Në 96-vjetorin e shpalljes së pavarësisë

Marrëveshja e Prishtinës, si prelud i 28 nëntorit
Acarimi i marrëdhënieve shqiptare turke arriti aty kah mesi i vitit 1912 kur Turqia kundër shqiptarëve përsëri përdori ushtrinë për t'i qetësuar ata. Por, këto masa fare nuk ndikuan në vendimin e krerëve shqiptarë që kishin dhënë besën në Kuvendin e Junikut
Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare për çlirimin e vilajetit të Kosovës dhe tërë Shqipërisë Etnike kishte marrë hov. Diplomacia evropiane me të madhe i përcillte të gjitha lëvizjet ushtarake në lidhje me operacionet që operonte Kryengritja e
Përgjithshme Shqiptare, në krye me Hasan Prishtinën. Kjo shihet edhe nga raporti i konsullit Kral nga Selaniku, i cili në atë kohë raportonte Vjenës: "se Shqipëria
është ngritur e tëra në këmbë, shqiptarët kudo që janë përgatiten për të ardhur në vend, që të luftojnë për çlirimin e Shqipërisë etnike, kudo nëpër botë po mblidhen ndihma si në Egjipt, Evropë, Amerikë. Vetëm nga Amerika kanë ardhur mbi 62 të rinj, për të luftuar në Shqipëri kundër Turqisë. Krerët shqiptarë dhe disa deputetë të saj më në fund ishin të bindur: "se me lutje dhe kërkesa nuk mund arrihet diçka më tepër në lidhje me çështjen shqiptare dhe përcaktimin e kufijve natyror që i takonin Shqipërisë Etnike". Qeveria
turke në lidhje me kërkesat shqiptare nuk pranonte kurrfarë kompromisi, ajo luftonte me
të madhe për shkrirjen e vlerave kulturore-historike dhe nacionale të shqiptarëve. Ajo ndaloi rreptësisht përdorimin e alfabetit latin, mbylli të gjitha klubet shqiptare: në Shkup, Tetovë. Manastir etj. Ajo shkoi aq larg sa që i dënoi me burgje të gjithë ata atdhetarë që favorizonin kulturën dhe historikun e rilindëseve dhe patriotëve shqiptarë, duke aprovuar ndaj tyre masa të ashpra ligjore. Këtë fat e përjetuan shumë atdhetarë: si Rexhep Shipkovica-Tetova, i cili më në fund u ngritë kundër Turqisë, pasi e botoi veprën "Mendime" u burgos, Abdilhaqim Dogani u internua në Bursë të Turqisë, ndërsa Dervish Hima pasi e vuajti dënimin u largua në Vjenë e tjerë. Acarimi i marrëdhënieve shqiptare turke arriti aty kah mesi i vitit 1912 kur Turqia kundër shqiptarëve përsëri përdori ushtrinë për t'i qetësuar ata. Por, këto masa fare nuk ndikuan në vendimin e krerëve
shqiptarë që kishin dhënë besën në Kuvendin e Junikut, ku ishte marrë vendim që me armë në dorë të luftohej deri në njohjen e autonomisë dhe bashkimin e Shqipërisë Etnike, ku bënin pjesë këto vilajete: i Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe ai Kosovës, i cili deri në
vitin 1912 përfshinte edhe: Preshevën, Bujanocin, Kumanovën, Shkupin, Velesin, Tetovën, Gostivarin dhe Mavrovën. Me disa fshatra të Rekës kufizohej me Dibrën, kurse në drejtim të Strugës me Kërçovën. Shqiptarët e Vilajetit të Kosovës dhe udhëheqësit e saj, nën komandën e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Ramadan Zaskocit, Mehmet Tetovës, Sahit Hoxhës, më 21-22 korrik hynë në Prishtinë. Ndërkaq në anën lindjes
edhe forca tjera të udhëhequra nga Kadri Hasan Presheva që përfaqësonte Preshevën me
Bujanocin, ndërsa nga Gjilani Idriz Seferi. Krerët e njësiteve vullnetare afër fshatit
Pozharan patën një takim të rëndësishëm historik me Bajram Currin, ku morën pjesë mbi
70 atdhetarë, ku u kërkua që në mbledhjen e Prishtinës t'i jepet përkrahje pa rezervë
programit politik për autonomi të propozuar nga Hasan Prishtina. Në këtë takim u zotuan
