“Të jesh anëtar i BE, duhet të jeni shtet”
Kriza politike në Shqipëri nuk duhet të bëhet shqetësuese për Bashkimin Evropian, në të kundërt e ardhmja e vendit drejt unionit, bëhet vërtetë e pasigurt. Ambasadori i Spanjës, vendit që ka presidencën e radhës së BE, Manuel Montobbio, shton kritikat për situatën e papërcaktuar në vend, në pritje të tryezës së Presidentit Bamir Topi. “Shqipërisë i intereson të jetë pjesë e axhendës së Këshillit të Bashkimit Evropian sepse do të thotë që po bëhet progres në drejtimet e kërkuara nga ky organ, por nuk i intereson të jetë pjesë e axhendës së Këshillit për Politikën e Jashtme, sepse kjo do të thotë se ju s’po ecni dhe aq mirë. Situata e brendshme në Shqipëri nuk duhet t’i bjerë në sy Bashkimit Evropian apo ndonjë organizate tjetër ndërkombëtare, pasi kjo tregon se jeni problematikë”, tha Montobio. Diplomati thekson se “Ju jeni të mirëpritur të mirëpritur në BE, por për të qenë anëtarë duhet të jeni një shtet. Një shtet sipas konceptit të BE nuk do të thotë një shtet dosido, por një tip i veçantë shteti. Në mënyrë metaforike duhet të keni lidhje që të prodhoni elektricitet. Nuk do të keni jetëgjatësi, nëse keni tela të shkurtër. Mund të shkaktoni kolaps. Por duhet të lidhni telat dhe me t’u lidhur ato, do të keni mbështetjen e BE”. “Metamorfoza juaj duhet të ecë në drejtimin e duhur. Duhet të respektohen standardet siç janë zgjedhjet. Ato duhet të jenë të pranueshme nga të gjitha palët. Një tjetër çështje ka të bëjë me administratën, e cila duhet të bazohet mbi meritat e personelit, lufta kundër korrupsionit është një tjetër pikë, ndërsa duhet të përballeni me procesin e liberalizimit të vizave, ku duhet të arrihen standardet teknike, duke pasur parasysh që një grup monitorimi do të mbërrijë së shpejti në Shqipëri,” u shpreh Montobbio.