Rikthim te debati bazë
Historia e Shqipërisë, si shtet, mund të ndahet në pesë periudha, të cilat, përveç skenës ku luhen shfaqjet, kanë të përbashkët tragjizmin dhe një element shtesë, që, për të mos i thartuar turinjtë e ndokujt kaq herët, gjendet më poshtë në tekst.
Një: periudha kur Shqipëria nuk dihej cila ishte: të tjerë kufij politikë kishte për shqiptarët, të tjerë për Fuqitë e Mëdha dhe të tjerë për fqinjët; kjo përfshin vitet 1912-1920.
Dy: përpjekjet për ndërtimin e shtetit shqiptar nga hiçi, 1920-1939.
Tre: lufta për zhdukjen e pavarësisë së shtetit shqiptar, fillimisht, 3 vjet, nga Italia, pastaj nga Jugosllavia, 1939-1948. Edhe pa hapjen e arkivave, janë zbuluar dokumente të mjaftueshme që dëshmojnë gatishmërinë e komunistëve shqiptarë për bashkimin me Jugosllavinë (“Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, 1945-1948, dokumente”, 1996).
Katër: ndërtimi i çmendinës së rrethuar me tela me gjemba, 1948-1990.
Pesë: periudha kur shqiptarët që kanë pasur në dorë pushtetin, s’kanë ditur nga t’ia zinin fillin dhe s’e kanë bërë ende atë duhej të bënin të parën: dekomunistizimin.
Shqipëria është vendi i fundit ballkanik që u shkëput nga Perandoria Osmane, ishte i vetmi vend në Evropën Lindore që ndërtoi diktaturën komuniste më ekstreme, i fundit në Lindje që u shkëput prej komunizmit dhe, pas gjasave, i fundit që do të anëtarësohet në “perandorinë” evropiane.
Të gjitha këto arritje kombëtare me rezultatin “i fundit” kanë edhe një element tjetër të përbashkët që e nënkuptova në paragrafin e parë: padijen për të bërë atë çka ishte më e mira, krahasuar me të tjerët, në momentin e dhënë.
Sigurisht, analizimi i ngjarjeve historike është kompleks dhe nuk mund të bëhet me pak radhë, por edhe me ndonjë penelatë të shpejtë, mund të evidentohen ca gjëra të përgjithshme.
Mund të thuhet, për shembull, mendoj unë, se nëse shqipja do të ishte shkruar më parë, vetëdija kombëtare mund të ishte konsoliduar më shumë dhe më herët. Nëse do të kishte ekzistuar infrastruktura, pa dyshim që shqiptarët do të kishin qenë më të prirë për qarkullimin e ideve dhe Shqipëria do të kishte dalë më pak e dëmtuar territorialisht nga shpërbërja e Perandorisë Osmane.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe më vonë. Nëse vetëdija kombëtare do të ishte konsoliduar, pavarësia nuk do të kishte qenë një akt aq i dëshpëruar, prej të cilit, veç fotos në ballkonin e Shtëpisë së Flamurit, s’na ka mbetur gjë tjetër. Ditën e pavarësisë, duken si një tufë entuziastësh pas shënimit të një goli, por të paqartë se ç’mund të ndodhte më tej gjatë lojës, prej asaj dite s’kemi asgjë programatike të shkruar në letër që ne t’i referohemi, herë pas here, siç i referohemi urtësisë së gjyshërve në familje ose siç u referohen Etërve Themelues, edhe pas dy shekuj e ca, amerikanët.
Fjalimi i themeluesit të shtetit shqiptar, kur e lexoj sot, habitem si komunistët nuk e kanë konsideruar “mesharin” e socrealizmit letrar: emocional, deklamativ, folklorik. Ndoshta, ngaqë Ismail Qemali, i ndodhur në një rrëmujë nga s’kishe ku t’i zije fillin, e kishte kthjelltësinë “t’i drejtoj Zotit të Madh një lutje”.
Në historinë tonë, me përjashtim të periudhës së Rilindjes, mungon një lëvizje mendore e fuqishme për t’i ndryshuar gjërat.
Jo në sensin revolucionar që tentuan komunistët. Ata s’kishin mendim, shumica e komunistëve, besoj unë, janë larguar nga kjo botë pa lexuar edhe Marksin, prej të cilit citonin ndonjë frazë të importuar nga rusishtja. Në vitet ‘20-‘30 të shekullit të kaluar, pati një tentativë për zhvillimin e një mendimi të ri, por shumë shpejt komunistët shkelën mbi të si elefanti në një lulishte.
