E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi "dimensionet" e amnistisë fiskale



Nuk ka dyshim se një ndër aspektet pozitive të amnistisë tashmë të shpallur zyrtarisht edhe nga qeveria, është zgjerimi i objektit apo dimensionit të saj, d.m.th. emërtimi i plotë "amnisti fiskale". Kështu, tani e tutje duhet të flasim për një paketë të amnistisë fiskale, si dhe për trajtim të diferencuar nga pikëpamja e taksës që duhet të paguhet mbi burimet e ndryshme të kapitaleve dhe të pasurive monetare që përfshihen në të. Siç dihet, amnistia e kapitaleve ka qenë miratuar ligjërisht përpara disa javëve (taksimi me 10% i shtesës së kapitaleve të bizneseve, të cilave nuk ju deklarohet burimi i krijimit te tyre). Pra, tani po flitet drejtpërdrejt për amnistinë fiskale. Pavarësisht kësaj, mendoj se duhet parë si një nismë e re ekonomike që kishte nisur me vendosjen e "taksës së sheshtë" disa vite më parë, si një masë që gjallëron ekonominë tonë kombëtare me përfitime përgjithësisht pozitive për qeverinë, biznesin dhe shoqërinë shqiptare në tërësi në kushtet e rënda të krizës që po kalon vendi. Në vlerësimin tim, qeveria është e interesuar dukshëm në shtimin e të ardhurave në buxhetin e shtetit në këtë periudhë krize, që janë në rënie krahas me rritjen e borxhit publik të vendit. Ajo është e angazhuar gjithashtu edhe në një proces (që pritet të zgjasë) të përshtatjes së politikave fiskale në kuadër të hapave për anëtarësimin e vendit në BE, synimi i të cilave është sigurimi i zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë sonë kombëtare. Në këtë proces, fokusimi i politikës fiskale të qeverisë në

sektorin informal të ekonomisë dëshmon deri diku si mungesën e suksesit të pritshëm në politikat fiskale dhe pro zhvillimit që janë ndërmarrë deri më sot, ashtu edhe shqetësimin për vështirësitë në rritje për minimizimin e informalitetit për shkak të shkallës së gjerë të shtrirjes dhe periudhës prej dy dekadash të krijimit të këtij sektori. Studime të kryera në shkallë rajoni tregojnë se mesatarisht çdo 1 dollar shtesë apo pakësim në nivelin e GDP-së kombëtare shoqërohet me zgjerimin (ngushtimin) e informalitetit me 31 cent ose afërsisht me 1/3 dollari. Kjo vlen për të kuptuar si rëndësinë e informalitetit si një nga rezervat e mëdha që përmban nga pikëpamja fiskale, por edhe rreziqet që sjellin ndërhyrjet e pamenduara mirë. Në këndvështrimin e biznesit, mendoj se ka ende shumë paqartësi, mosbesim dhe rreziqe në zbatimin e amnistisë fiskale të shpallur ditët e fundit nga qeveria. Mendoj se duhet të jetë e qartë se amnistia është dhe duhet të jetë një proces me përfitime të ndërsjella qeveri - biznes dhe më gjerë. Pra, ndërmarrja e saj do të thotë se vendi ynë po shndërrohet në një "parajsë fiskale" për paratë e krimit, korrupsionit etj., por duke çliruar kapitalet dhe paratë në forma të ndryshme të padeklaruara deri më sot, i mundësohet qeverisë të shtojë të ardhurat fiskale të vitit që në njëfarë mënyre kompensojnë rënin e tyre në vitin e fundit dhe ka gjasa edhe në vitin në vazhdim. Sipas mendimit tim, qeveria duhet të harmonizoje prezantimin e amnistisë fiskale dhe të kapitaleve me masa të tjera që përmirësojnë klimën dhe marrëdhëniet e saj me komunitetin e biznesit. Ndër ta, heqja e sistemit të referencave për pagat e punës, duke e shoqëruar këtë masë me një pakt të gjerë publik trepalësh qeveri - punëdhënës - punëmarrës për mbajtjen në punë të punonjësve që gjenden aktualisht edhe nëse do të jetë e nevojshme ulja e pagave të tyre të punës. Kjo do t'i jepte kuptim vetë amnistisë dhe do të bënte që palë përfituese e saj të mos ishin vetëm qeveria (përmes shtimit të taksave) dhe biznesi (përmes shtimit të fitimeve dhe mundësive për të fituar më shumë në të ardhmen). Sidoqoftë, "loja" sapo ka nisur dhe në ditët që vijnë, pritet që qeveria të prezantojë gjithë procesin, shkallën dhe mënyrën e përfshirjes së aktorëve të ndryshëm etj. Një aspekt tjetër që mund