E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monument përkujtimor për shqiptarët e Çamërisë

28/11/2011  Shoqata “Çamëri” çel ekspozitën e projekteve

Zbatimi i projektit kap një vlerë mbi një milion euro

Shoqata “Çamëria” çeli dje në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar ekspozitën e projekteve të fazës finale të konkursit “Varreza monumentale të shqiptarëve të Çamërisë në Qafë-Botë”, ku u ekspozuan projektet e studiove prestigjioze nga Shqipëria dhe Kosova. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për një javë dhe më pas do të shpallet projekti fitues, në bazë të të cilit do të ndërtohen varrezat monumentale në fshatin Kllogjer të Sarandës. Varrezat do të shërbejnë si monumenti përkujtimor i rreth 2600 shqiptarëve të Çamërisë që humbën jetën pas gjenocidit të ushtruar ndaj tyre. Në çelje të ekspozitës kryetari i jurisë së konkursit, Artan Lame, sqaroi procedurat që do të ndiqen. “Do të jenë tri çmime, ku çmimi i parë do të jetë edhe projekti që do të zbatohet. Ndërkaq në librin e vërejtjeve dhe sugjerimeve do të mund që të gjithë vizitorët të shprehin mendimet e tyre rreth projekteve. Në bazë të tyre do të shpallet edhe çmimi i publikut”, - tha Lame. Zbatimi i këtij projekti kap një vlerë mbi një milion euro dhe mendohet që një pjesë të financohet nga qeveria dhe pjesa tjetër nga vetë çamët. Ndërsa kryetari i partisë “Drejtësi, Integrim dhe Unitet”, Shpëtim Idrizi, në cilësinë e mbështetësit të këtij aktiviteti, vlerësoi se pas 65 vjetësh shqiptarët e Çamërisë që humbën jetën në mënyrë tragjike do të përkujtohen në mënyrë dinjitoze. “Ky projekt shërben për të kujtuar në mënyrë dinjitoze më shumë se 2600 shqiptarë të Çamërisë që humbën jetën nga etja dhe uria gjatë marshimit të tyre biblik nga Çamëria në shtetin shqiptar pas dëbimit gjenocidial të bandave të Napoleon Zervës. Tetë projektet e ekspozuara janë mjaft cilësore dhe projekti fitues do të zbatohet në varrezat, tashmë masive, të Kllogjerit. Ky është një monument-tribun që ne u bëjmë shqiptarëve të Çamërisë që u dëbuan nga shtëpitë e tyre vetëm pse ishin shqiptarë”, - theksoi Idrizi.

Në afërsi të fshatit Kllogjer në Sarandë prehen në një varrezë masive shpirtrat e qindra prej këtyre shqiptarëve, në një sipërfaqe që prej vitit 1991 është në pronësi të shoqatës “Çamëria”.

Projektet dhe juria

Nga tetë projektet e paraqitura tri janë në formën e skulpturave, ndërsa pesë të tjerat në projekte të prezantuara në fotografi. Ndër to një projekt është produkt i një studioje projektimi nga Kosova, ndërsa shtatë të tjerat nga Shqipëria. Zbatimi i këtij projekti kap një vlerë mbi një milion euro dhe juria përzgjedhëse përbëhet nga Artan Lame (kryetar), Arben Biçoku, Abas Hado dhe Ardian Tana. Shpallja e projektit fitues do të bëhet pas disa ditësh dhe menjëherë pas saj do të nisë zbatimi i tij në varrezat e Kllogjerit në Sarandë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›