E Shtunë, 31 Tetor 2026

Media në përballje me "Shtëpinë e Bardhë"

Stacioni i fuqishëm CNN ka pësuar rënie drastike të shikuesve - Çfarë po ndodh pas 20 vjet dominimi nga CNN të stacioneve kabllore të lajmeve?
Në mars të këtij viti, kompania e njohur e sondazheve, "Gallup", habiti shumë vetë kur njoftoi se do të ndërpriste bashkëpunimin shumëvjeçar me CNN për të ndërmarrë sondazhe të përbashkëta për shkak të rënies drastike të numrit të shikuesve. CNN arriti të kishte një numër rekord shikuesish ditën e inaugurimit të Barack Obamës, por pas kësaj dite, filloi rënia e shikuesve dhe CNN nuk po e merr dot veten.
Sipas të dhënave mujore më të fundit të "Nielsen Media Research", që mat numrin e dëgjuesve dhe shikuesve në të gjitha mjetet mediatike në Amerikë, rrjeti televiziv CNN ka rënë në vendin e katërt, kurse televizioni FOXNEWS, pronë e manjatit të shtypit, Rupert Murdok, ka arritur kohët e fundit një numër rekord shikuesish, mesatarisht 2,5 milionë në çdo orë transmetimi (shifër shumë e lartë për televizionet kabllore), kurse emisionet në orët kryesore të darkës shkojnë deri në 5 milionë shikues. Habi në këto të dhëna bën CNN, i cili ka një rënie të vazhdueshme, edhe në emisionet shumë të njohura siç është "Larry King", që vazhdon të humbë shikues. Nga të tre rrjetet kryesore kabllore të lajmeve, FOXNEWS për tre tremujorë rresht, sipas "Nielsen", ka numrin më të lartë të shikuesve, me përjashtim të tremujorit të katërt të 2008-ës (mbulimi i zgjedhjeve presidenciale). Krahasuar me një vit më parë FOXNEWS ka një rritje 30 për qind të shikuesve, kurse CNN ka një rënie prej 20 përqindësh.
Përse ka ndodhur një gjë e tillë?
Drejtuesit e CNN thonë që janë të kënaqur me nivelin e shikuesve dhe refuzojnë të pranojnë që ka rënie. Por është fakt se stacioni CNN, nismëtar i një rrjeti televiziv kabllor lajmesh, sot ka rënë në vendin e katërt. Sipas një njoftimi të agjencisë së lajmeve AP, kjo ndodh sepse CNN akoma vazhdon dhe përpiqet që të jetë një rrjet televiziv neutral politik, kurse stacionet e tjera janë kthyer më shumë në emisione të shkëmbimit të mendimeve dhe komenteve, por sipas disa analistëve kjo ka një shpjegim tjetër. Gjatë fushatës së fundit zgjedhore, në kundërshtim me të gjitha zgjedhjet e mëparshme, CNN mbajti një qëndrim të hapur drejt Barack Obamës, jo vetëm në luftën e tij me kandidatin republikan, por edhe me Hillary Klinton. Pra doli gati hapur në mbrojtje të tij dhe bëri një fushatë deri diku denigruese kundër republikanëve dhe sidomos ndaj kandidates për zv/presidente të ekipit republikan, Sarah Palin, e cila sot është kthyer në një nga figurat më në zë të lëvizjes konservatore në Amerikë, dhe që e ka mënjanuar plotësisht median televizive dhe vepron vetëm nëpërmjet "Facebook"-ut dhe "Twitter". Një anim i tillë bëri që CNN të humbte shikuesit e pavarur dhe republikanë të moderuar, në një kohë kur liberalët dhe demokratët i ishin kthyer MSNBC, një stacion tjetër i fuqishëm kabllor, që ka dalë hapur në krah të Obamës dhe administratës së tij, për shkak të lidhjeve shumë të ngushta të Presidentit Obama me presidentin e kompanisë, J. Imelt, që është në të njëjtën kohë dhe drejtues i GE dhe që ka investuar shumë në politikat e administratës aktuale, natyrisht në shpresë të përfitimeve të kontratave madhore federale për energjinë alternative dhe të gjelbër.
Shtëpia e Bardhë kundër FOXNEWS
Por analistë të pavarur të medias mendojnë se ky ndryshim në shikues ka ardhur edhe për shkak të luftës së Shtëpisë së Bardhë kundër FOXNEWS, që është zëri më kritik konservator ndaj administratës së tanishme. Shtëpia e Bardhë dhe vetë Presidenti Obama filluan një luftë graduale kundër personaliteteve konservatore kritike në fushën e radios dhe medias, në fillim të këtij viti, derisa ndërmorën sulmin e hapur frontal në disa televizione amerikane nacionale dy javë më parë kundër radiove konservatore dhe stacionit FOXNEWS.
Obama vetë personalisht është përfshirë në këtë luftë me FOX-in. Në një intervistë televizive gjatë verës, ai deklaroi: "Një stacion televiziv është plotësisht i përkushtuar në sulme kundër administratës sime". Por këto kritika, me përjashtim të vetë FOX-it, nuk patën jehonë të madhe në mediat e tjera. Por kur një këshilltar i Presidentit dy javë më parë e quajti FOX-in një stacion të paligjshëm dhe iu bëri thirrje stacioneve të tjera që të bashkohen me bojkotin e Shtëpisë së Bardhë kundër FOX-it, një qëndrim i tillë pati reagim të menjëhershëm në të gjitha stacionet kryesore televizive në Amerikë.
