Kthimi i deputetëve të PS në Kuvend, veprim i vonuar

Deklaron kreu i grupit parlamentar të PD-së
Kthimi i deputetëve socialistë në Kuvend është përshëndetur dhe nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, i cili e quajti të vonuar këtë hap. Gjatë fjalës së tij, ai tha se vendimi i PS është një respekt për ata që kanë votuar kundër qeverisë.
Ndërkaq, më tej Patozi tha se do të trajtohet me seriozitet çdo propozim i opozitës, në respekt me Kushtetutën dhe ligjet. Ka nisur leximi i mbarë i Kushtetutës dhe rregullave në këtë vend, tha Patozi, të paktën për sa i përket mandateve. Fjala e Patozi u cilësua si fyerje për Partinë Socialiste.
“Jam optimist, pasi konstatoj se ka nisur leximi i mbarë i kushtetutës dhe rregullave në këtë vend, të paktën për sa i përket mandateve. Parlamenti ka punuar me kapacitet të plotë pavarësisht mungesës së opozitës dhe se miratimi i një sërë ligjesh kanë patur një vlerë të pakthyeshme në procesin e liberalizimit të vizave si dhe integrimit europian. Shqipëria evropiane është vërtetë deviza jonë politike,po ajo nuk është personale, partiake po është linjë kombëtare. Të rrugëtojmë bashkë në këtë autostradë, sepse Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët njësoj si dhe kjo sallë e nderuar”, u shpreh deputeti demokrat Astrit Patozi.
Sipas tij, mazhoranca është e gatshme të respektojë qëndrimet e opozitës për të dyshuar, kontrolluar dhe të kërkojë garanci për të sotmen e të ardhmen, por, tha ai, nuk mund të kërkohet një borxh që mazhoranca nuk e ka marrë.
“Në funksion të lëvizjes suaj politike, që ju e paraqisni sikur ka për qëllim transparencën dhe zgjedhje më të mira në të ardhmen, mos lini gur pa lëvizur dhe aksion pa ndërmarrë, por gjithmonë në respekt të kushtetutës, ligjeve të vendit dhe rregullave të shtetit ligjor. Dhe ne jemi gati që t’ju ndjekim, edhe pse nuk kemi as dilemën më të vogël se e gjitha kjo është një përpjekje për të nxjerrë vendin dhe institucionet e tij nga shinat e normalitetit. Në Shqipëri po kërkohet që të qeveriset një ditë, për të pasur zgjedhje katër vjet me radhë. Dhe ky absurd duhet të marrë fund një herë e mirë. Sot mund të ishte dita e duhur e marrjes së përgjegjësive”, tha më tej, deputeti demokrat, Patozi.