E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria kërkon heqjen e imunitetit të Harasanit

Prokuroria e Përgjithshme i ka paraqitur zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë, kërkesën e saj për autorizimin të ndjekjes penale ndaj deputetit të PS-së, Andis Harasani.

Kërkesa vjen pas një konflikti të ndodhur dy muaj më parë, më 11 shtator, mes deputetit socialist dhe oficerëve të Gardës, për dy kalli misri pa kokrra.

Oficerët e Gardës kanë depozituar në prokurori një kallëzim penal, me pretendimin se janë goditur nga deputeti socialist, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, pasi nuk e kanë lejuar deputetin të fusë në sallën e Kuvendit sende që nuk i lejon rregullorja, konkretisht disa kallinj misri pa kokrra.

Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme është bërë e ditur në sallën e Kuvendit nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në mbyllje të seancës parlamentare.

 Në zbatim të rregullores së Kuvendit, Kryetarja Topalli është e detyruar të mbledhë Këshillin e Imuniteteve dhe Rregullores për të shqyrtuar kërkesën e depozituar nga organi i akuzës. Në bazë të rregullores, këshilli vendos për heqjen ose jo të imunitetit të Harasanit për t’i hapur kështu rrugë hetimit nga organi i akuzës.

Vetë deputetit Harasani, pas bërjes publike të këtij njoftimi, është shprehur se akuzat e ngritura ndaj tij, nuk janë gjë tjetër veçse akuza qesharake të formuluara nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Nuk është hera e parë që Kuvendi vihet para presionit të organit të akuzës për të vendosur heqjen e imunitetit të deputetëve me qëllim hapjen rrugë të hetimit të tyre. Gati një vit më parë heqja e imunitetit është kërkuar për ministrat Basha dhe ish-ministrin Mediu, të cilët janë nën hetim për korrupsionin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›