E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-PS, përplasje para tryezës

 ADI SHKEMBIMe gjithë gatishmërinë e Presidentit për të kontaktuar me kryeministrin dhe kryetarin e opozitës për të përgatitur tryezën, PD dhe PS vazhdojnë të qëndrojnë në pozicionet e tyre ekstreme. Deputeti socialist, Blendi Klosi konfirmoi përmes një konferencë për shtyp qëndrimin e selisë rozë në mbështetje të tryezës së kreut të shtetit, por shtoi se hetimi i plotë i zgjedhjeve mund të bëhet vetëm përmes hapjes së kutive. “Partia Socialiste e Shqipërisë, shpreh edhe njëherë qëndrimin e saj në mbështetje të dialogut në tryezën e Presidentit për t’i dhënë një zgjidhje krizës së rëndë politike, me të cilën po përballet sot vendi. Partia Socialiste thekson me forcë qëndrimin e saj se zgjidhja e krizës mund të arrihet vetëm përmes transparencës së plotë të zgjedhjeve çka thuhet shprehimisht edhe në rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Hapja e kutive të votimit është një element i domosdoshëm për të hedhur dritë mbi të vërtetën e këtyre zgjedhjeve dhe si e tillë, ajo përbën një kërkesë të panegocueshme të Partisë Socialiste”, tha deputeti i PS-së. Në të njëjtën kohë ai akuzoi kryeministrin Berisha se nuk ka vullnet për zgjidhjen e krizës në vend. “Partia Socialiste është e gatshme të dialogojë për të zbardhur të vërtetën e 28 qershorit, jo sepse këtë e kërkon thjesht Partia Socialiste, por mbi të gjitha sepse këtë e kërkojnë shqiptarët. Por Partia Socialiste është po ashtu e vendosur që të bëjë transparencën e plotë të zgjedhjeve me ose pa Sali Berishën, dhe këtë hetim ai nuk e ndalon dot as me dëshirën e tij, e as me forcën e pushtetit”, theksoi më tej deputeti socialist.Reagimi i PDI menjëhershëm ishte reagimi i Partisë Demokratike, sipas së cilës, Rama po dëshmon sërish se ka zgjedhur politikën e rrugës dhe jo respektimin e institucioneve demokratike dhe shtetin ligjor. Deputeti Edi Paloka tha se me qëndrimin e fundit, opozita nuk ka ndërmend të respektojë rezolutën e Këshillit të Evropës të miratuar një javë më parë në Strasburg. “Tashmë po bëhet përherë e më evidente se pushteti në tavolinë është e vetmja gjë që kërkon dhe e vetmja gjë që mund ta kënaqë Edi Ramën. Dhe gjithmonë në funksion të kësaj aventure absurde ai duket se e ka marrë me gjakftohtësi vendimin për djegien e mandateve të deputetëve të Partisë Socialiste”, tha Paloka. Sipas tij “fakti që Edvin Kristaq Rama po kërkon përmbysjen e qeverisë, jo nëpërmjet zgjedhjeve dhe votës së lirë, do të thotë se mentaliteti marksist i baballarëve është ende i gjallë tek çunat e rinj të Bllokut. Por Edi Taku- Nardi, siç po e thërrasin kohët e fundit në mjediset e Partisë Socialiste, duhet ta harrojë që mund të impresionojë njeri në këtë vend me kërcënimet për protesta dhe dhunë. Shqipëria është tashmë në rrugën e pakthyeshme të integrimit evropian dhe historia e dikurshme e etërve të çunave të rinj të Bllokut është thjesht një kujtim i hidhur për të gjithë shqiptarët, që nuk do të përsëritet më kurrë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›