E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshon procedura e taksës mbi pronësinë

Procedura e kalimit të pronësisë dhe mënyra e aplikimit të taksës 10 për qind do të ndryshojë, pasi janë vërejtur një sërë mangësish gjatë zbatimit të saj këtë vit.

Udhëzimi i miratuar në shkurt të 2008-ës, me firmën e ministrave të Drejtësisë dhe Financave, nuk sqaronte një sërë çështjesh të ndryshme në lidhje me kalimin e pronësisë, si tokë, ndërtesë apo banesa.

Fakti i ndryshimit të procedurës është konfirmuar për “Shqip” nga zv/ministri i Financave dhe kreu i Hipotekave. Lajmi i ndryshimit të procedurës lidhet me aplikimin e taksës 10 për qind, e cila do të qëndrojë e njëjtë, edhe pse një pjesë e
komunitetit është shprehur kundër kësaj.

Ministria e Financave i ka propozuar Ministrisë së Drejtësisë heqjen e aplikimit të kësaj takse në rastet kur prona është
e dhuruar ose në rastet kur ajo do të shkëmbehet me një pronë tjetër.

Në momentin e shitjes së kësaj prone, do të aplikohet një formulë e re, e cila pritet të bëhet publike së shpejti, pasi grupi i punës, i përbërë nga të dyja ministritë, të ketë rënë dakord për masën e saj.

Megjithatë, zv/ministri i Financave, Mima, sqaron se barra fiskale në të tilla raste do të jetë më e ulët.

Pra, një individ që kërkon të shesë një pronë të dhuruar më parë, nuk do të paguajë taksën 10 për qind, e cila aplikohet mbi diferencën e krijuar mes çmimit të blerjes dhe çmimit të shitjes.

Norma e taksës do të jetë më e ulët, duke iu referuar një çmimi që do të përcaktohet nga zyrat rajonale të regjistrimit të
pronës. Paqartësi ka pasur edhe në rastet kur prona shkëmbehet me një pronë tjetër, ndërsa çmimet e blerjes së tyre janë të ndryshme.

Drejtori i Përgjithshëm i Regjistrimit të Pronave, Arben Qirjako,thotë se taksa 10 për qind do të mbetet e pandryshuar, por do të aplikohen të tjera rregulla për rastet ku udhëzimi aktual nuk i parashikonte.

“Ndryshimi i procedurave për kalimin e pronësisë nuk bëhet për efekt të taksës së sheshtë 10 për qind, pasi ajo është e vendosur me ligj. Ai që po ndryshon është udhëzimi i shkurtit 2008, në të cilin nuk sqarohen shumë raste të kalimit të pronësisë, si shkëmbim prone apo shitje të saj kur nuk dihet çmimi i blerjes, pasi mund të jetë e dhuruar”, sqaron Qirjako.

Prej kohësh Ministria e Financave kishte marrë në konsideratë sugjerimet e grupeve të interesit, por edhe të zyrave të regjistrimit të pasurisë, nga të cilët u mësua fakti se udhëzimi nuk po zbatohet si duhet.

Për këtë qëllim, ministria ka përgatitur një tjetër udhëzim, i cili pret dhe konfirmimin e Ministrisë së Drejtësisë, autoritet përgjegjës për hipotekat.

Mësohet gjithashtu që drafti është miratuar në parim nga grupi i punës dhe se pritet sqarimi i disa detajeve të vogla.

Zbatimi i udhëzimit të ri mund të nisë në janar 2009, por ndoshta dhe më shpejt, pasi situata me regjistrimin e këtyre pronave është bërë shumë e rëndë.

Për sa i takon taksës 10 për qind, ka pasur probleme në pagimin e saj, për vetë faktin se konsiderohet një normë tepër e
lartë për personat fizikë dhe juridikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›