E Diel, 1 Nëntor 2026

“PS-ja humbi 6 muaj kohë, në dyshim e ardhmja e saj”

Deputetët e LMN-së, kërkojnë kokën e Edvinit: Dështoi përsëri, të japë dorëheqjen si kryetar

Deputetëve të Partisë Socialiste, kryesisht atyre të Lëvizjes për Mendim Ndryshe, u është sosur durimi me filozofinë e dështuar të Edi Ramës, teksa vetëm dje është shënuar kapitullimi përfundimtar i kryesocialistit në detyrë, lidhur me pretendimet e zgjedhjeve. Deputetët Ben Blushi dhe Kastriot Islami, deklarojnë se hyrja në parlament e PS pas 6 muajsh, tregon qartë krizën e lidershipit të kësaj partie, ndërsa paralajmërojnë ekzistencën e mëtejshme të PS. Blushi shprehet se PS ka shkuar dëm plot 6 muaj që mund t’i kishte bërë punë efektive me prezencën e saj në parlament. Ndërsa më i prerë në qëndrimin e tij, është deputeti Kastriot Islami, i cili thotë se askush nuk mund të durojë më një kryetar që di vetëm të humbë.

Ben Blushi
Deputeti socialist dhe një nga kundërshtarët e kryetarit në detyrë Edi Rama, Ben Blushi, deklaroi dje pas përfundimit të mbledhjes së grupit kuvendor socialist se në këto kushte partia opozitare ka vënë në pikëpyetje ekzistencën e vet, pas prishjes së marrëdhënieve me ndërkombëtarët. “Ka komplikuar shumë marrëdhëniet e veta me komunitetin ndërkombëtar, i cili ka bërë presion të vazhdueshëm për të ndërprerë bojkotin, gjë që po ndodh. Ka përpunuar ujërat brenda vetes, duke krijuar situata të paarsyeshme, konfliktuale brenda Partisë Socialiste. Janë shtuar pikëpyetje të mëdha që lidhen me të ardhmen e Partisë Socialiste. Pra, konsideroj që ky 6 mujor ishte i harxhuar kot”, u shpreh Blushi.
Duke iu referuar vendimit për të thyer bojkotin, Blushi tha se “kjo është një gjë e vonuar për shkak të një kushtëzimi Kushtetues. është koha për të thënë se ky 6 mujor ishte i harxhuar kot. Për 6 muaj, fatkeqësisht Partia Socialiste nuk ka fituar betejën që i vuri vetes përpara. Më duhet ta përshëndes, më në fund vendimin për të hyrë në parlament, pavarësisht se i vonuar. E thash se kjo ishte një mbledhje relativisht e tensionuar, me shumë provokime, por nuk është ky problemi, do ishte qesharake që Partia Socialiste të hynte e të dilte në parlament”, deklaroi deputeti më kritik i klikës disfatiste të Edvin Kristaq Ramës, Ben Blushi.
Duke informuar mbi vendimin e marrë nga grupi parlamentar socialist, Blushi u shpreh se u vendos që të hyhet në parlament dhe të depozitohet një projektligj për hapjen e kutive dhe të dilet sërish.
Sipas Blushit, kjo e aborton kauzën e Partisë Socialiste. Blushi theksoi se që në shtator ai dhe kolegë të tjerë të Partisë Socialiste, kanë deklaruar se PS e ka mundësinë e depozitimit të një ligji, pra të kësaj nisme legjislative, duke u futur në parlament.
“Këtu nuk ka asnjë ndjenjë triumfi. Mua më vjen keq që këto muaj u harxhuan kot. Por besoj që në rast se ne do hyjmë dhe do dalim, siç edhe është vendosur, kjo do ta verë PS-në në një pozitë të vështirë me elektoratin e vet, me opinionin publik dhe padyshim me komunitetin ndërkombëtar, i cili ka paralajmëruar se hyrja dhe dalja nga parlamenti është një lojë kalamajsh”, deklaroi Blushi.
Lidhur me një agresion të mundshëm të Ramës, ndaj kundërshtarëve të tij politik në PS, Blushi tha se ai dhe kolegët e tij, janë pjesë e Partisë Socialiste, deri në momentin kur nuk janë të përjashtuar.
“Jemi pjesë e PS. Me shumë sakrifica këta 6 muaj me të gjitha kolegët se kjo është një rrugë pa krye dhe realisht kështu rezultoi. Besoj që shumica e opinionit publik edhe në Partinë Socialiste në të gjitha nivelet, besoj se sot na japin të drejtë. Na japin të drejtë sepse ajo që është thënë në krye të herës u vërtetua. Pra u vërtetua se ky 6 mujor jashtë parlamentit nuk do ta nxirrte PS-në asgjëkund. Në fakt kështu ndodhi, ne nuk arritëm të hapim kutitë, nuk arritëm dot të shkaktonim zgjedhje të parakohshme, nuk arritëm do të sensibilizonim komuniteti ndërkombëtar që të jetë palë me ne, apo të na mbështesnin në iniciativat tona. Nëse kjo vazhdon, atëherë PS do të jetë në një pozitë edhe më të vështirë se që ka qenë”, tha më tej, deputeti socialist i Lëvizjes për Mendim Ndryshe, Ben Blushi.
Duke iu referuar përmbajtjes së nismës së firmosur nga deputetët socialistë, Blushi informoi se ajo do të depozitohet në Kuvend sot. Ai vuri në dukje se nuk ka asgjë të re në të, pasi është një iniciativë e filluar prej 3-4 muajsh.
“Nëse ju kujtohet që u mblodhën disa firma që nuk dihet se ku kanë shkuar, do të depozitohet në parlament. Megjithatë më duhet të shtoj se PS në këto 6 muaj ka fituar një të drejtë që e kishte, të drejtën Kushtetuese për të shkuar në Gjykatën Kushtetuese dhe për tu ankuar për iniciativën e vet legjislative, e cila mund të rrëzohet, nëse rrezohej nga shumica. Prandaj them se mundësia për të hapur kutitë ishte brenda parlamentit, siç edhe rezultoi, për shkak edhe të rezolutës së Këshillit të Evropës dhe vizitës së delegacionit të fundit të këtij institucioni, i cili kërkoi në mënyrë të prerë që PS të hyjë në parlament, të ndjekë një rrugë ligjore për të hapur kutitë dhe mundësisht të presë vendimin e Komisionit të Venecias, i cili pavarësisht se si do jetë, duhet ta gjejë Partinë Socialiste në Parlament.

Kastriot Islami
Nëse grupi parlamentar Socialist do të vendosë të futet sot në parlament, kjo do të jetë humbja e dytë për kryetarin e PS-së Edi Rama, pas zgjedhjeve të 28 Qershorit dhe për këtë ai duhet të japë dorëheqjen.
Kastriot Islami, një ndër zërat kritikë për pozicionin e deritanishëm të selisë rozë, dhe pjesë e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe pohon, se nuk ndjen eufori për një veprim që duhej të ndodhte shumë kohë më pare.
Islami i quan humbje edhe opsionet për futje dhe dalje nga parlamenti si dhe variantin e zgjedhjeve të parakohshme.
Sipas tij, çdo lloj përpëlitje do ta dëmtonte më tej Partinë Socialiste. Islami bën përgjegjës Ramën për gjithë qëndrimin e opozitës, ndërsa pohon se projekti i tretë i gabuar i tij, do të jetë nëse do të vendoset bojkotimi i zgjedhjeve të ardhshme lokale.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›