Mbeten pa rroga rreth 140 mësues zëvendësues
Rreth 140 mësues me kontratë nuk janë paguar që nga muaji shtator i këtij viti. Ata ligjërisht figurojnë të punësuar në arsimin publik të Fierit, por prej më shumë se dy muajsh nuk kanë mundur të marrin pagën. Bëhet fjalë për mësuesit zëvendësues të shkollave publike të Rrethit të Fierit. Kontrata mes 140 mësuesve dhe Drejtorisë Rajonale Arsimore të Fierit është lidhur ditët e fundit të muajit gusht, kur të gjitha shkollat publike të Rrethit të Fierit u kompletuan me staf pedagogjik. Duke qenë se disa orë mbetën pa u plotësuar me mësues, DRA-ja përzgjodhi mes listës së gjatë të punëkërkuesve kandidatët që plotësonin kriteret. Kështu, 140 mësues kanë nënshkruar kontratën në fjalë dhe mësohet se ata punojnë jo vetëm në arsimin 9-vjeçar, por edhe në atë të mesëm. Shumica e mësuesve me kontratë punojnë në shkollat e qytetit të Fierit dhe vetëm një pjesë e vogël janë emëruar në shkollat e fshatit. Sipas këtyre mësuesve, ata nuk janë paguar që nga fillimi i vitit arsimor 2009-2010. Ata janë paraqitur pranë bankave ku marrin pagën kolegët e tyre, por janë informuar se zyra e financës së drejtorisë arsimore nuk i ka përcjellë emrat e tyre drejt arkave të pagesës. Kështu, mësuesit janë detyruar që të kërkojnë informacion pranë zyrës së Financës së Drejtorisë Rajonale Arsimore. Por edhe prej saj, mësuesit e papaguar mësohet se nuk kanë marrë përgjigje të saktë.
Drejtoresha e arsimit në Fier, Suzana Numani, thotë se është angazhuar për ta zgjidhur problemin. Sipas saj, ngërçi është krijuar mes Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Arsimit.
M.Troka
Drejtoresha e arsimit në Fier, Suzana Numani, thotë se është angazhuar për ta zgjidhur problemin. Sipas saj, ngërçi është krijuar mes Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Arsimit.
M.Troka