Remitancat dhe zhvillimi ekonomik
Seminari i këtyre ditëve në lidhje me sasinë e remitancave që kanë ardhur në Shqipëri nga emigracioni, vërteton faktin se remitancat ose rrjedhat ndërkombëtare financiare që rezultojnë nga lëvizjet ndërkufitare të njerëzve, kohët e fundit kanë filluar të tërheqin më fort vëmendjen e qarqeve akademike, politikëbërëse, bankierëve, organizatave joqeveritare dhe veprimtarëve që punojnë në emër të komuniteteve migrante; madje ndërmjet politikanëve për njëfarë kohe remitancat u panë si zhvillim i një bari çudibërës, por me të rënë euforia fillestare morën rrugë vlerësime më realiste në lidhje me kontributet zhvillimore të tyre. Kjo pikëpamje më realiste për remitancat u mirëprit, por puna mjaft e madhe që është bërë për këtë subjekt ka ngritur aq shumë pyetje sa edhe përgjigje, veçanërisht, për ata studiues që interesohen për zhvillimin dhe rrjedhat financiare ndërkombëtare në vendet në zhvillim. Në këtë aspekt, remitancat për vendet në zhvillim shihen në raport me rrjedhat e tjera të kapitalit (huat bankare, investimet e huaja direkte, investimet portofol dhe ndihma e zhvillimit administrative), me qëllim që nga studimet ndërdisiplinore për sa i përket rritjes në mënyrë të shpejtë të remitancave, të nxirren përfundime për të identifikuar çfarë dihet dhe çfarë nuk dihet rreth pasojave ekonomike, politike dhe shoqërore të remitancave. Kontribut i remitancave është ai që njihet si risk i moralit publik, sepse remitancat bëjnë të mundur që shteti në vendet në zhvillim t’i zvogëlojë shpenzimet për mallrat publike, që tradicionalisht kanë gëzuar mbështetjen publike në lidhje me kapitalin njerëzor dhe shërbimet shoqërore; kështu remitancat kanë mbuluar gabimet e qeverive në lidhje me politikat e dobëta të luftës kundër varfërisë, që zakonisht nxisin çrregullime shoqërore. Remitancat e regjistruara zyrtarisht në vendet në zhvillim vlerësohen rreth 328 miliardë US$ në vitin 2008 nga 285 miliardë që ishin në 2007 dhe sipas të dhënave, Banka Botërore ka parashikuar se rënia e remitancave (që filloi në tremujorin e tretë të vitit 2008) do të thellohej në vitin 2009 për shkak të krizës financiare botërore. Edhe pse pjesa më e madhe e remitancave nuk rrjedh në drejtim të vendeve më të varfra të vendeve në zhvillim, kur analizohen ato në raport me PPB-në dhe të ardhurat e importit, rezulton se janë relativisht më të rëndësishme veçanërisht për vendet me të ardhura të ulëta, sesa për ato me të ardhura të mesme. Në të gjithë vendet në zhvillim rrjedhat e remitancave kundrejt PBB-së (Prodhimit të Brendshëm Bruto) kanë qenë 2 për qind ose të shprehura në miliard US$ sipas viteve: 31 miliardë në 1990; 84 miliardë në 2000; 226 miliardë në 2006; 285 miliardë në 2007; 328 miliardë në 2008 dhe 304 – 313 miliardë parashikohej për 2009-n. Në vendet me të ardhura të ulëta kundrejt PBB-së kanë qenë 6 për qind, ndërsa të shprehura në miliard US$ përkatësisht sipas viteve të mësipërm: 5 miliardë; 8 miliardë; 29 miliardë; 25 miliardë; 31 miliardë dhe parashikohej 29 – 30 miliard. Në vendet me të ardhura të mesme kundrejt PBB-së kanë qenë 1.8 për qind, ndërsa të shprehura në miliard US$ përkatësisht sipas viteve të mësipërm: 26 miliardë; 76 miliardë; 197 miliardë; 261 miliardë; 297 miliardë dhe parashikohej 275 – 282 miliardë. Në vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore (ndarje administrative kjo e bërë nga Banka Botërore) kundrejt PBB-së kanë qenë 1.8 për qind, ndërsa në miliard US$ përkatësisht sipas viteve të mësipërm: 3 miliardë; 13 miliardë; 39 miliardë; 51 miliardë; 57 miliardë dhe parashikohej 49 – 50. Numri i emigrantëve shqiptarë në vendet e BE-së nga 380 978 ose 12,47 për