E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbetet e tensionuar situara në veri të Kosovës

Serbët e Veriut kanë hequr pikat statike të Policisë së Kosovës që u vendosën me urdhër të ministrit të brendshëm Bajram Rexhepit. Kjo u bë një ditë pas vrasjes me eksploziv të Selver Haradinajt në lagjen Tre Rrokaqiejt në veri të Mitrovicës. Për këtë akt të cilin organet hetimore e kanë vlerësuar si akt terrorist, ende nuk ka asnjë të dyshuar.
 

Ndërkohë, mediat kosovare theksojnë se situata në pjesën veriore, e në veçanti te “Tre Rrokaqiejt” është tensionuar së tepërmi. Shqiptarët po ndihen më të pasigurt, ndërsa serbëve nuk u ka ardhur mirë për vendosjen e pikës statike. Rreth orës 13:00 të së hënës, fillimisht u lëshua një alarm i cili përdoret si thirrje për protesta, e pastaj rreth 200 serbë u tubuan, ku shkatërruan në tërësi kontejnerin në të cilin po qëndronin dy policë të Kosovës.
 

Këta të fundit janë tërhequr pasi që nuk kanë mundur të përballen me masën e njerëzve. Burime nga Mitrovica theksojnë për gazetën “Express” se turmës së serbëve iu ka prirë Zharko Veselinoviç, vëllai i Zvonko Veselinoviqit, i cili shpesh është etiketuar si bos i krimit në pjesën veriore të vendit. Zëdhënësi i Policisë, Besim Hoti konfirmon për Express atë çka ka ndodhur te Tre Rrokaqiejt, të hënën, por mohon se policia e Kosovës është dëbuar nga pjesa veriore. “Normalisht që dy policë nuk kanë mundur të përballen me 200 persona, por ne menjëherë kemi dërguar në lagjen ku ka ndodhur incidenti patrullat e policisë”, tha Hoti për Express.

Sipas tij, tashmë policë të stacionit të Veriut dhe të Jugut janë duke patrulluar së bashku për t`u kujdesur për rendin dhe qetësinë.
Në lidhje me këtë rast, ende nuk ka ndonjë të arrestuar apo të dyshuar, ndonëse organet policore siç thotë zëdhënësi Hoti, janë duke punuar me një intensitet të shtuar.
 

“Rasti ka kaluar te sektori antiterrorrizëm, duke marrë parasysh se në këtë rast ka elemente të terrorizmit”, tha Hoti. Zëdhënësi i Policisë konfirmon se njëherë për njëherë rasti është duke u hetuar nga Policia e Kosovës.
 

“Ky është një rast që i tejkalon ndoshta edhe përmasat e ngjarjeve ditore dhe ngjarjeve që kanë ndodhur më herët. Prandaj, veprimet tona kërkojnë të jenë të matura dhe të kenë koordinim shumë të rëndësishëm me të gjitha institucionet, edhe ato ndërkombëtare të sigurisë, por në radhë të parë edhe me vetë qytetarët”, tha Hoti.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›