Të gjithë rreziqet e pushimit të kafesë
18/02/2005 Pushimi i paradites në zyrë për të pirë kafenë e pashmangshme mund të sjellë me vete shumë të papritura. Por e përjavshmja italiane Tu paralajmëron: jo gjithmonë e vërteta shfaqet në po atë përmasë pasi uleni sërish në tryezën e punës. Përzierja më e zakonshme që na takon të pijmë me kafenë është një surrogato me bazë thashethemet dhe fjalët pas shpine. Zakonisht, kolegu i turnit, me zë të ulët, fillon: "Ej, shiko, të mbetet midis nesh, por thonë që..." Përpikmërisht para orës së drekës, sekretin do ta kenë marrë vesh të paktën 12 njerëz dhe në variante nga më të ndryshmit. Një këshillë e shefit, në hapësirën mes tre kafeve apo kapuçinove, është shndërruar në muhabet publik. Atëherë, si duhet të mbrohesh? E kotë të kërkosh kthim prapa: më mirë të pohosh me kokë gjatë kohës që tjetri flet dhe mendjen ta kesh diku tjetër. E njëjta mënyrë duhet përdorur nëse dëshira për kafe shndërrohet në një psikolog rrethanor. Depresioni i turnit të merr me vete me frustrimet dhe gjendjet e këqija shpirtërore? Atëherë këshilla është po e njëjta. Nëse nuk ke dëshirë të vazhdosh me gjendjen e keqe shpirtërore, bëj kinse je e interesuar ndaj muhabetit të tjetrit dhe ngushëllohu: këshillat e tua mund të jenë më të mira se ato të ndonjë plake. Ekspresi apo makina e kafesë është gjithashtu edhe një vend ku bëhen premtimet e kota: organizohen darka përrallore, fundjava në plazh, madje dhe pushime të zgjatura. Në të vërtetë, kjo është dëshira për t’u arratisur, tipike për një pushim larg punës, për ta hequr pak mendjen dhe për t’u marrë me gjëra më të këndshme dhe të bukura. Kur kuptohet që kjo gjë nuk është e mundur, mos u ndjeni në faj nëse gjithë planet shkojnë dëm. Dhe në fund, kujdes nga takimet madhështore. Në fakt, ka gjasa që 45% të marrëdhënieve lindin në vendin e punës, dhe për këtë faji është i lënies së vetes në dorë të pushimit të kafesë. Por kujdesi është i detyrueshëm: në këto rrethana, edhe një koleg që normalisht mund ta konsideroni kalimtar, mund të duket tërheqës si George Clooney ose Penelope Cruz. Por mund të shpëtoni nga një përllogaritje e specialistëve: që një miqësi të shndërrohet në marrëdhënie të qëndrueshme nevojiten të paktën 87 takime te makina e kafesë. Këshilla për këtë? Qëmtojeni një herë mirë personin që ia keni vënë syrin dhe pastaj vendosni, nëse ia vlen apo jo.