qind në vitin 2000 u rrit në 872 064 ose 27,56 për qind në vitin 2007, duke shënuar kështu përqindjen më të madhe krahasuar me numrin e emigrantëve të Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë, Serbisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Sllovenisë. Dërgesat e emigrantëve shqiptarë nga 12,41 për qind në vitin 2000 u rritën në 20,33 për qind të PBB-së në vitin 2006. Në vitin 2007 remitancat ishin më shumë se dy herë më të mëdha sesa rrjedhat e ndihmës së zhvillimit administrativ dhe pothuajse sa gjysma e investimeve të huaja direkte dhe investimit portofol. Edhe për vitin 2009 remitancat për vendet në zhvillim kanë qenë të rëndësishme në raport me rrjedhat e tjera ndërkombëtare të kapitalit, sepse kanë qenë burimi më i madh i çdo lloji financimi nga jashtë, ndërsa për vendet e vogla remitancat kanë qenë burimi kryesor i të ardhurave, pasi remitancat janë më pak të avullueshme sesa rrjedhat e tjera ndërkombëtare të kapitalit privat. Në përgjithësi ato janë prociklike në lidhje me ulje-ngritjet ekonomike botërore (p.sh. rrjedhat e remitancave rriten gjatë bumeve ekonomike dhe zvogëlohen gjatë rënieve ekonomike), ndërkohë që deri para krizës financiare botërore, remitancat ishin kundërciklike (p.sh. rrjedhat e remitancave për vendet në zhvillim janë rritur pasi kanë ndjekur krizat politike dhe ekonomike si dhe fatkeqësitë natyrore të vendeve ku kanë ndodhur ato).
Është i padiskutueshëm fakti që menjëherë sapo njerëzit i plotësojnë nevojat e tyre bazë, remitancat më pas i përdorin për kursime, për pagimin e borxheve, për mjete konsumi afatgjatë, për blerjen e shtëpive dhe tokës, për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe agrobiznesit, si dhe për investime në arsim dhe kujdes shëndetësor; në të vërtetë këto efekte të remitancave bëhen objekt i interesit të veçantë të politikëbërësve. Remitancat mbështesin llojet e mësipërme të investimeve dhe kjo është e rëndësishme, por arritjet në këto investime duhen vendosur në një kontekst më të gjërë, sidomos kur nga të gjithë dihet se shteti dhe sistemi bankar zyrtar në vendet në zhvillim, për një kohë të gjatë, nuk i ka i ka kredituar siç duhet bizneset e vogla dhe fermerët. Më i ashpër ky problem ka qenë veçanërisht në ato vende ku shteti i ka zhveshur fare programet afatgjata që u siguronin kategorive të parapërmendura njëfarë ndihme përmes sigurimit të kapitalit të punës me përqindje të subvencionuara dhe kjo është arsyeja përse remitancat deri tani kanë ndrequr dosido boshllëqet e financimit publik dhe atij bankar. Shteti në vendet në zhvillim gjithashtu nuk ka investuar siç duhet për një kohë të gjatë për kapitalin njerëzor dhe kjo situatë ka qenë më e ashpër në ato vende ku mbështetja shtetërore për arsim dhe shëndet publik është rrudhur në mënyrë radikale, aq më shumë atje ku janë privatizuar shërbimet publike thelbësore; pavarësisht këtyre fakteve është e arsyeshme që të merret me mend se këto boshllëqe të mëdha për sa i përket ndihmës së biznesit të vogël, fermerëve dhe kapitalit njerëzor, nuk do të mund të plotësoheshin nga remitancat, pasi vetëm një përqindje e caktuar e remitancave (8.7 për qind) ka shkuar në vendet më të varfra të vendeve në zhvillim dhe koncentrimi i tyre është bërë në rajone të veçanta të çdo vendi. Në këtë kontekst është e rëndësishme të dihet nëse remitancat krijojnë riskun e moralit publik për qeveritë e vendeve në zhvillim, duke zgjidhur pjesërisht vonesat në procesin e zhvillimit dhe a i inkurajojnë ato aktualisht shtetet e vendeve në zhvillim në injorimin e përgjegjësive tradicionale, pasi qeveritë i perceptojnë (ose shpresojnë) se remitancat do të mbushin boshllëqet e ndryshme?
