Studentët e Juridikut në protestë për godinën e fakultetit
TIRANË - Studentët e Juridikut në Tiranë kanë protestuar dje në ambientet e këtij fakulteti për godinën ku ata kryejnë mësimin, që rrezikon të shembet. Shkak për ndërmarrjen e këtij veprimi nga ana e studentëve është bërë shembja e pallatit në qytetin e Gjirokastrës. Të frikësuar nga rreziku i shembjes së godinës së Fakultetit studentët kanë kërkuar nga institucionet përgjegjëse marrjen e masave të nevojshme. Të njohur me këtë problem drejtuesit e këtij fakulteti shprehen se pritet ngritja e një grupi hetimor, i cili pas verifikimeve në terren do të përcaktojë masat që duhet të merren. Mësohet se studentët që zhvillojnë mësimin në Fakultetin Juridik i kanë bërë një kërkesë-padi Prokurorisë së Tiranës për verifikimin e këtij problemi.
Berisha: “Platformë të re për mbrojtjen nga rreziqet”
TIRANË - Kryeministri Berisha ka reaguar menjëherë pas tragjedisë së ndodhur në Gjirokastër, ku ka deklaruar se qeveria po bën përpjekje të mëdha për një qëndrim të ri dhe për një platformë të re, e cila mbron qytetarët prej rreziqeve në tërësi. Gjatë përurimit të rikonstruksionit të shërbimit zjarrfikës në Portin e Durrësit dy ditë më parë ai u shpreh se Shqipëria ka nevojë urgjente për qëndrim të ri ndaj rreziqeve. Ai i ka ftuar publikisht qytetarët që të denoncojnë rastet e abuzimeve me ndërtimet apo objektet e tjera që paraqesin rrezikshmëri për jetën e komunitetit. Kryeministri Berisha ishte në qytetin e Gjirokastrës ditën që ndodhi shembja e ndërtesës. Po ashtu, në vendngjarje shkoi edhe kreu i shtetit Bamir Topi, i cili kërkoi që drejtësia të ndëshkojë shkaktarët e kësaj ngjarje.
13 Nentor 2008