Bashkia që gërryen PS–në
Fatos Hakorja Partia Socialiste e Shqipërisë gjendet në pozitat më të dobëta historike. Dhe deri këtu nuk e ka çuar qëndrimi në opozitë, por pushteti. Po e dobëson në çdo lëvizje të saj, pushteti i kryetarit. çdo akuzë për keqqeverisje, me Ramën kryetar, mbart edhe kundërpërgjigjen brenda aq sa kjo po ia bën më të lehtë qeverisjen këtij koalicioni qeveritar, për të cilin, skepticizmi për brishtësi nuk qe i paktë në ngjizjen e tij. Edi Rama është një ndër pushtetarët më të fuqishëm të Shqipërisë, sepse administron kryeqendrën e vendit. Bashkia e Tiranës merr çdo vit thuajse një të tretën e buxhetit të akorduar për të gjitha bashkitë. Tirana ka ritmin më të lartë të zhvillimit në vend. Administrata e bashkisë, për nga numri, pa llogaritur këtu punonjësit e zyrave të varura prej saj, nuk ndryshon shumë nga ajo e dikastereve ministrorë. Kështu, menaxhimi bashkisë nuk është punë e pakët. Jo pak herë qytetarët kanë ankesa ndaj këtij pushteti, siç kanë ndaj çdo pushteti tjetër. Këtu nis edhe problemi për opozitën. Shpeshherë, akuzat që Partia Socialiste hedh ndaj maxhorancës për keqqeverisje u ngjajnë atyre të qytetarëve të Tiranës ndaj bashkisë: abuzim me fondet, me pushtetin, klientelizëm, braktisje të projekteve, mungesë transparence… Pra, këto qëndrime i kthehen në bumerang. Dhe, ja një shembull. Gjatë muajit që shkoi, Partia Socialiste i kërkoi Ministrit të Energjetikës, Dritan Priftit, të jepte dorëheqjen për përmbytjet në Shkodër, në rastin më të mirë pa ditur më parë shkaqet, në rastin më të keq duke e përdorur edhe këtë situatë politikisht, në një kohë kur autoriteteve u duhej të menaxhonin prurjet më të larta në lumin Drin, në vitet e fundit, dhe të siguronin jetët e banorëve. Mirëpo, në ditën e fundit të janarit, Shkodra ishte pothuajse e tharë dhe përmbytjet nisën në lagjen Don Bosko në Tiranë. Disa televizione transmetuan të dielën pamje të kësaj lagjeje, në të cilën jetojnë më shumë banorë se në komunat e përmbytura të Shkodrës. Në Don Bosko, niveli i ujit arriti deri në gju (…le ta themi kështu, meqë edhe përmbytjet e Shkodrës i kemi matur me trup, vetëm se këtu munguan raportimet në zhytje). Tani, a duhej që edhe ministri Prifti të kërkonte dorëheqjen e Ramës, aq më tepër që ky është një rast i përsëritur? Me këtë logjikë, dorëheqja i duhet kërkuar sa herë bie shi, sepse ka gjithmonë rrugë e lagje të përmbytura. I duhet kërkuar sa herë hyn e del me makinë nëpër lagje, se ka gropa e pengesa, saqë është thuajse e pamundur të kalosh edhe në këmbë. (Në këmbë ka kohë që është e rrezikshme, sepse, përveç pusetave e gropave, janë zhdukur edhe trotuaret). Pra, i duhet kërkuar dorëheqja se po prish cilësinë e jetës në Tiranë. Për transportin urban, për parkingjet e munguara, për zhurmat e lokaleve të natës, për ndotjen e ambientit, për betonizimin, sepse nuk impenjohet në punët e bashkisë, se mbledh taksa për gjelbërimin e na rrëmben lulishtet me ndërtesa që mbijnë si kërpudha, sepse gjelbërimin po e zëvendëson me pllaka guri. Kështu, i duhet kërkuar të ikë nga bashkia edhe pse bie shi, siç bënte ai pak ditë më parë me Ministrin e Energjetikës. Me të tilla ndodhi’ që vijnë nga shkaqe natyrore apo punë të pabëra ose të bëra keq në këtë bashki, opozitës së lidhur për kërthize me të, i është neutralizuar një armë e fortë, me të cilën mund ta qëllonte lehtësisht me batare akuzash mazhorancën. Sot, çdo akuzë për keqqeverisje drejtuar pushtetit qendror, shpejton t’ia balancojë Bashkia e Tiranës me ushtrimin e keq të pushtetit të saj. Ata socialistë që u ngritën në këmbë me akuza për përmbytjet në Shkodër, do të ishin ngritur edhe për ato në rrugën Don Bosko. Por i pengon kordoni i kërthizës me bashkinë. Ata që folën e stërfolën për tenderët e rrugëve duhet të ngrihen edhe për rrugën e prishur për të tretën herë në 4 vjet në lagjen time. Ata që kërkuan dëmshpërblimin për çdo qindarkë në veri, ta kërkojnë me këtë rast edhe për ato familje, që me Ramën kryetar bashkie, panë t’u hynte në shtëpi uji i qelbur i liqenit të Tiranës. Me apo pa logjikën e mësipërme, Rama duhet të kishte ikur që në atë kohë. Por a mundet opozita e sotme të bëjë opozitën edhe për qytetarët e Tiranës? Duke qëndruar me një këmbë në zyrën e partisë e me tjetrën në atë të bashkisë, pavarësisht se për Tiranën i ka sosur edhe boja që pikturonte brekë e shprehje të mirësjelljes mbi pallate, Rama i konsumuar në bashki po i shteron fuqitë edhe Ramës së Partisë Socialiste. Pushtetari s’ka si të bëjë dhe opozitën.Për shkak të konsumimit nga ky pushtet, Rama po dobëson edhe qëndrimin opozitar të Partisë Socialiste. Akuzat që i drejtohen pushtetit të Ramës ishin edhe pjesë e shkaqeve të humbjes së socialistëve në zgjedhjet e 28 qershorit. Ndaj, Bashkia e Ramës është ajo që po gërryen edhe sot Partinë Socialiste. Sepse, mënyra e drejtimit të saj po i heq moralin misionit opozitar.