Aktorët e së majtës
Opozita e majtë sot, është ende një shumicë e pafuqishme për të formuar qeverinë që shqiptarët votuan më 28 qershor, megjithëse ajo sërish, si në zgjedhjet e shkuara të 3 korrikut 2005, e më pas në zgjedhjet vendore të 18 shkurtit 2007, pati fuqimisht votën popullore.
Me rreth gjysmën e votës së zgjedhësve, e majta sot duhet të ishte e qartë dhe e qetë për të formuar një kabinet qeverisës, që do të mbushë gropat e lëna gjatë mandatit katërvjeçar të mbretëruar nga Berisha dhe të shtronte një rrugë qartësisht të lexueshme drejt shkuarjes reale në Europë. Por, paradoksalisht, ajo është në ngërç dhe faktorët janë të shumtë.
Nëse sot Edi Rama, ende nuk është Kryeministri i konfirmuar prej votës së shqiptarëve, por ende në terren - ndërsa pas kuintave të pazareve lëvrin Kryeministri në detyrë, do të thotë se Rama, në krye të selisë rozë nuk ishte si në fjalën e popullit, "Trimi i mirë me shokë shumë". Madje, më keq: është i tradhtuar.
Mbrëmjen e 26 qershorit 2008, kur opozita e majtë, me shumë mund, përpjekje dhe tension, arriti të ngrejë skenën e mitingut përmbyllës dhe të mbledhë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ata mijëra përkrahës që ishin penguar të hynin në afërsi të qendrës, por kishin arritur aty duke marshuar, disa figura të PS-së kërkonin ndonjë vend në kafenetë e katit të tretë të Kullave Binjake, për të ndjekur ngjarjen e fundit elektorale.
Ata ishin spektatorë, sepse nuk ishin përfshirë as në listat e kandidatëve për deputetë dhe as në shtabet elektorale të qarqeve.
Ata, sot nuk kanë përgjegjësi as politike dhe as morale dhe mund të ndjehen shumë të lënduar si pjesë dhe përfaqësues të popullit opozitar për ngërçin ku ndodhet sot partia e tyre.
Ndryshe nga këta të paktë, janë shumë prej atyre që u votuan si kandidatë për deputetë, që duhet t'i nënshtrohen llogaridhënies për lojën amorale dhe apolitike që kanë luajtur, të paktën prej mbarimit të zgjedhjeve vendore, që rezultoi me fitoren e së majtës së bashkuar, shkopinjtë nën rrota që i bënë fushatës parazgjedhore të PS-së dhe tentativave për të realizuar tani finalen e lojës së tyre politike në kurriz të PS-së, duke hequr fajin nga vetja.
Një analizë e shpejtë nuk është e vështirë të nxjerrë emra dhe mbiemra, role që luajtën dhe misione që patën. Ishin ata që, për shumë muaj, kanë patur në dorë përzgjedhjen e njerëzve që do të kandidonin në emër të PS-së, që duhet të bënin fushatën nëpër rrethe dhe qarqe.
Rezultati duket, sepse në shumë prej zonave të veriut, ku PS-ja nuk ka patur një prani domethënëse, por kurrsesi votat e 28 qershorit 2009, rezultatet ishin zhgënjyese, sepse njerëzit që u zgjodhën, u refuzuan nga elektorati i majtë, duke mos ua dhënë votën. Në jug dhe në zonat qendrore të vendit, zona ku e majta ka qenë dominuese, PS-ja nuk arriti të marrë mbështetjen që kishte në zgjedhjet vendore të shkurtit 2007, duke u lënë terren të lirë kandidatëve të PD-së.
Kjo pjesë e lidershipit të PS-së e la vetëm kryetarin e partisë në turet e gjata dhe të lodhshme nëpër Shqipërinë e harruar prej qeverisë, ndërkohë që bënin lojën e tyre në Tiranë. Ndërsa tani, pasi kanë siguruar mandatet për deputetë, po mbushin elektoratin e majtë që i votoi me parulla disfatiste dhe demoralizuese, duke pritur finalizimin e rolit që kanë luajtur në kurriz të fitores së opozitarizmit në Shqipëri dhe duke pritur të tregojnë me gisht fajtorin, kryetarin e PS-së.
Dhe Rama, vërtet ka bërë një faj të madh prej fundvitit 2005, kur mori drejtimin e selisë rozë: Ai nisi një operacion për të ribërë PS-në, por nuk arriti ta çojë në fund. "Xhaketat e vjetra", të veshura prej misionarëve të rinj, nuk e lejuan dhe nuk pranuan që partia e rrënuar në imazh dhe e dalë në opozitë, t'i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila do të hiqte ato pjesë të gangrenizuara në trupin e partisë, pa të cilën nuk kishte si të ndodhte shërimi.
Dhe nëse edhe sot PS-ja ende po vuan në ngërçin e një fitoreje që nuk mund ta gëzojë, kjo tregon se vazhdon të jetë e sëmurë dhe bisturia duhet futur thellë dhe në ato plagë që nxori 28 qershori. Rama mbetet personi i vetëm që mund ta bëjë këtë. Gjithë alternativat e tjera do rezultojnë shkatërruese në situatën e sotme në PS dhe do vijojnë të mbajnë në pushtet Berishën.