E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha takon Presidentin Obama, e fton në Shqipëri



Ndjenjave miqësore të shqiptarëve ndaj kombit amerikan Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, u është përgjigjur me një vlerësim të rrallë: “Kam punuar me shqiptarët dhe ata më kanë lënë mbresat më të mira”. Një takim i shkurtër mes Berishës dhe Obamës, në Metropolitan Museum of Arts, gjatë një pritjeje të organizuar nga kreu i SHBA-së për të gjithë krerët e shteteve që po marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, por tepër miqësor dhe inkurajues për vijimësinë e bashkëpunimit të SHBA-së me qeverinë “Berisha 2”.

Bashkë me takimin, edhe ftesa e z. Berisha për z. Obama që në një moment të përshtatshëm të vijë për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Madje, bashkëshortja e tij, Michelle, e pranishme në takim, duket se do të jetë një nxitëse e fortë që Presidenti bashkëshort të udhëtojë drejt Shqipërisë. Kryeministri Berisha i tha Presidentit Obama se shqiptarët presin me padurim dhe me shumë kënaqësi një vizitë të tij në Shqipëri, në çdo kohë të mundshme. “Ju, zoti President, do të gjeni kombin më miqësor ndaj kombit amerikan, ndaj vendit tuaj dhe ndaj jush dhe unë shpresoj shumë që ju të vini në vendin tim”, - tha Kryeministri Berisha. Nga ana e tij, Presidenti Obama pohoi se do të shikonte me shumë kënaqësi mundësinë e një vizite në Shqipëri. Presidenti Obama e përshëndeti përzemërsisht Kryeministrin Berisha dhe u shpreh se në Çikago, ku ai kishte punuar, kishte pasur rastin të takohej e të punonte me shqiptarë dhe kishte për ta mbresat më të mira. Në takim ishte dhe Zonja e Parë e SHBA-së Michelle Obama, e cila duke shprehur kënaqësinë për këtë ftesë, theksoi se do të nxisë bashkëshortin e saj të realizojë këtë vizitë në Shqipëri. Pritja zgjati për rreth 2 orë dhe Kryeministri Berisha e shfrytëzoi për të takuar personalitete të larta botërore. Berisha u takua sërish me Kryeministrin e Japonisë, me të cilin diskutoi gjerësisht për marrëdhëniet mes dy vendeve. Në takimin me këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Presidentit Obama, Gjeneralin James Jones, u diskutuan gjithashtu marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, si dhe zhvillimet në Shqipëri. Kryeministri u takua me Kryeministrin e Holandës, Balkenende. Berisha kërkoi mbështetjen e Holandës për procesin e integrimit, duke shprehur bindjen e tij se ky proces duhet bazuar në meritat dhe performancën e çdo vendi. Gjatë kësaj darke, Kryeministri Berisha u takua dhe bisedoi për samitin e ardhshëm të Kopenhagenit me Kryeministrin e Danimarkës si dhe me Kryeministrin e Suedisë. Ky i fundit i garantoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë për procesin e integrimit dhe heqjen e vizave me BE-në. Kryeministri Berisha u takua edhe me Presidentin e Serbisë, Boris Tadic, me të cilin u ra dakord të intensifikohen marrëdhëniet në të gjitha fushat. Në këtë pritje, Kryeministri pati rastin të takohet edhe me Presidentin e Zvicrës, me atë të Panamasë dhe me shumë kryetarë shtetesh e qeverish të pranishëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›