E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rruga më e mirë për të dhënë kontributin në proceset e integrimit”

Kryetarja e Kuvendit përshëndet rikthimin e opozitës në Kuvend

Deputetët e opozitës janë përshëndetur dje nga kryetarja e Kuvendit Topalli, e cila ka theksuar se vendimi i opozitës për të ndërprerë bojkotin ishte gjëja më e mirë, në respekt të mandateve të tyre, por edhe si rrugën më të mirë për të dhënë kontributin e pazëvendësueshëm në proceset integruese të vendit.
Në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit theksoi se PS ka bërë veprimin më të mirë në dobi të vendit dhe aspiratave të integrimit.
“Do të çel këtë seancë për të përshëndetur përzemërsisht hyrjen në Parlament të opozitës shqiptare, e të shpreh vlerësimin tim më të mirë për vendimin që opozita mori dje në grupin e saj parlamentar, për të ndërprerë bojkotin e për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit. Unë personalisht kam patur gjithnjë besimin dhe bindjen se kolegët e mi socialistë, në emër të interesit më të mirë të qytetarëve që përfaqësojnë, e të forcës politike që i përkasin do të merrnin vendimin që morën mbrëmë, në respekt të mandateve të tyre, por edhe si rrugën më të mirë për të dhënë kontributin e pazëvendësueshëm në proceset integruese të vendit”, u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Kryeparlamentarja gjatë këtyre 7 muajve i ka bërë thirrje vazhdimisht opozitës për të lënë bojkotin dhe politikën e rrugës dhe instalimin e detyrimeve të tyre ndaj elektoratit në Kuvendin e Shqipërisë.
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli nuk ka kursyer çdo deklaratë të saj për t’i bërë apel deputetëve të opozitës që të heqin dorë nga sjelljet destruktive, në një kohë kur vendi po përgatitet për proceset e afërta të integrimit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›