E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi 3 mijë fëmijë braktisin shkollën

28/11/2011  Tirana, Korça e Fieri raportojnë shifrat më të larta pwr braktisjen e arsimit të detyruar

Kontingjenti më i rrezikuar fëmijët e shtresave me probleme ekonomike e romët

Pavarësisht masave që janë marrë, fenomeni i braktisjes së shkollës në vendin tonë mbetet ende në nivele shqetësuese, problematikë kjo që ka mbërthyer edhe arsimin e detyruar 9-vjeçar. Shifrat e raportuara nga specialistët e arsimit tregojnë se vetëm gjatë vitit të shkuar mbi 3 mijë nxënës kanë braktisur ndjekjen e arsimit të detyruar. Kjo shifër raportohet të jetë edhe më e lartë, pasi ndodh që në shumë raste fëmijët të largohen nga shkolla pa marrë edhe fletët e shpërnguljes. Më tej specialistët bëjnë me dije se kontingjenti më i rrezikuar janë fëmijët që vijnë nga shtresat sociale me probleme dhe vështirësi financiare, por i lartë mbetet edhe numri i fëmijëve të paarsimuar që i përkasin komunitetit rom. Fëmijët që janë etiketuar si braktisës të shkollave vijnë nga familje me të ardhura mujore më pak se 30 mijë lekë në muaj, të ardhura të cilat krahasuar me numrin e lartë të anëtareve të familjes janë tepër të papërballueshme për të bërë një jetesë normale.

Të rrezikuarit

Fenomeni i braktisjes prek të gjitha rrethet e vendit. Megjithatë, ndër zonat më të rrezikuara sa i takon nivelit të lartë të braktisjes së shkollës rezultojnë të jenë Tirana, Korça, Durrësi e Fieri. Këto të fundit kanë raportuar edhe numrin më të lartë të largimit të nxënësve që nga klasat e para ose dhe në klasa më të larta. “Zyrtarisht ne kemi një shifër që shkon në 0.4 për qind të fëmijëve që kanë braktisur arsimin e detyruar”, - ka konfirmuar përgjegjësia e sektorit të arsimit parauniversitar Pranvera Kamani. Sipas saj, në përgjithësi fëmijët që braktisin shkollën janë fëmijë që vijnë nga shtresa sociale që kanë probleme, ose ata që i përkasin komunitetit rom dhe egjiptian.

Shkaqet

Kushtet e vështira ekonomike raportohen të jenë shkaqet kryesore që detyrojnë familjet që të largojnë fëmijët e tyre nga bankat e shkollës për t’i përfshirë në forcat e punës. Realitet i cili çdo ditë na shfaqet para syve teksa shohim fëmijë që punojnë në rrugë si shitës, larës makinash apo të tjerë të punësuar në të zezë nëpër fabrika të ndryshme. Ndërsa në rrethet më të largëta, kryesisht në fshatra, fëmijët, pasi mbarojnë arsimin 9-vjeçar, mbahen në shtëpi dhe përshihen në punët e familjes. Por të prekur nga ky fenomen shqetësues janë edhe fëmijët që vijnë nga komuniteti rom dhe ai egjiptian. Përfaqësuesit e sindikatës së arsimit kanë pohuar se fenomeni i braktisjes së shkollës mbetet shqetësues, ku më së shumti evidentohet në zonat periferike, në të cilat është vendosur popullsia e ardhur nga zonat verilindore të vendit. Në takimet e zhvilluara me specialistët e institucioneve qeveritare, përfaqësuesit e sindikatave kanë kërkuar bashkëpunimin e të gjitha instancave, veçanërisht atyre të qeverisjes vendore dhe organizatave jofitimprurëse që të ndihmojnë në krijimin e kushteve që të rikthejnë në bankat e shkollës fëmijët që për arsye ekonomike detyrohen ta braktisin atë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›