faktin se gjatë zbatimit në terren, projekti është devijuar. “Defekti i parë që është konstatuar është mënyra e vendosjes së pilotave si dhe thellësia e gërmimeve”, - u shpreh anëtari i KRRT-së së Gjirokastrës.

Tre të vdekur dhe 3 të plagosur nga shembja e ndërtesës

Ditën e diel është shembur një ndërtesë pesëkatëshe, duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e disa të tjerëve. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:40 në pallatin pranë të cilit po kryheshin punime nga një firmë ndërtimi. Një ditë më vonë ekipet e shpëtimit bënë të mundur nxjerrjen nga gërmadhat të trupave të shtetasve Valbona Dalanit, 38 vjeçe, vajzës së saj, Anxhela Dalani, 12 vjeçe, si dhe të Parashqevi Zotos, 63 vjeçe, e cila ishte e paralizuar dhe nuk ka mundur të lëvizë në momentin që ndodhi shembja e godinës. Rrëzimi i ndërtesës la në qiell të hapur disa familje. Dyshohet se ka dalë jashtë përdorimit edhe ndërtesa ngjitur në të cilën banojnë mbi 20 familje të tjera. Ditën e djeshme ka përfunduar puna për shembjen e plotë të ndërtesës, proces ky i realizuar nën mbikëqyrjen e Prefekturës së Gjirokastrës.

PERSONAT NË HETIM

Alfred Mamani, 49 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër, me detyrë shef i urbanistikës në Bashkinë e qytetit. Akuzohet për “shpërdorim detyre”

Admir Shehaj, 30 vjeç, lindur në Dibër e banues në Gjirokastër, me detyrë përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit. Akuzohet për “shpërdorim detyre”

Afërdita Papamihali, 56 vjeçe, lindur dhe banuese në Gjirokastër, me detyrë sekretare e KRRT-së pranë Bashkisë së Gjirokastrës. Akuzohet për “shpërdorim detyre”

Jani Ndriço, 45 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Derviçan, ekskavatorist në firmën “Arti sh.p.k.”. Ai akuzohet për veprën penale të “shkeljes së rregullave në punë”

Thanas Llahana, 58 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër, me profesion inxhinieri gjeolog. Ai akuzohet për veprën penale të “shkeljes së rregullave në punë”

Njazi Çobani, 45 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër, me profesion i arkitekt i shoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k.”, akuzohet për “shkelje të rregullave në punë”

Luan Bufi, 58 vjeç, lindur në Delvinë dhe banues në Gjirokastër, me profesion inxhinier ndërtimi i “Arti sh.p.k.”. Akuzohet për “shkelje të rregullave në punë”

Sotiraq Janora, 43 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër, me kombësi greke, president dhe drejtues teknik i “Arti” sh.p.k.”. Akuzohet për “shkelje të rregullave në punë”

Gjergji Meçe, 42 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër, me profesion inxhinier zbatues pranë “Arti sh.p.k.”. Akuzohet për “Shkelje të rregullave në punë”

Aristotel Haxhi, bashkëpronar i shoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k.”. Është shpallur në kërkim dhe Policia e Qarkut të Gjirokastrës po punon për kapjen e tij

13 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›