Krahasuar me mendimtarët, injorantët ishin në shifra të përbindshme.
Faktorët e jashtëm kanë ndikimin e tyre, herë-herë edhe përcaktues, por nëse nuk do të kishin gjetur kaq shumë injorancë sa kishte Shqipëria e viteve ‘40, pa dyshim e keqja do ta kishte pasur suksesin më të vogël.
Komunistët shqiptarë nuk i ka bashkuar kurrë ideologjia, ajo ka qenë thjesht një maskë. Ata i bashkonte urrejtja për të pasurit, njerëzit që mendohej se bënin një jetë përrallore dhe dëshira e tyre për një jetë përrallore. Ca nga padija, ca nga terrori, populli nuk pati zgjidhje tjetër.
Me ardhjen në pushtet, këta njerëz të babëzitur bënë atë që bën derri me të mbjellat: shkul me noçkë e shkel me këmbë. S’mund të ndodhte ndryshe, duhet t’i kuptojmë, derri s’ka vetëdije humane, kombëtare etj.
Pavarësia dhe demokracia shqiptare ngjanë si dy pika uji me njëra-tjetrën: entuziazmin e patën me bollëk, shpresat të mëdha, projektet, nëse tregohemi dorëlëshuar në vlerësim, minimale. Arsyeja: padija.
Drejt demokracisë gjërat rrodhën shpejt e shpejt brenda më pak se një viti. Me misrin që e hedh në arë në pranverë, në vjeshtë mund të mbushësh hambarët, por me mendimin nuk mund të arrihet e njëjta gjë, për një kohë kaq të shkurtër.
Dalja në skenë e nevojës së hapjes së arkivave, gjetjes së trupave të të pushkatuarve, ndërtimi i Institutit të Kujtesës nuk është rastësore, nuk është manovër politike, por një klithmë e sinqertë e trupit, të cilit nuk i bëjnë më efekt ilaçet që e kanë qetësuar deri tani.
E panatyrshme është retorika e ashpër, ajo e tradhton perspektivën historike, ajo e kthen vëzhguesin në vitin 1991. Rikujtimi i ngjarjeve të dy dekadave të shkuara me një lloj ndjeshmërie sikur të kishin ndodhur dje, e tradhton debatin: kur e rifiton kujtesën një njeri i dëmtuar, ai nis ta kujtojë historinë aty ku e ka ndërprerë.
Njëzet vjet më vonë, në debat s’duhet të jemi emocionalë. Studimi i krimeve të komunizmit, hapja e dosjeve, dënimi i kriminelëve, nëse do të dënohen, lustracioni etj. nuk mund të bëhen për të nderuar viktimat e komunizmit, për t’u larë “borxhin” ish-të përndjekurve, sepse askush nuk e ndryshon dot të shkuarën. Gjithçka duhet bërë dhe kështu duhet artikuluar, mendoj unë, për brezin e sotëm dhe brezat që vijnë. Ne duhet të mësojmë, të përgatitim breza të dinë se cilat janë pasojat e një shoqërie që vret, burgos dhe internon njerëz, që zhduk lirinë e fjalës, mendimit alternativ, besimit, që shkatërron pronën, që promovon injorancën etj. Brezat duhet ta mësojnë që kriminelët, sado pushtet të kenë në një kohë të caktuar, vjen një ditë që japin, qoftë dhe moralisht e qoftë dhe pas vdekjes, llogari për krimet e tyre. Ne duhet të japim shembuj që liderët e ardhshëm të mësojnë se gara e tyre nuk është me bashkëkohësit, por me historinë. Ne duhet të hedhim bazat që shoqëria jonë të përgatitë njerëz, me mendje dhe shpirt, dhe jo gjedhë, ca prej të cilëve ndodh që marrin në dorë edhe drejtimin e vendit.
Nëse debatin e sotëm nuk e dominojnë përfitimet afatgjata të shoqërisë prej dekomunistizimit, betejën do ta fitojnë llogaritë e vogla të ditës, të cilat mund të jenë të dëmshme për Shqipërinë, siç ishin kompromiset me Ramiz Alinë & co në vitin 1990 e më pas.