Ka njëfarë dëshmie se në disa vende remitancat mbështesin investimin publik duke siguruar kapital për klinikat shëndetsore, tokën, puset, vaditjen, pajisje dhe shkolla në komunitete të veçanta; pjesa më e madhe e financimit për investime publike nga remitancat vjen nga shoqatat e organizuara të emigrantëve që i kanë mbledhur dhe kanalizuar remitancat për projekte publike në qytetet dhe fshatrat e origjinës (deri para vitit 1939 kjo dukuri shihej në Shqipëri me emigrantët shqiptarë në SHBA e gjetkë, por nga viti 1991 e këtej nuk ka ndonjë dëshmi); janë bërë disa studime, por megjithatë ende nuk mund të bëhet një vlerësim në lidhje me kontributin e remitancave për investimet publike në vendet në zhvillim. Në qoftë se remitancat shërbejnë si katalizator për investimet publike që në të kundërtën nuk do të bëheshin, natyrisht efekti neto është pozitiv, por në qoftë se remitancat u zënë vendin investimeve publike duke nxitur riskun e moralit publik, atëherë kontributi i tyre mund të jetë margjinal ose madje negativ; mund të jetë në këtë mënyrë pasi këto forma të reja institucionale maskojnë zvogëlimin neto të financimit publik pas shpinës së atyre që dërgojnë dhe marrin remitanca.
Roli shumë interesant që luajnë remitancat është ai se ato funksionojnë si një nga format e siguracionit shoqëror që mbështet konsumin dhe investimet familjare për kapitalin njerëzor, duke siguruar mbështetje kritike gjatë krizave politike, financiare dhe ekonomike, si dhe në rastet e fatkeqësive natyrore. Mbështetja materiale e siguruar nga remitancat për të goditurit gjatë krizave është një arritje që nuk mund të mohohet, por marrëdhënia ndërmjet remitancave dhe goditjeve ekonomike është më komplekse nga sa mund të kuptohet zakonisht. Një nga aspektet e këtij kompleksiteti i përket marrëdhënies ndërmjet remitancave dhe politikave të mangëta që kanë ndjekur qeveritë për shkak se kanë rrudhur programet sociale dhe përgatitjet publike institucionale, që tradicionalisht i kanë ndihmuar njerëzit për t’i bërë ballë goditjeve (dhe në disa raste madje për të zvogëluar gjasat se këto goditje do të ndodhnin); në mungesë të absorbuesve publikë të goditjes, remitancat funksionojnë si mekanizma privat që zhvendosin barrën e korrigjimit për goditjet në rrjetin e familjeve të përhapura në vende të ndryshme; për më shumë, disa qeveri krijojnë një mjedis ku goditjet bëhen më të shpeshta dhe të ashpra dhe në këtë mënyrë e bën gjithnjë e më të domosdoshëm rolin absorbues të remitancave. Megjithatë, nuk duhet të injorohet roli destabilizuaes i remitancave edhe pse ka pak raste ku aktualisht remitancat kanë qenë një kanal i pavarur i destabilizimit, si është rasti i Shqipërisë ku u pa qartë se si remitancat e shqiptarëve që jetonin dhe punonin në Itali dhe Greqi frynë skemat piramidale të vendit në vitet 1995 – 96; remitancat që financuan skemat piramidale tërhoqën një sasi paraje pothuajse sa gjysma e PPB-së së vendit në 1996 dhe kolapsi i skemave piramidale çoi në destabilizim serioz politik dhe ekonomik të vitit 1997, i cili u stabilizua vetëm me anë të një raundi të ri migrimi dhe të remitancave. Përfundimisht, për arsye të lidhjeve shumë të ngushta që kanë ekonomitë e vendeve, remitancat mund të shihen ende si një kanal tjetër infeksioni që mund ta transmetojë paqëndrueshmërinë ekonomike, ose tkurrjen nga një vend në tjetrin; në çështjen e deportimit me forcë kanë rezultuar disa çështje interesante që kërkojnë investigim. Është e dukshme se deportimi me forcë sjell ndalimin e remitancave, por ajo çfarë ka filluar të kuptohet është se rënia e remitancave po bën të mundur krizën e tregut të shtëpive në vendet e botës në zhvillim, sepse remitancat shpesh përdoren për të mbështetur blerjen e shtëpive dhe tokës në vendin e origjinës së emigrantëve; ka dëshmi gjithashtu se deportimet me forcë kanë shkaktuar presione të forta në disa vende për sa i përket sigurimit të arsimit, kujdesit shëndetësor dhe hapjes së vendeve të reja të punës për të deportuarit. Ka njëfarë dëshmie se deri në vitin 2009 remitancat kanë mbetur të pandryshuara edhe pse ka pasur rënie ekonomike në vendet ku jetojnë dhe punojnë emigrantët, por thellësia dhe përhapja e krizës ekonomike botërore mund të bëjë që remitancat të ekspozojnë natyrën e tyre prociklike me uljet dhe me ngritjet e tyre. Një efekt i paparashikuar i remitancave është fakti se ato në disa vende (dhe në Shqipëri) kanë furnizuar marrjen hua të qeverive nga publiku i gjerë nëpërmjet letrave me vlerë (bonuset e thesarit) me përqindje më të larta se depozitat bankare, por niveli i borxhit publik në ditët e ndikimit të krizës ekonomike botërore ua ka bërë të qartë politikëbërësve të vendeve në zhvillim se ata duhet të ushtrojnë kujdes ekstrem në konsiderimin e remitancave për qëllime të huamarrjes publike me letra me vlerë.