të përfshihet në paketën e amnistisë, është edhe qëndrimi ndaj parave të shqiptarëve të depozituara jashtë vendit, qoftë në formën e kapitaleve, fitimeve nga aktiviteti i biznesit apo në formën e kursimeve monetare të emigracionit. Studime të ndryshme tregojnë se për shkak të kufizimeve të mundësive të investimeve brenda vendit (kriza e vitit 1997 etj.), mungesës së besimit të investitorëve për një rimëkëmbje dhe zhvillim të shpejtë të ekonomisë sonë kombëtare, pranisë së korrupsionit dhe moszbatimit të ligjit në tërësi, shuma të mëdha monetare janë transferuar në vendet fqinje perëndimore ose edhe janë investuar në biznese të ndryshme në rajon, pa folur për shumat prej qindra milionë eurosh të emigrantëve shqiptarë jashtë vendit. Me gjithë vështirësitë e kuptueshme që paraqet, çmoj se përfitimet nga amnistia fiskale do të ishin realisht më të mëdha dhe mjaft të dobishme për ekonominë tonë kombëtare në tërësi nëse ne do të përfshinim edhe këto kategori burimesh monetare të zhvillimit. Përvoja botërore, si e Italisë, Gjermanisë, Moldavisë etj., tregon se për suksesin e masave te tilla për kthimin e parave nga jashtë apo për zbutjen e informalitetit, duhen zbatuar nivele modeste taksimi apo duhet përdorur një fleksibilitet i mjaftueshëm që harmonizon interesat e palëve dhe duke synuar të mirën e përbashkët. Në këndvështrimin e mbarë shoqërisë shqiptare, një amnisti e plotë do të ndihmonte të zgjeroheshin investimet private në ekonomi; biznesi do të orientohej dhe zhvendosje me lirisht nga njëri sektor apo veprimtari ekonomike në tjetrën përmes një procesi ristrukturues me fleksibilitetin e mjaftueshëm; do të rritej presioni pozitiv mbi bankat për të ulur normat e tyre të interesave bankare për kreditë që ofrojnë si dhe do të shtoheshin mundësitë për punësim. Mendoj se duhet të pranojmë faktin se efektet e krizës botërore mbi ekonominë tonë kombëtare tani po shfaqen në përmasat e veta, se prognozat për zhvillimet e pritshme ekonomike te 2010-s në vend, në rajon dhe me gjerë japin një prognozë "të rezervuar" dhe pesimiste. Kjo do të thotë se fokusimi i politikave publike, duke përfshirë ato fiskale, në nxitjen e punësimit dhe zgjerimin me çdo kusht të tij mbeten "arma" e vetme eficente në zbutjen e këtyre efekteve. Thellimi i mëtejshëm i borxhit publik përmes thithjes së kursimeve monetare të popullatës të depozituara në bankat tregtare dhe borxhit të jashtëm në kushte tregtare mendoj se duhen menaxhuar me kujdes për pasojat që mund të krijohet në periudhën afatmesme. Në pikëpamje të kohës, mendoj se amnistia fiskale duhet të ndërmerret mbas një debati të gjerë publik dhe në institucionet shtetërore (Kuvend etj.); duhet shoqëruar me ndryshimet fiskale përkatëse edhe në buxhetin e shtetit; duhet të synojë përputhjen e kësaj kohe me planifikimin e detyrimeve fiskale nga autoritet shtetërore dhe bizneset privat; si dhe duhet të qartësojë me rreptësi pasojat për shkelësit e ligjit apo individët që do të tentojnë t'i shmangen asaj në emër të "amnistisë së ardhshme apo të radhës". Për të gjithë duhet të jetë e qartë se masa të tilla rrezikojnë të kultivojnë "psikologjinë e faljes" d.m.th. krijojnë edhe efektin e kundërt - nxitjen e bizneseve dhe të qytetarëve të fshehin taksat me shpresë se do t'u falen në një kohë të dytë. Nga ana tjetër, ndërmarrja e masave të tilla në mënyrë të njëanshme nga qeveria, pa debatin e nevojshëm publik dhe synimi për përdorimin e saj thjesht për përfitime elektorale, rrezikon mosmbështetjen dhe denoncimin e paketës së amnistisë nga opozita si një "pastrim parash të rregulluar me ligj", gjë që nxit të njëjtën dukuri: mospagimin e taksave dhe përkeqëson funksionimin në tërësi të sistemit fiskal dhe minon suksesin e kësaj pakete në përmasat e një reforme të vërtetë, ndoshta më e rëndësishmja në ekonominë tonë, qysh nga paraqitja dhe zbatimi i taksës së sheshtë në mesin e vitit 2007.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›