E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmtohet teatri antik i Apollonisë

FIER-Rrëshqitjet e dheut kanë dëmtuar teatrin antik të Apollonisë. Lajmin e bën të ditur drejtori i këtij parku, Marin Haxhimihali, i cili shton se shkarjet e dheut po e dëmtojnë atë çdo ditë e më shumë. Ndonëse rrëshqitjet e dheut kanë filluar para disa ditësh, akoma nuk ka pasur ndërhyrje nga instancat përkatëse për shkak të reshjeve të vazhdueshme. E nëse disa ditë më parë në rrezik qe vetëm muzeu arkeologjik, tashmë përpara këtij problemi është edhe teatri antik. E megjithëse kanë kaluar disa ditë nga dëmtimi i muzeut, objektet që gjenden brenda tij nuk janë lëvizur akoma. "është në fuqi plani për të lëvizur disa objekte që gjenden në Muzeun Arkeologjik të Apolonisë, por akoma s'është bërë asgjë. Sot pritet të vijnë dy specialistë gjermanë së bashku me pajisjet e nevojshme për zhvendosjen e statujave", - kështu u shpreh dje për "Gazetën Shqiptare" Marin Haxhimihali, drejtori i Parkut të Apollonisë. Sipas tij, Parku Arkeologjik i Apolonisë po koordinon me Qendrën e Studimeve Albanologjike, për të bërë të mundur zhvendosjen e tyre në një ambient më të sigurt. Haxhimihali u shpreh se specialistët gjermanë vijnë nga Universiteti i Kelnit dhe do të mund të bëjnë zhvendosjen. Ata e njohin mjaft mirë terrenin, duke qenë se janë pjesë e ekspeditës shqiptaro-gjermane që po punon në Apolloni. Sa i takon teatrit antik, dëmtimet paraqiten të konsiderueshme në kodrën perëndimore të Apollonisë. Deri tani nuk ka pasur ndonjë vizitë nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës Kombëtare në Tiranë, e kjo sipas Haxhimihalit, për shkak të reshjeve që nuk kanë pushuar në asnjë nga këto ditë. Problemet e shkarjeve të dheut në këtë park arkeologjik kanë filluar për shkak të gërmimeve arkeologjike të bëra vite më parë. "Gërmimet e bëra në pjesën e murit rrethues e kanë dëmtuar seriozisht strukturën. Sa i takon muzeut, do të bëhet evakuimi komplet i objekteve që gjenden aty. Ato do të transportohen drejt fondeve të Muzeut të Parkut të Apollonisë", -tha dje për gazetën drejtori Haxhimihali. Në këtë muze gjenden disa sarkofagë antikë, statuja, pitosa qeramike etj.
Muzeu
Vetëm pak ditë më parë, Muzeu Arkeologjik i Apollonisë mbylli dyert për vizitorët. Shkak për këtë është bërë rrëshqitja e vazhdueshme e tokës, e cila ka vënë në rrezik objektet me vlera të mëdha muzeale. Edhe pse shenjat për dëmtime të muraturave dhe objekteve muzeale janë shfaqur edhe më parë, reshjet e fundit të cilat kanë qenë me intensitet të lartë dhe me një kohëzgjatje më të madhe, kanë ndikuar për keq. Ato kanë shkaktuar një rrëshqitje masive të tokës, e cila ka theksuar më shumë çarjet dhe ka sjellë edhe më afër rrezikun. Drejtori i Muzeut të Apollonisë, Marin Haxhimihali ka kërkuar ndihmë nga autoritetet përkatëse për të bërë të mundur ndalimin e rrëshqitjeve të mëdha të tokës, pasi sipas tij, është ndërprerë hyrja për vizitorët. Rreziku më i madh është ai i shembjes së portikut, ku mbahen statujat antike të qytetit. Reshjet e fundit kanë shkaktuar dhe çarjen në themel të murit rrethues, ndërsa vetë portiku ka marrë krisje të mëdha, të cilat rrezikojnë shembjen e tij. Vetë drejtori Marin Haxhimihali ka deklaruar se i vetmi shpëtim është ndërhyrja e Institutit të Monumenteve, pasi sipas tij, ky portik mund të shembet shumë shpejt. Haxhimihali ka theksuar se duke parë se situata mund dhe të përkeqësohet si pasojë e vazhdimësisë së rrëshqitjeve të tokës në zonën e Apollonisë, në muze po zbatohet plani i emergjencës që planifikon evakuimin e sendeve të lëvizshme. "Do e kemi të vështirë për 8 statuja të mëdha që paraqesin probleme për t'u zhvendosur, por do të bëjmë të pamundurën që asnjë prej tyre të mos dëmtohet", - ka theksuar ai.
Apolonia
Muzeu i Apollonisë është ndër më të vjetrit në vendin tonë, në të cilin ndodhen vepra të vjetra antike më shumë se dy mijëvjeçare. Prej disa vjetësh, në portikun ku ekspozohen të gjitha gjetjet në qytetin antik të Apollonisë janë konstatuar çarje arkitektonike. Ky portik ndodhet brenda perimetrit të manastirit dhe çarja ka ardhur si rezultat i gërmimeve që janë bërë në vitet '90, në pjesën e pasme të këtij oborri ose brenda saj, duke dobësuar kështu strukturat. Për rrjedhojë çdo vit konstatohen shkarje të këtij portiku. Pas dëmtimit duken qartë të çara në dyshemenë kryesore si dhe në mure, e si rrjedhojë e këtij rreziku është hequr një pjesë e madhe e statujave. Në këtë portik ekspozohen statuja të dimensioneve të mesme dhe të vogla, ku një pjesë e tyre të detyruara nga këto kushte janë futur në rezervat e muzeut arkeologjik dhe një pjesë tjetër është dërguar në Tiranë, në fondet e Institutit Arkeologjik Shqiptar. Për këtë situatë është njoftuar edhe Instituti i Monumenteve, që e ka për detyrë mirëmbajtjen dhe restaurimin e monumenteve. Sipas Haxhimihalit, edhe pse situata dihet deri tani, për fat të keq nuk është marrë asnjë përgjigje konkrete.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›