E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbetet në qeli i moshuari, mashtroi biznesmenin

TIRANE – Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë “burg pa afat” për të moshuarin Luigj M., i akuzuar për mashtrim. 

Sipas organit të Prokurorisë, i moshuari mbi 70 vjeç akuzohej për mashtrimin e një biznesmeni dyeraluminesh, të cilit i kishte përvetësuar celularin dhe një shumë prej 130 eurosh. Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë ndërsa arrestimi i të moshuarit, u bë të enjten e javës së kaluar, pasi ishte shpallur në kërkim, ndërkohë pas verifikimeve në polici ka rezultuar se ai ishte dënuar më parë për këtë vepër penale. Sipas Prokurorisë, i moshuari kishte shkuar në një nga punishtet e dyeralumineve në kryeqytet dhe i kishte thënë pronarit se do porosiste një derë dhe dy dritare dyeralumini. Pasi kishin rënë dakord për çmimin, pronari i dyeralumineve i kishte thënë të shkonin me makinën e tij për të marrë masat e derës dhe dritareve. Në momentin që po kalonin te tregu në sheshin “Avni Rystemi”, Luigji i ka kërkuar atij të ndalonin pasi kishte lënë një televizor aty në një dyqan dhe meqë ndodhej me makinë, ta transportonte në shtëpi. Pas pak minutash ai i ka kërkuar biznesmenit 130 euro borxh, duke i thënë se do ia kthente sapo të vinin në shtëpi, pasi ato momente i duheshin për të shlyer pagesën e televizorit. Pasi ka marrë paratë ai i ka thënë biznesmenit se duhet t’i jepte edhe celularin për të bërë një telefonatë dhe se, edhe këtë do ia paguante sapo të shkonin në shtëpi. Duke mos dyshuar aspak, biznesmeni nisur edhe nga mosha e personit që kishte përballë ia ka vënë atij në dispozicion celularin për ta ndihmuar. Pasi ka shtënë në dorë edhe celularin Luigji është zhdukur, ndërsa biznesmeni vazhdonte ta priste në makinë. Rreth 30 minuta më vonë ai e ka kuptuar mashtrimin dhe e ka denoncuar të moshuarin në polici. Pasi kanë marrë denoncimin policët, të cilët ishin në dijeni edhe të precedentëve të tjerë të të moshuarit janë vënë në kërkim të tij, por ka qenë e pamundur arrestimi. Kjo për faktin se duke pasur precedentë të shumtë i moshuari arrinte të fshihej në mënyrë perfekte. Dje para gjyqtares së gatshme në Gjykatën e Tiranës i akuzuari e pranoi akuzën duke pretenduar se ishte detyruar të mashtronte biznesmenin, pasi kishte mbetur pa para dhe nuk kishte asnjë mënyrë tjetër për t’i siguruar ato.   fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›