E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbetësit në Mjekësi, ja kriteret e vjeshtës së vogël

Nga Esmeralda Keta
Studentët e Mjekësisë kanë më tepër shance për të kaluar nga një vit në tjetrin. Kjo falë edhe vjeshtës së vogël, në të cilën do të mund të futen në riprovim të gjithë, nga 15 deri më 30 nëntor. 

TIRANE- Kufizimet ndryshojnë nga njëri vit në tjetrin, por duket se u krijojnë hapsira të mjaftueshme studentëve për të mos humbur një vit akademik. Kështu ata mund ta ndjekin vitin e gjashtë edhe nëse kanë 9 provime të mbartura.
Vjeshta e Vogël
Të gjithë studentët e Mjekësisë që kanë provime të mbartura do të kenë mundësi që të shlyejnë një pjesë të tyre në vjeshtën e vogël. Dekanati i këtij fakulteti, ka përcaktuar si sezon të tretë për të gjithë studentët e këtij fakulteti, periudhën nga 15-30 nëntor. Ndërkohë që studentët duhet që të regjistrohen më parë në sekretaritë përkatëse për provimet që do të japin. Kështu, për të gjithë ata studentë që kanë përfunduar vitin e parë, duhet që të kenë marrë së paku 30 kredite, në mënyrë që të futen në vjeshtën e vogël. E thënë ndryshe, gjysmat e lëndëve që bëhen në vit të parë, pasi një vit akademik ka 60 kredite. Studentët që kanë përfunduar vitin e dytë dhe duan të hidhen në të tretin, për t'u futur në vjeshtën e vogël, nuk duhet të kenë më shumë se sa 7 provime të mbartura, ndërsa ata që duan të hidhen nga viti i tretë në të katërtin dhe nga i katërti në të pestën, nuk duhet të kenë më shumë se sa 8 provime të mbartura. Ndërsa për të vazhduar vitin e fundit të studimeve, atë të gjashtin, kandidatët nuk duhet të kenë më shumë se sa 9 provime të mbartura nga vitet e mëparshme. Udhëzimi i dekanatit të këtij fakulteti detajon se studentët duhet të zgjedhin datat dhe lëndët që do të japin provim, dhe duhet që së paku të marrin gjysmat e tyre, në mënyrë që të kenë të drejtën të vazhdojnë vitin e ardhshëm akademik. Po sipas këtij udhëzimi, për të mos krijuar deficite në lëndët e vitit akademik, studentët janë të detyruar të ndjekin leksionit, deri në vjeshtën e vogël. Pas përfundimit të vjeshtës së vogël, dekanati do të shpallë të gjithë emrat e studentëve që janë vlerësuar pozitivisht dhe kanë të drejtë të ndjekin vitin pasardhës akademik.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›