Mbi 60 të vrarë gjatë luftimeve në Jemen

Rreth 300 luftëtarë të organizatës terroriste kanë sulmuar një kazermë ushtarake në Loder, në provincën Abjane, duke shkaktuar reagimin e forcave të armatosura.
Luftimet kanë shkaktuar 40 të vdekur nga radhët e kryengritësve dhe 14 të tjerë nga radhët e trupave ushtarake. Ndërkohë, 6 të vdekur të tjerë numërohen mes anëtarëve të Komitetit të Rezistencës Popullore.
Jemeni konsiderohet si një nga “parajsat” e reja të Al Qaedës dhe organizata terroriste ka shumëfishuar sulmet e saj në jug të vendit.
Nga fundi i muajit të kaluar, 29 anëtarë të supozuar të rrjetit mbetën të vrarë në një tjetër përballje me trupat qeveritare jemenase. Përballja ndodhi në rajonin e Zinjibarit, kryeqendër e provincës së Abjanës, në jug të vendit më të varfër të botës arabe.