E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron Qendrën Komunitare dhe inspekton punimet për ndërtimin e shkollës së mesme në Komunën e Shën Kollit

-Investimet e qeverisë në komunën e Shën Kollit arrin në vlerën 250 milionë lekë në fusha të ndryshme

Kryeministri  Berisha po zhvillon sot një vizitë në zonen e Kurbinit, ku fillimisht mori pjesë në përurimin e Qendrës Komunitare në Komunën e Shën Kollit.

Ndërtimi i qendrës është financim i Fondit Shqiptar për Zhvillim, me vlerë 17 milionë lekë. Në një fazë e dytë do të bëhet pajisja e Qendrës me salla interneti, mjedise për argëtimin e moshës së tretë, me vlerë prej 5 milionë lekë. Qendra, e cila do të jetë në shërbim të komunitetit të kësaj komune me 9 fshatra dhe 15 mijë banorë, është konceptuar sipas standardeve më të mira europiane dhe përmban mjedise ç’lodhëse moderne, sallë interneti, ambiente pushimi për moshën e tretë, qendra trajnimi profesional, etj..

Kryeministri Berisha, gjatë përshëndetjes së tij në këtë ceremoni, e vlerësoi ndërtimin e kësaj Qendre si një investim mjaft prestigjioz dhe që krijon mundësi të shumta për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj zone. Kryeministri u shpreh se investimet në komunën e Shën Kollit kanë qenë në mënyrë të vazhdueshme në vëmendje të qeverisë, pasi vetëm në këtë zonë janë investuar rreth 250 milionë lekë në fusha të ndryshme.

“Inaugurojmë sot Qendrën Komunitare në Komunën e Shën Kollit, një investim mjaft prestigjoz dhe funksional prej 17 milionë lekë, . Ndërtimi i kësaj qendre është një ndër investimet e shumta që qeveria ka bërë në komunën e Shën Kollit, pasi kjo zonë ka marrë rreth 250 milionë lekë investime në fusha të ndryshme, ku janë investuar rreth 47 milionë lekë në shkollën e mesme, 14 milionë lekë në kanalizime, 25 milionë lekë në dy fazat për ndërtimin e rrugëve të komunës dhe rrugëve lidhëse të saj, 10 milionë lekë në ujërat e bardha të kësaj komune dhe 100 milionë lekë për rrugën që lidh Zejmenin me Talen, e cila është në tenderim e sipër, por që është një rrugë turistike mjaft e rëndësishme që lidh zonën me plazhin”, u shpreh Kryeministri Berisha. Më tej, Kryeministri u shpreh se komuna e Shën Kollit është një komunë shumë e fuqishme në prodhimet bujqësore, me vije bregdetare të mrekullueshme dhe me pasuri të shumta ujore.

Kryeministri vlerësoi angazhimin dhe interesimin e deputetit të kësaj zone, zotit Gjok Vuksani, përsa i përket investimeve për zhvillimin e infrastrukturës në këtë Komunë. “Deputeti i zonës ka një bashkëpunim të shkëlqyer me qeverinë vendore, një ndjeshmëri të madhe për të gjithë problemet e zgjedhësve të tij. Sot do të shkojmë në komunën e Fushë Kuqes, një tjetër komunë për të cilën deputeti interesohet në mënyrë të vazhdueshme”, tha Kryeministri.

Në vazhdim, Kryeministri inspektoi punimet për ndërtimin e Shkollës së Mesme të Komunës së Shën Kollit. Shkolla, e konceptuar sipas standardeve më të mira evropiane, është financim i buxhetit të shtetit 47 milion lekë. Duke vlerësuar edhe faktin se në shkollën e re klasat nuk do të kenë më shumë 25-30 nxënës, Kryeministri tha se kjo është një tjetër arritje dhe premtim i mbajtur i qeverisë.

Kryeministri Berisha shoqërohej nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, deputeti i zonës, Gjok Vuksani dhe drejtues të pushtetit lokal.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›