Provokimi i Edi Ramës
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, po kërkon të hedhë në erë tryezën presidenciale, duke provokuar atë dhe të gjithë aktorët e përfshirë në mbajtjen e saj, qoftë në Tiranë e qoftë në Strasburg. Vetëm pak minuta pasi kishte dalë prej Presidencës, ku u mbajt takimi me Kryeministrin, Rama deklaroi se zgjedhjet e 28 qershorit janë të vdekura dhe se tryeza ka funksion të bëjë vetëm autopsinë.
Duke deklaruar zgjedhjet e vdekura ai del jashtë deklaratave të mëparshme në të cilat ka thënë se njeh rezultatin e zgjedhjeve dhe nuk kërkon marrjen e pushtetit në tavolinë. Kështu, ai vetë, por edhe mbështetësit e tij vendosen në një pozicion të ri ndaj Parlamentit, ndaj mazhorancës, madje edhe ndaj vetë Partisë Socialiste dhe forumeve të saj, të cilat ende nuk e kanë formalizuar këtë qëndrim të kryetarit.
Ekstremizimi i parimit të bojkotit deri në mosnjohje të zgjedhjeve rrëzon qëllimin për se mbahet tryeza, i fut një thikë pas shpine këtij institucioni që sapo ka nisur punë dhe vështirëson debatin apo dialogun, duke e fituar në shtigje të tjera, të cilat janë krejt të panjohura më parë dhe kërkojnë një axhendë tjetër nga ajo që është përgatitur ose mund të zhvillohet në ditët në vazhdim.
Artikulimi i Ramës kundër zgjedhjeve e bën të panevojshme edhe transparencën e tyre. Ashtu siç bën të pavlefshëm plozionin e mëparshëm të Ramës në paraqitjet e tij luajale ndaj rezultatit zgjedhor.
Pra, çështja nuk janë zgjedhjet, por çështja është pushteti. Nëpërmjet kësaj merret vesh që bojkoti është një instrument për të shkarkuar nga detyra pushtetin dhe jo për të përfituar një model zgjedhjesh tërësisht të drejta e të lira, siç është shprehur vetë Rama. Të gjithë e dinë se bojkoti i PS-së është i pajustifikueshëm dhe nuk ka substancë politike e aq më pak ligjore. Ky bojkot mund të faktorizonte segmente të drejtimit brenda PS-së në kurriz të defaktorizimit të partisë në elektorat. Por tashmë, pozicionimi i ri ndaj zgjedhjeve hedh dritë tek një prapaskenë e cila u publikua prej kryetarit të PS-së vetëm pak minuta pasi qytetarët shqiptarë prisnin mesazhe krejt të tjera prej Ramës. Bojkoti nuk ka të bëjë as me probleme, as me parime, siç thotë kryetari, por me llogari, që mund të jenë të Ramës aq edhe të miqve të tij të klubit.
Kryetarit të PS-së i duhet njëherë të adresojë deklaratën e tij për zgjedhjet dhe të shpjegojë me transparencë se cili është pozicioni i tij në tryezën presidenciale.
Aq sa ka thënë dje, ai e ka vështirësuar shumë debatin dhe dialogun, duke shtyrë zgjidhjen për më tej. Ai ka vështirësuar pozicionin e Presidentit, të miqve ndërkombëtarë, që kanë asistuar tryezën e djeshme dhe e kanë mbështetur pa rezerva atë. Ka provokuar rëndë mazhorancën dhe po tenton të atakojë stabilitetin politik dhe social të vendit.
Edhe brenda mureve të PS-së zor të gjejë njerëz që do ta përkrahin qëndrimin e tij më të ri për zgjedhjet.
Tryeza e djeshme ishte një hap drejt zgjidhjes së kërkesës për transparencën e zgjedhjeve, por jo për autopsinë e zgjedhjeve. Diçka tjetër ka nevojë për autopsi politike dhe ky është bojkoti, i cili rri në këmbë pa ditur kush pse, përfshirë edhe përbërësit e këtij bojkoti, deputetët e PS-së apo ndryshe, fansat e Ramës.