Mbi 78% e qytetarëve, kundër importit të plehrave
Nëse sot do të mbahej një referendum për importin e mbetjeve, mbi 78% e qytetarëve do të votonin kundër. Kjo del nga një sondazh i organizuar nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi.
Think-tank-u IDRA ka realizuar anketë gjatë muajit dhjetor të vitit 2011 dhe rezultati tregon se nëse do të shpreheshin me votë, 78.4% e të pyetur do të votonin kundër lejimit të importit të plehrave, gjë të cilës ia ka hapur rrugën një ligj i miratuar në Kuvend me votat e mazhorancës. Ndërkohë importi i mbetjeve mbështet vetëm nga më pak se 10%.
Interesant është fakti se qytetarët mbështesin në shumicë të madhe mbajtjen e një referendumi. 80% e të pyeturve thonë se një gjë e tillë është e nevojshme.
IDRA ka realizuar këtë sondazh me kërkesë të Aleancës Kundër Plehrave dhe me financim të SOROS. Në pyetësor kanë marrë pjesë një kampion prej 600 personash.
Tashmë Aleanca Kundër Importit të Plehrave ka nisur mbledhjen e 50 mijë firmave që do të duhet për kërkesën e një referendumi për këtë çështje. Ky proces fillimisht do të mbahet në tre qytete kryesore të Shqipërisë, Tiranë, Vlorë dhe Korçë.
Ndërsa sot Partia Socialiste ka marrë vendimin për të mbështetur këtë nismë të aleancës. Vendimi u mor në takimin që kreu i PS-së Edi Rama zhvilloi me krerët e rretheve.
Ku firmoset për referendumin?
Qendra Sociale tek rruga Hoxha Tasim vila 187/1 200m mbi Optika Roma
Zyrat e Lëvizjes MJAFT! tek rruga e Elbasanit Nr. 32 kati i katërt përballë Ambasadës Amerikane
Tek blloku kryqëzimi i Rrugës Vaso Pasha me Rrugën Nikolla Tupe pranë ish bar Mjelmës
Në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës
Në Vlorë pranë Kinoteatrit
Në Korçë pranë Qendrës SOL tek Rruga Papa Llambro Ballamaci Blv. Republika Nr 2.
Redaksia OnLineFlorenc Stafa