Mbi 56% e lejeve dhe licencave që lëshohen nga qeveria dhe pushteti lokal do të hiqen

Kryeministri Berisha: “Çdo licencë e hequr, është një hap drejt lirisë, drejt shfrytëzimit të potencialeve të saj, është një masë shumë e rëndësishme për luftën ndaj korrupsionit.”
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua sot, takimi i Task Forcë për Reformën Rregullatore. Në këtë mbledhje u diskutua mbi heqjen e shumë prej lejeve dhe licencave të lëshuara nga qeveria dhe pushteti lokal, në kuadër të liberalizimit dhe luftës kundër korrupsionit dhe burokracisë që rridhte nga lëshimi i këtyre lejeve dhe licencave, që po ndërmerr me prioritet qeveria shqiptare.
Kryeministri Berisha theksoi se kjo mbledhje zhvillohej për një problem tejet thelbësor, siç është ai i heqjes së lejeve dhe licencave duke i cilësuar këto të fundit si dokumentacione të korrupsionit dhe burokracisë. Më tej Kryeministri Berisha u shpreh se çdo hap, çdo licencë e hequr, është një hap drejt lirisë, drejt shfrytëzimit të potencialeve të saj, është një masë shumë e rëndësishme për luftën ndaj korrupsionit.
Gjatë mbledhjes së fundit të Task Forcë për Reformën Rregullatore u hartua një listë e gjatë me lejet dhe licencat për t’u hequr dhe në mbledhjen e sotme u shqyrtuan të gjitha vendimet dhe bazat ligjore që do të shërbejnë për heqjen e këtyre lejeve dhe licencave.
Në kuadër të këtij procesi u theksua se mbi 56% e lejeve dhe licencave të qeverisë dhe pushtetit lokal së shpejti nuk do të jenë më, duke patur si qëllim shmangien dhe luftën ndaj rrjetës së korrupsionit dhe burokracisë.