E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbi 49 mijë udhëtarë në portin e Vlorës në sezonin veror

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Porti i Vlorës gjatë sezonit veror shënoi një numër të lartë udhëtarësh që erdhën me tragete nga shteti fqinj si dhe nga anijet turistike.

Në portin e dytë më të madh në vend, operojnë dy tragete në linjën Vlorë- Brindizi – Vlorë, duke sjellë rritjen e numrit të udhëtarëve.

Drejtori i portit të Vlorës, Ilir Banushi tha sot për ATSH-në se “gjatë tre muajve të verës  janë futur nëpërmjet Portit të Vlorës 49 021 pasagjerë, si dhe kanë dalë 47 574 pasagjerë”.

“Sa i përket mjeteve gjatë muajve qershor-gusht në port kanë hyrë 13 688 mjete si dhe kanë dalë 12 813 mjete”, tha Banushi.

Në Portin e Vlorës gjatë këtij viti kanë ndaluar edhe kroçera me turistë nga vende të ndryshme të botës.

“Nga fillimi i vitit deri tani në port kanë ndaluar 6 kroçera me rreth 700 turistë”, tha Banushi.

Sipas Banushit, Porti i Vlorës po punon për përmirësimin e shërbimeve si dhe rritje të  bashkëpunimit me operatorët dhe agjencitë.

Në port nuk janë krijuar pritje të gjata si në hyrje dhe në dalje, kjo për shkak të masave të marra nga Autoritetet Portuale të Portit të Vlorës, të cilat kanë punuar me intensitet të lartë për përpunimin e udhëtarëve dhe automjeteve.

Qyteti i Vlorës gjithnjë e më shumë është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj, në çdo stinë të vitit.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›