E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dizenteria, qyteti në karantinë

Qindra qytetarë të Poliçanit janë vënë në karantinë, ndërsa shtëpitë e tyre janë dezinfektuar nga frika e përhapjes së sëmundjes vdekjeprurëse, dizenterisë. 

POLIÇAN/ DILAVER XHELILI

Tek banorët e qytetit është përhapur panik, ndërsa ISHP-ja u bën thirrje të mos e përdorin ujin për të pirë apo për ushqime. Kreu i bashkisë, Adriatik Zotka, bëri të ditur se shkak i kësaj epidemie është uji i ndotur me kimikate në zonën e uzinës së armëve. Ai i bën thirrje Ministrisë së Mbrojtjes që ta kalojë këtë zonë në varësi të Bashkisë së Poliçanit, pasi aktualisht nuk ka kompetencë ndërhyrjeje për normalizimin e situatës. “Infeksioni mund ta ketë prejardhjen nga tubacioni i çarë në territorin e uzinës. Lëndët kimike mund të kenë depërtuar në përbërje të ujit që kalon nëpër këta tubacione”, tha Zotka. Ndërsa specialistët kimistë shtojnë se, lëndët kimike të uzinës janë shumë të forta dhe të rrezikshme. Ato depërtojnë në thellësi të tokës dhe si pasojë mund të kenë rënë në kontakt me ujin e pijshëm nga çarja e tubacioneve. Dita e djeshme në Poliçan ka qenë disi më e qetë, pasi nuk ka pasur raste të tjera të shënuara. Por nga ana tjetër, frika e banorëve e ka kthyer gjithë zonën nën efektin e një paniku. Nga 120 të prekur nga epidemia, 60 prej tyre janë evidentuar me dizenteri. Prej këtyre, 40 ndodhen në karantinë në qendrën shëndetësore të qytetit, ku nuk lejohet t’i shohë askush tjetër, përveç stafit mjekësor. Katër të tjerë, vijojnë të jenë të shtruar në spitalin e Beratit. Ndërsa pjesa tjetër e të sëmurëve janë vënë në karantinë në shtëpitë e tyre. Ata janë vendosur në dhoma të veçuara nga familjarët. Këta të fundit nuk lejohen të kontaktojnë me ta nga frika, pasi sëmundja është ngjitëse. Edhe për t’u ushqyer, janë lejuar vetëm bluzat e bardha me maskat përkatëse dhe jo anëtarët e familjeve të tyre. Drejtori i ISHP-së, Alban Ylli, u ka bërë thirrje banorëve të mos e përdorin ujin dhe të mos lëvizin nëpër qytete të tjera, sepse sëmundja është ngjitëse, tepër e rrezikshme, e madje vdekjeprurëse. Tashmë qyteti është izoluar plotësisht. Nga kontrolli i ushtruar në rrjetin e tubacioneve të ujësjellësit, ka rezultuar se nuk ka çarje gjatë rrugës. I vetmi vend që rrezikon është uzina e armatimeve, territori i së cilës përmban kimikate të rënda. Kjo uzinë është ndërtuar në vitin 1966 dhe prej asaj kohe nuk është kontrolluar rrjeti i tubacioneve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›