Diplomati Çollaku: Presim vizitën e Obamës në Shqipëri
Zëvendësambasadori i Shqipërisë në SHBA, Kreshnik Çollaku, beson se Presidenti Barack Obama do të vizitojë Shqipërinë pas ftesës së Kryeministrit Sali Berisha. Për VOA-n, ai tha: “Presim që vizita e Obamës të ndodhë, kemi shpresën se ai do ta mbajë premtimin e tij”. Ai foli edhe për vendimin e Shqipërisë për të pritur të dënuarit e burgut famëkeq të Guantanamos, i cili sipas gjasave, do të mbyllet në vitin 2011. Zëvendësambasadori shqiptar në Uashington, Kreshnik Çollaku, theksoi se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Shqipërisë janë mjaft pozitive. “Shqipëria dhe SHBA janë partnere në të gjitha fushat. Edhe për sa i përket të burgosurve të Guantanamos, ka një hapje nga ana e Shqipërisë për të pritur të dënuarit”, - deklaroi Çollaku në një intervistë për VOA-n. Sipas diplomatit shqiptar, sektori ku marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të intensifikohen, është ekonomia. “Ne kemi qenë në një marrëdhënie shumë të afërt politike dhe ushtarake, por niveli i marrëdhënieve në aspektin ekonomik është për t’u ngritur. Kjo është një sfidë për të cilën qeveria shqiptare është koshiente”, - u shpreh z. Çollaku.