E Diel, 1 Nëntor 2026

Dade: E kam dorëzuar makinën, Kuvendi apel deputetëve të PS

 Deputetja e Partisë e Socialiste Arta Dade përgënjeshtroi dje akuzat e kryeparlamentares Jozefina Topallit dhe deputetëve të PD-së lidhur me të pavërtetën për dorëzimin e automjetit në përdorim të deputetit. Në një prononcim për median, Dade deklaroi se “nuk është hera e parë që Jozefina Topalli mashtron, dezinformon opinionin publik dhe shpif për personalitete të Partisë Socialiste”. “Kam refuzuar t’i përgjigjem vulgaritetin të Jozefina Topallit që ofron model negativ në politikë. Por rastet e përsëritura të shpifjes më detyrojnë që në respekt të opinionit publik, të sqaroj se automjeti që unë kam pasur në përdorim është dorëzuar pranë Kuvendit të Shqipërisë që në muajin shtator. Jozefina Topalli nuk mund të mbulojë me shpifje dhe mashtrime keqpërdorimin e fondeve të Kuvendit dhe abuzimin me pushtetin”, tha Dade. Ndërsa ka pasur një reagim të sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Marlind Myftiu, në të cilën theksohej se “deputetja Arta Dade e ka dorëzuar makinën e saj dhe gjithashtu dhe deputeti Erjon Braçe”. “Administrata e Kuvendit, në përmbushje të detyrimeve, që burojnë nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 10.160, datë 15.10.2009, “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët e lartë dhe nëpunësit civilë”, kërkon edhe një herë ish-deputetëve, apo atyre që kanë marrë mandate nga KQZ që të dorëzojnë makinat e Kuvendit apo të institucioneve të tjera të marra si ish-deputetë. Nëse ato do të vonojnë përsëri dorëzimin e automjeteve, administrata e Kuvendit do bëjë publike emrat e tyre. Njoftojmë gjithashtu se sot një tjetër deputet i opozitës dorëzoi  automjetin qe kishte në përdorim, ashtu si zonja Dade dhe zoti Braçe që i kanë dorëzuar”, thekson Myftiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›