Pitella: Transparenca ta tregojë qartësisht se kush ka fituar
Parlamenti Europian “ripërcakton” pozicionin e tij lidhur me zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Takimet e fundit të numrit dy të tij, Gianni Pitella, në Tiranë, kanë sjellë në disa konkluzione paraprake, që e shohin daljen nga situata aktuale përmes lëshimit reciprok. Transparencë për zgjedhjet dhe normalizim i jetës parlamentare; ky është mesazhi që vjen nga zëvendëspresidenti i PE-së, i cili ka përjashtuar si opsion vënien në diskutim të legjitimitetit të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Unë mendoj se një klasë politike inteligjente që shikon nga Europa dhe që ka përzemër interesin e komunitetit të vet, duhet të dijë të gjejë një pikë ekuilibri mes kësaj nevoje për transparencë dhe nevojës për qetësim të përgjithshëm të klimës politike”, u shpreh Pitella në konferencën e përbashkët për shtyp me kreun socialist, Edi Rama. Një apel që u adresohet të dyja palëve, i cili me thjeshtësinë e përmbajtjes përcjell në emër të autoritetit politik dhe institucional të PE-së leksionin politik të radhës për klasën drejtuese shqiptare. Referuar zhvillimeve të brendshme, ai vjen si një thirrje e qartë që synon ta orientojë betejën drejt korrektimit të defekteve ekzistuese në funksion të garantimit të zgjedhjeve të lira në të ardhmen. 28 qershori ka fituar kështu një vlerë të dyfishtë, disi larg qëllimeve të opozitës, edhe pse në respekt të plotë të kërkesave të saj. Kjo pasi investimi ndërkombëtar në krizën shqiptare po mban një qasje që respekton cilësitë e një vendi që aspiron integrimin dhe për pasojë duhet të sigurojë më në fund një proces elektoral të pakontestuar. “Më duket se askush nuk do të vejë në diskutim rezultatin e zgjedhjeve të kaluara, por është vullneti dhe besoj kërkesa legjitime për të garantuar për të ardhmen zgjedhje transparente, të sigurta, që tregojnë qartësisht se kush është fituesi i vërtetë...”, deklaroi Pitella. Problemi shqiptar në sytë e komunitetit europian mbetet sërish i mbërthyer te zgjedhjet, të cilat edhe pse certifikohen periodikisht me nota gjithnjë e më pozitive, nuk sigurojnë stabilitet politik. Për pasojë, konsensusi jo vetëm po kërkohet, por edhe po sugjerohet nga komuniteti europian, duke cenuar integritetin e zgjedhjeve të fundit, të cilat janë kthyer në terrenin e koncesioneve dhe të zgjidhjes së krizës. Kjo sepse stabiliteti perceptohet si interes parësor, çfarë ka “detyruar” edhe Pitellën të ripërsërisë si kërkesë të prerë ndërprerjen e bojkotit nga ana e opozitës. “Unë nuk kam shqiptuar kurrë fjalën bojkot. Kam thënë vetëm dhe përsërisë që në një situatë normaliteti, beteja politike bëhet në Parlament”, vijoi zëvendëspresidenti i PE-së, në prani të kreut të PS, Edi Rama.
#