Mbi 3 mijë përdorues droge në veriun e Kosovës

Në pjesën veriore të Kosovës janë të regjistruar mbi 3 mijë përdorues të drogës, mes të cilëve ka edhe fëmijë të mitur. Të dhënat janë publikuar nga Shoqata e të rinjve “Jazasa” me seli në Mitrovicë. Sipas informacioneve të kësaj shoqate, përdoruesit e drogës janë nga Mitrovica, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku. Sanja Lazareviq nga “Jazasa” deklaroi se të dhënat për këtë situatë të krijuar vijnë nga policia e Kosovës, Qendra për Punë Sociale në Mitrovicën e Veriut, si dhe Qendra Shëndetësore e Mitrovicës.
“Numri më i madh i përdoruesve është në pjesën veriore të Mitrovicës, pasi pjesa më e madhe e rinisë serbe nga pjesët e tjera të Kosovës janë koncentruar në këtë qytet. Në mesin e përdoruesve janë edhe fëmijë të moshave 13 dhe 14 vjeç, të cilët janë në fazën e parë të përdorimit të marihuanës, e cila mund të blihet në çdo cep të Mitrovicës”, theksoi Lazareviq, duke shtuar se një numër i madh edhe i studentëve është konsumues i drogës. EULEX ka nisur një fushatë kundër konsumimit të drogës në pjesën veriore të Kosovës.