Mbi 5.3 milionë udhëtime brenda dhe jashtë vendit/ 95% për qëllime personale

Në vitin 2019, janë regjistruar 17,8% më shumë udhëtime në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj, krahasuar me vitin 2018. Përgjithësisht është shënuar rritje për të gjitha llojet e udhëtimeve, ndërsa vetëm për udhëtimet për qëllime biznesi të kryera jashtë Shqipërie është shënuar rënie.
INSTAT publikoi anketën e turizmit në familje, “Pushime dhe Udhëtime” që është një vrojtim statistikor që kryhet pranë njësive ekonomike familjare (NjEF) dhe ka objekt të gjithë individët mbi 15-vjeç me vendbanim të zakonshëm në Shqipëri. Anketa mbledh të dhëna mbi udhëtimet me të paktën një natë fjetjeje për pushime, udhëtime pune dhe udhëtime të tjera, si dhe udhëtimet vajtje-ardhje, brenda dhe jashtë vendit.
Sipas anketës, në vitin 2019, numri i udhëtimeve për qëllime personale apo biznesi (brenda apo jashtë Shqipërisë) të kryera nga individët banues në Shqipëri të moshës mbi 15-vjeç ishte mbi 5.3 milionë.
Numri mesatar i netëve të qëndrimit për udhëtime të kryera është 5,5 netë. Udhëtimet për qëllime personale përbëjnë 95,1% të udhëtimeve gjithsej, ndërsa udhëtimet për qëllime biznesi 4,9% të tyre.
Mesatarisht në vitin 2019 një individ në Shqipëri ka kryer 2,3 udhëtime. Përqendrimet më të larta të udhëtimeve të kryera janë regjistruar në muajt: gusht (12,9%), mars (10,7%), qershor (9,9%), dhjetor (9,6%) dhe korrik (9,4%).