Firmosi impotencën e David Braun, në prokurori amerikani
TIRANE-Shefi i klinikës "ABC", Guy Eshelman që firmosi për impotencën e David Braun, britanikut të akuzuar për pedofili dhe fshehu abuzimet seksuale që kryheshin ndaj të miturve, ka mbërritur dje në Prokurorinë e Tiranës. Burime pranë këtij institucioni thanë se mjekut amerikan i është komunikuar akuza e "moskallëzimit të krimit". Nga hetimet disamujore, prokuroria ka arritur në konkluzionin se Eshelman ka pasur dijeni për abuzimet seksuale që kryheshin me fëmijët e strehuar në qendrën "Fëmijët e tij", që administrohej nga britaniku Braun dhe një fakt të tillë nuk e ka denoncuar pranë autoriteteve. Për fshehjen e abuzimeve seksuale, Eshelman, duhet të mbajë përgjegjësi dhe të japë llogari para organeve të drejtësisë. Prokuroria ka mbyllur tashmë hetimet dhe do ta dorëzojë dosjen në gjykatë.
Mjeku amerikan
Rreth orës 11.15 minuta të paradites së djeshme, shefi i klinikës "ABC", Guy Eshelman ka ngjitur shkallët e Prokurorisë së Tiranës. Ai ishte thirrur nga prokurori i çështjes për t'i komunikuar akuzën e moskallëzimit të krimit. Një fakt të tillë e pohuan dhe zyrtarë të këtij institucioni, të cilat thanë se Eshelman është njohur me akuzën e ngritur ndaj tij dhe së shpejti do të ulet në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Tiranës. Dosja penale në ngarkim të tij do të dorëzohen në gjykatë brenda pak ditësh. Klinika "ABC" që ka ekzaminuar David Braun, administratorin e qendrës "Fëmijët e tij", i cili akuzohet për abuzime seksuale me të mitur dhe e ka nxjerrë impotent, ka nisur veprimtarinë e saj në Shqipëri në vitin 1994. Hetimet kanë zbuluar faktin se Eshelman kishte dijeni për abuzimet, por e ka fshehur krimin. Madje dhe vetë mjeku amerikan ka pohuar në gjykatë, se "nuk ka denoncuar për faktin se nuk kishte besim te autoritetet shqiptare". Por ky "gabim" duket se do t'i kushtojë jo pak, pasi tashmë duhet të përgjigjet para organeve të drejtësisë.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)