se deri në fund do të luftojnë për njohjen e autonomisë dhe marrjen e Shkupit. Kah Prizreni u nis me 3-4000 luftëtarë Jahja Doda nga Tetova nën komandën e Halim Derrallës dhe Abdyrhaman beut me 3000 luftëtarë në drejtim të Prishtinës. Në këto rrethana lufte, shqiptarët e të gjitha trojeve arritën për herë të parë në historinë tonë kombëtare që kërkesat e veta t'i harmonizojnë në një program të përbashkët kombëtar pas periudhës së lavdishme të Skënderbeut. Në Marrëveshjen e Prishtinës më 2 gusht 1912, përfaqësues i të gjithë shqiptarëve për herë të parë nominohet zyrtarisht nga tërë trojet shqiptare Hasan Prishtina. Kjo marrëveshje në historinë tonë kombëtare është e njohur me emrin "14 pikat e Hasan Prishtinës". Komisioni qeveritar turk arriti në Prishtinë nga Shkupi i udhëhequr nga Ibrahim Pasha nga Manastiri. Edhe ky ishte me origjinë ishte shqiptar, por nuk e fliste shqipen dhe shtirej sikur e kishte harruar gjuhën e nënës. Këtë e shoqëronin Sulejman Kolonja dhe Ali Danish Gjinolli nga Prishtina. Ibrahim Pasha para se të hynte në Prishtinë tentoi te udhëheqësit shqiptarë të fuste huti, duke u ofruar para
dhe poste të larta në qeveri. Këto oferta u hodhën poshtë nga nacionalistët e shquar shqiptar, si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini. Ndërsa në mesin e kryengritësve pati edhe të atillë që u lakmuan pas posteve. Ndër ta pati udhëheqës nga Tetova, Shkupi dhe Prishtina. Komisioni qeveritar turk i filloi bisedat me parinë shqiptare në xhaminë "Sulltan Murat Pasha", të udhëhequr nga Hasan Prishtina. Manastirliu për udhëheqës
të mbledhjes kishte caktuar haxhi Agush Xhemailin nga paria e Prishtinës, njeri fetar me
ide tejet prapanike në lidhje me kërkesat e krerëve shqiptarë. Kërkesa e parë e kryengritësve ishte shpërndarja e parlamentit turk. Qeveria turke këtë kërkesë e pranoi duke u shtirë se gjunjëzua para vullnetit të shqiptarëve. Sulltani kinse për shkak të shqiptarëve me dekret e shpërndau parlamentin më 5 gusht 1912. Me këtë akt të sulltanit u kënaq vetëm opozita e itilafistve, e cila nuk dëshironte gjë tjetër përveç kësaj kërkese. Komisioni turk rrëzimin e parlamentit u mundua ta paraqesë si fitore të kryengritësve
shqiptarë dhe pas kësaj reforme nuk kishin çka të bisedonin më tutje dhe tentuan që të kthehen në Stamboll. Me rënien e qeverisë turke nuk u kënaqën krerët nacionalistë shqiptarë, pasi asnjë kërkesë e tyre kombëtare nuk ishte realizuar sipas vendimit të marrë në Kuvendin e Junikut. Prandaj, kërkesa e komisionit qeveritar turk u kundërshtua. Krerët nacionalistë në krye me Bajram Currin u përgjigjën kundër kërkesës së komisionit që donte të kthehet për në Stamboll. Duke deklaruar se bisedat me kryengritësit shqiptarë kanë përfunduar me sukses. Në anën e kryengritësve shqiptarë, të udhëhequr nga
Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Bajram Curri, Isa Boletini, deklaruan se nuk shpërndahen vetëm me rënien e qeverisë turke, por se kërkojnë me çdo kusht plotësimin e kërkesave kombëtare të nënshkruara në Kuvendin e Junikut nga të gjithë krerët e Lëvizjes Kombëtare të mbarë Shqipërisë Etnike. Vendosmërinë e patriotëve shqiptarë e ngriti edhe më shumë telegrami që i arriti Hasan Prishtinës nga përfaqësuesit e Shqipërisë së Jugut ku thuhej: "Ne, Këshilli revolucionar i Shqipërisë së Jugut, për shkaqe lufte nuk mundëm të marrim pjesë në biseda, prandaj në emër tonë e autorizojmë Hasan Prishtinën për mbrojtjen e kërkesave tona kombëtare të ditura". Më 29 korrik edhe nga Vlora iu dërgua sulltanit një memorandum tjetër prej 13 pikave ku kërkohej autonomia me tërë kuptimin e saj, njëkohësisht me këto u njoftuan të gjithë konsujt e Fuqive të Mëdha.
(vijon)
...