Deri tani janë bërë pak kërkime mbi pasojat politike të angazhimit financiar nëpërmjet remitancave të dërguara nga komunitetet e diasporës edhe pse shumë vende kanë pasur politika aktive për ta mbajtur diasporën të angazhuar me vendin nëpërmjet remitancave, madje ndonjë vend i caktuar është orvatur t’i drejtojë remitancat nëpërmjet kanaleve qeveritare (si ishte rasti i Kosovës para vitit 1999). Meqenëse remitancat janë me shumë përfitim për vendet e origjinës së emigrantëve, e rëndësishme është të investigohen pasojat politike të remitancave nga emigracioni në sfondin e kontributit që kanë dhënë remitancat për rrëzimin e diktaturave por dhe në nxitjen e konflikteve civile dhe ndërkufitare, për të parë nëse dhe se si remitancat i japin fuqi zërit politik në një vend të caktuar. Çështja përfundimtare është ajo nëse ka efekt mbi prirjet e pasurisë së vendeve në zhvillim njohja kohët e fundit e domethënies empirike dhe aspektit vetësigurues të remitancave po aq sa ka ndihma e zhvillimit administrativ? Sepse, në këtë kontekst, skeptikët dhe burokratët e ndihmës ndërkombëtare i kanë mbërthyer remitancat si pjesë të asaj që është quajtur “privatizimi i ri i ndihmës së huaj”.
Për të njohur më shumë mbi remitancat nevojitet shumë punë, por prapëseprapë mbi këtë pikë paraprake mund të shihet tashmë se efektet e remitancave janë komplekse, kontradiktore, ngjarje të paparashikuara ku ndikojnë shumë faktorë që ndryshojnë nga rasti në rast dhe, kësisoj, nuk këshillohen për të bërë përgjithësime. Në këtë kuptim, remitancat bartin me vete kompleksitete që nuk janë më pak domethënëse sesa ato që janë thënë në studimet për tipat e tjerë të rrjedhave ndërkombëtare të kapitalit. Në këtë mënyrë askush nuk duhet të zhgënjehet ose të çuditet nëse kërkimet e ardhshme do të zbulojnë se remitancat nuk kanë implikime uniforme dhe pa dy kuptime; askush nuk duhet të çuditet kur të mësojë se mençuria konvencionale mbi rolin zhvillimor të remitancave mund të ndryshojë në mënyrë dramatike si pasojë e krizës së fundit ekonomike botërore. Në këtë kuptim, duket se remitancat po bëhen prociklike duke i bërë ato më shumë ashtu si rrjedhat e tjera të kapitalit privat ndërkombëtar. Kjo gjë sugjeron se politikanët, të cilët pak vite më parë festonin ndikimin zhvillimor të remitancave, mund të detyrohen tashmë të njohin se remitancat dhe rrjedhat e tjera të kapitalit privat ndërkombëtar, ose zëvendësojnë ndihmën për zhvillim administrativ, ose janë për strategjitë e zhvillimit ekonomik për të mobilizuar dhe kanalizuar në shërbim të zhvillimit burime që gjenerohen me drejtim brenda vendit.