Marrja e Bashës si i pandehur me urdhër të Edi Ramës

Dosja e rrugës “Durrës- Kukës”, po shtynë gjithnjë e më shumë PS-në në presionin e saj ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për ndëshkime të rrepta ligjore dhe financiare. Në kundërshtim me moralin politik por mbi të gjitha ligjin, selia rozë i ka kërkuar organit të akuzës që të japë jo vetëm ndëshkime ligjore por edhe financiare ndaj atyre që pretendohet se kanë abuzuar më fondet e rrugës Durrës-Kukës, duke interferuar sërish në punën e një organi akuze që edhe pa këtë ndërhyrje të radhës ka dhënë shenja të qarta të veprimeve me prapavija politike.
Një ditë para se ministri i Jashtëm, Lulzim Basha të shkojë të deponojë në Prokurorinë e Përgjithshme në lidhje me procedurat e tenderimit të ndërtimit të veprës kombëtare Durrës-Kukës, Partia Socialiste ka rikthyer presionet e hapura publike ndaj organit të akuzës duke e ftuar atë që të shtojë zellin politik në ndëshkimin e kundërshtarëve politikë të lidershipit rozë.
Kryetari i komisionit të ligjeve në PS, Ylli Manjani, pasi ka bërë pretencën e partisë së tij, ndaj të akuzuarve për dosjen e rrugës Durrës - Kukës, ka kërkuar që këtë pretencë ta marrë të gatshme dhe ta përdorë edhe Prokuroria e përgjithshme. Duke e konsideruar “një super dëm ekonomik” ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, Manjani, në emër të PS-së, i ka kërkuar në formë urdhri Prokurorisë që të japë si ndëshkim ligjor ashtu edhe financiar për
ata që PS-ja i supozon si abuzues.
Nuk është hera e parë që kryhen presione të tilla ndaj këtij organi kushtetues për të cilin paradoksalisht e majta ka akuzuar mazhorancën se kërkon që ta vërë nën kontroll. Vetëm një muaj më parë ka qenë vetë kryesocialisti Rama ai që në një seri daljesh publike ushtroi presion të hapur ndaj Prokurorisë së Përgjithshme duke i rekomanduar asaj marrjen në pyetje të kreut të diplomacisë shqiptare në cilësinë e të pandehurit.
Dhe kjo ndodhi.
Partia Demokratike përmes zëdhënësit të grupit parlamentar, Aldo Bumçi reagoi ato ditë duke deklaruar se akuzat e Ramës dëshmonin tmerrin që ka ai ndaj veprës më të rëndësishme ne vend, rrugës Durrës - Kukës, projekt i cili nisi kur Lulzim Basha ishte Ministër i Transporteve dhe Punëve Publike. “Kreu i opozitës, me një presion flagrant ndaj Prokurorisë, i kërkoi asaj të marre të pandehur, ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha për rrugën Durrës-Kukës, duke dëshmuar në këtë mënyrë, tmerrin e tij për veprën e shekullit”, do të shprehej Bumçi.
...