Konservatorët e quajtën këtë një sulm të paprecedent kundër fjalës së lirë dhe e krahasuan me qëndrimin e Niksonit ndaj gazetës "New York Times", po ashtu gazetarë të njohur në CNN, ABC, dhe deri diku CBS, të ofenduar nga fakti që Shtëpia e Bardhë i konsideronte ata si kukulla të saj, dolën në mbrojtje të FOXNEWS derisa kundërshtuan hapur një vendim të administratës për të përjashtuar korrespondentin e FOXNEWS nga një numër takimesh dhe duke kërcënuar me një bojkot të plotë ndaj Shtëpisë së Bardhë. Fushata zyrtare e kritikave kundër FOXNEWS vazhdoi në disa programe analitike, duke arritur deri atje sa ta quajnë këtë kanal televiziv "krahu i Partisë Republikane" dhe shumë vëzhgues vunë në pikëpyetje urtësinë e Shtëpisë së Bardhë, që i hap luftë një organi të fuqishëm të lajmeve. "Unë mendoj se është e drejtë të them, të paktën si e shikojmë ne FOXNEWS-in, se është më shumë një degë e Partisë Republikane", deklaroi Anita Dun, drejtoreshë e komunikimeve e Shtëpisë së Bardhë gjatë një interviste në CNN. Shtëpia e Bardhë ka përdorur blogun e saj qeveritar për të ndërmarrë sulme të drejtpërdrejta kundër FOXNEWS, nën titullin "Gënjeshtrat e FOX".
David Gergen, që ka punuar për Presidentin Klinton dhe sot është analist shtypi në disa stacione televizive, mendon se Shtëpia e Bardhë po e humb "toruan" dhe i ka hyrë një drejtimi shumë të gabuar në këtë luftë me një organizatë të fuqishme televizive. "Kjo është një strategji shumë e rrezikshme, është një strategji ndaj së cilës unë jam plotësisht kundër", theksoi ai gjatë një komenti në CNN. "Në rast se do të hysh në luftë personale kundër medias, do të shikosh se këto armiqësi do të thellohen dhe do shtosh numrin e shikuesve e lexuesve ndaj organizatave që sulmon", përfundon Gregen. Por ai shton se "s‘duhet të harrojmë që shtypi gjithmonë ka shishen e fundit të bojës".
Por a është vërtet FOXNEWS një stacion anti-Obama, apo një stacion televiziv që thotë të vërtetën dhe që nuk ka pranuar të jetë në "muaj mjalti" me Obamën, siç janë stacionet e tjera televizive? Sipas një studimi të qendrës studimore nga "Pew Research Center", FOXNEWS ka transmetuar 40 për qind komente negative për Obamën dhe po kaq edhe për MekKain gjatë muajve të fundit të fushatës së vitit të kaluar. Kurse CNN po në të njëjtën periudhë kohe ka pasur një diferencë prej 22 pikësh në përqindjen midis programeve negative për Obamën (39 për qind), ndërsa për MekKain (61 për qind). Ky hendek është akoma dhe më i madh te stacioni MSNBC, që sipas "Pew" ka pasur vetëm 14 për qind programe negative për Obamën dhe 73 për qind negative për MekKain, pra një diferencë prej 59 pikësh.
Megjithëse këto janë të dhëna shkencore të një qendre studimore të pavarur, Obama vazhdon të refuzojë të japë intervista për FOXNEWS. Analisti i njohur, Kris Uallace, i quajti zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë "një tufë bebesh që dinë vetëm të qajnë dhe që nuk kam hasur të tillë në 30 vitet e mia që mbuloj Uashingtonin".
"Në vend që të drejtojë dhe udhëheqë, Shtëpia e Bardhë vazhdon të punojë sikur është akoma në fushatë dhe FOXNEWS është objekti i mentalitetit të tyre të sulmit", tha ai. Një analist tjetër i njohur deklaroi në CNN: "Kjo ul prestigjin e të qenit President".
Në këtë luftë, Shtëpi e Bardhë-FOXNEWS, i fituar ka dalë televizioni FOXNEWS, i cili nën logon "Të paanshëm dhe të ekuilibruar" po rrit numrin e shikuesve dhe është bërë televizioni më i besueshëm në të gjithë Amerikën, duke pasur një larmi të gjerë shikuesish, 30 për qind e të cilëve janë demokratë. Komentatorë të këtij stacioni, si Glen Beck dhe Bill O‘Reilly, kanë zbuluar me fakte filmike dhe dokumente autentike disa qëndrime radikale të disa prej këshilltarëve të Obamës dhe si pasojë tre prej tyre janë detyruar të japin dorëheqjen nga postet e tyre. Po kështu është pikërisht FOXNEWS që me disa video investigative demaskoi disa veprime kriminale të organizatës ACORN, një përkrahëse e fortë e Obamës dhe që është në hetim nga FBI-ja në shumë shtete, e akuzuar për mashtrim me listat e zgjedhjeve në zgjedhjet e fundit të 2008-ës.
A do të vazhdojë kjo luftë me median? Asnjë nuk mund t‘i përgjigjet, por kohët e fundit vihen re ndryshime të dukshme në qëndrimet e analistëve politikë të CNN dhe ABC, të cilët po mbajnë një qëndrim gjithmonë e më kritik ndaj administratës.
Por a ndikon në këtë rënie të shikuesve edhe interneti e sitet e njohura si "Facebook" dhe "Twitter", ku e kalojnë shumicën e kohës të rinjtë e sotëm? Mundet. Shumë blogë të fuqishëm, si Politico.com dhe ArianaHufftong.com, janë sot burime të lajmeve dhe reporterë të tyre janë të pranishëm në konferencat e shtypit të Shtëpisë së Bardhë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›